Kulturë

Zhdukja e përkohshme e “Grand Hotelit” me qiellin e Petrit Halilajt

Kulmin e hotelit “Grand” e ka shndërruar në një hapësirë ku me një fjali poetike ngre shumë pyetje. “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin” është shkruar lart, duke e zëvendësuar mbishkrimin “Grand Hotel”. Me këtë artisti me nam botëror i fton qytetarët e Kosovës që të diskutojnë për të ardhmen e trashëgimisë që ka mbetur nga e kaluara, për vendbanimet e jetën në këto anë. Halilaj ka rrëfyer historinë e vendit të tij gjithandej botës nëpërmjet ekspozitave që kanë marrë vëmendje nga mediat më prestigjioze të globit. Tash do të jetë pjesë e procesit ku shoshitet e ardhmja. “Më 22 korrik do t’i ndezim dritat e ta bëjmë një qiell të ri”, ka thënë ai

Deri në katin e 7-të mund të shkohet me ashensor. Për pjesën e mbetur shkallët janë të detyrueshme. E nga kulmi, një pjesë e mirë e Prishtinës shihet si në shuplakë të dorës. Me t’u ngjitur në kulmin e hotelit “Grand” në Prishtinë, Petrit Halilajt i kishin lindur shumë pyetje. Edhe më shumë se që kishte paraprakisht për këtë ndërtesë. Pavarësisht se nami i “Grandit” është venitur ngadalë për tri dekada, ndërtesa ikonike e Prishtinës vazhdon të mbetet një prej shenjave më domethënëse të kryeqytetit. Krejt shenjat e historisë së dekadave të fundit janë në të. Rrumbullakon zhvillimin, aparteidin, luftën, e gjendjen e pasluftës.

“Pyetja është çka të bëjmë me qytetin tonë. Si t’i ripunojmë gjërat që i kemi nga ish-sistemi. Nëse ‘Grandit’ ju kanë hequr yjet, çka të bëjmë me to”, ka thënë Petrit Halilaj.

“Më është dukur si shenjë se ato yje kanë shkuar dhe Jugosllavia ka shkuar”

Petrit Halilaj (36) ia ka treguar botës rrëfimin e tij si refugjat. Fshatin Runik prej nga vjen e ka “shëtitur” nëpër glob. Këtë e ka bërë nëpër alamet galeri nëpërmjet instilacioneve të tij. Këtë verë, pas pesë vjetësh ka vendosur që t’i kthehet Kosovës me projekt që lidhet me një ndërtesë vendore e me kujtesë kolektive. Më 2018, një gërmadhë e fshatit të tij, dikur Shtëpi e Kulturës, ishte nikoqire e Halilajt. Me “Shkrepëtima” ai kishte arritur që të merrte vëmendje të madhe. Të bashkonte njerëz aty, e rrënojat e atij objekti në Runik të Skenderajt të bënin që edhe shteti të interesohej për ta mos lënë asisoj.

Sivjet po merret me një tjetër ndërtesë. Atë të inauguruar më 1978 në zemër të Prishtinës. Mbishkrimin “Grand Hotel” e ka zëvendësuar me “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”. Halilaj, i cili jeton midis Gjermanisë dhe Kosovës, kishte vërejtur se hotelit “Grand” i ishin larguar yjet. Në kulm mbante 10 yje. Ishin 5 në anën lindore e po aq në atë perëndimore.

“Më kujtohet një intervistë e Anri Salës ku shpjegonte se si në një film të animuar subjekti pasi i përfundon dyshemeja ecën në ajër derisa e sheh që është në ajër e pastaj bie poshtë. Më ka bërë shumë përshtypje qysh në mendjet tona mbesin disa gjëra që nuk janë më prezente. Këtë mund ta lidhim me njerëz, gjëra, sistemin. Mund ta lidhim edhe me ish-Jugosllavinë”, ka treguar Halilaj poshtë hotelit të cilit ia ka kthyer yjet. Bile, do t’ia bëjë fiks 27 yje. Këtë ndërhyrje të përkohshme me ndërtesën që prej vitit 2015 është monument, Halilaj po e bën në kuadër të bienales nomade “Manifesta”, që edicionin e sivjetmë e ka në Prishtinë. Janë pajisur me pëlqimet e nevojshme për të ndërhyrë në monument.

“Më është dukur si shenjë se ato yje kanë shkuar dhe Jugosllavia ka shkuar”, ka thënë ai duke e lidhur simbolikën e yjeve të “Grandit” me ish-Federatën që bashkonte 6 republika e dy krahina.

