Kryetari aktual, njëkohësisht edhe kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, është ankuar në nivelin qendror për pamjaftueshmëri buxhetore.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë – Debati për Rahovecin”, ka folur edhe për problemet tjera që e kanë përcjellur komunën gjatë investime.
“Kemi kryer shumë punë, por ka edhe problematika që kërkojnë zgjidhej urgjente. Problemi themelor është se ka pamjaftueshmëri buxhetore, pastaj ka situata, të cilat janë të ndërlikuara pasi lidhen me pronën, statusin e pronës”, ka thënë Latifi.
Ai ka folur edhe për problemin me ujërat e zeza në këtë komunë, për investimet dhe planet për eliminim të këtij problemi.
“Janë problemet e kanalizimit në një pjesë të qytetit, që është lagjja ‘Vëllezërit Frashëri’. Diçka kemi zgjidhur, në disa segmente, por përsëri ka probleme për shkak të komplikimit që kanë banorët me pronën. Shpresoj që hap pas hapi, me përpjekje e mundim të madh, ne do t'i japim epilog edhe këtij problemi që është segmenti i fundit në atë lagje”, ka thënë ai.
Latifi ka thënë se me këtë problem po merret tash e sa kohë.
“Natyrisht ne kemi problemin edhe me ujërat e zeza, derdhjen e ujërave të zeza, për çka ne po ndërtojmë 6 impiante që së shpejti do të jenë funksionale në bashkëpunim me Komisionin Evropian, duke i shfrytëzuar fondet e IPA-s. Po ashtu kemi gjashtë gropa septike me standarde të larta që arrijnë ta pastrojnë ujin në masë 70 për qind”, ka thënë Latifi.
Si sfidë të madhe ka potencuar Kontratën kolektive.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.