Halilaj pyet nëse mund të transferohet dëshira personale në dëshirë kolektive. “Më duket që vetë historia e qytetit tonë i ka bërë ato yje të mos jenë lart, por të jenë të rrëzuara duke e shikuar qiellin”, ka thënë ai derisa është ngjitur kateve të “Grandit” që kishte 372 dhoma, 10 apartamenteve dhe 2 rezidenca. Intervenimi i tij ende pa u inauguruar ka nisur të nxisë kritika. Pavarësisht pajisjes me pëlqimet e nevojshme institucionale ka pasur kritika për heqjen e mbishkrimit si një ndërhyrje në monument. Hoteli përdoret jo rrallë jashtëligjshëm për reklama të ndryshme. Për këtë janë bërë edhe kallëzime penale. Është përdorur edhe si hapësirë për bolborde të fushatave zgjedhore. Në rastin e intervenimit të Halilajt ka pasur edhe thirrje për arrestimin e tij. Këtë e ka bërë artisti Albert Heta, një bashkëpunëtor i vjetër i Halilajt.

“‘Grandi’ është një ndërtesë e ndryshimeve”

Ndërhyrja përfshin një pjesë të mirë të ndërtesës. Halilaj yjet i ka vendosur në majë të kulmit, nëpër tarraca e do të ketë edhe nëpër disa dhoma. Ato në dhoma do të jenë si gjysmë yje në dritare duke krijuar iluzionin se yjet po shikojnë poshtë. Por ky nuk është projekt që do ta bëjë vetë. Ka ftuar krejt qytetarët që të vendosin yje nëpër shtëpitë e tyre. Jo veç ata të Prishtinës. Në kulm Halilaj ka rrëfyer se si disa nga shkronjat e reklamës së Hotelit i kanë hyrë në punë për fjalinë poetike që e ka vendosur lart.

“Fondi dhe madhësia e shkronjave janë të njëjta me ato që ishin dhe vërehet kombinimi i shkronjave të vjetra me të rejat. Kanë qenë nga pesë yje në dy anë. Një kohë kam menduar t’i lë vetëm ato yje. Por jo”, ka thënë ai.

Halilaj është i fascinuar me faktin se diçka mund të ndryshojë në pamje, por jo edhe në mendjen e njerëzve.

“Kur e kam parë historinë e ‘Grandit’ më është dukur si historia e qytetit. Ndërtesa ka kaluar nëpër atë që kemi kaluar të gjithë”, ka rrëfyer ai. I kishte shkuar mendja te “Shkrepëtima” e vitit 2018 dhe e kishte menduar faktin se si një performancë ditore i bashkoi njerëzit te një gërmadhë.

“Ajo performancë i ka bashkuar gjeneratat. E ‘Grandi’ është një ndërtesë e ndryshimeve. Është një prej ndërtesave ku punëtorët kurrë nuk kanë mbetur pa punë. Ka vend për lutje, dhoma...”, ka vazhduar Halilaj, i cili është artisti që e përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, në edicionin e 55-të, më 2013.

I ka interesuar fort që ta vlerësojë atë që ka mbetur jo veç në ”Grand” e në qytet, por edhe përtej. Ka thënë se diskutimi se çfarë duhet bërë me këtë ndërtesë duhet të bëhet sa më shpejt. “A po e ndiejmë si tonën apo çfarë po bëjmë me të?”, ka pyetur Halilaj, i cili vitin e kaluar pushtoi mediat botërore duke e rivendosur Kosovën në botën elitare të artit me “Very volcanic over this green feather”, e hapur në mestetor në “Tate St Ives” në St. Ives të Cornëallit.[ Aty ai shpalos rrëfimin e tij unik për luftën në Kosovë më 1998-1999 dhe këtë e bën mjeshtërisht duke iu rikthyer vizatimeve në kohën kur ishte refugjat. Ekspozita qe në dispozicion të publikut deri më 16 janar të këtij viti.

Image
Më ka bërë shumë përshtypje qysh në mendjet tona mbesin disa gjëra që nuk janë më prezente. Këtë mund ta lidhim me njerëz, gjëra, sistemin. Mund ta lidhim edhe me ish-Jugosllavinë”, ka treguar Petrit Halilaj

Trashëgimi të luftës së fundit në Kosovë bart edhe hoteli “Grand”. Në vitet ’90 ishte shndërruar në çerdhe të ushtarakëve e çetnikëve serb.

E pas luftës jeta është organizuar ndryshe. Janë shpalosur ëndrra të mëdha. Nxënësja 12-vjeçare Njomza Vitia e kishte shkruar një hartim me titullin “Kur dielli të ikë, do ta pikturoj qiellin”. E kur Halilaj e kishte lexuar atë i ishte dukur sikur ta ketë shkruar krejt shoqëria kosovare.

“Ne si shoqëri jemi në një fazë të krijimit të identitetit. Secili qytet është duke e gjetur veten në një epokë të re. E për mua është nder e kënaqësi të jem pjesë e këtyre hapave. Të njëjtat pyetje që shtrohen për ‘Grandin’ që nuk dihet se nga është duke shkuar, mund t’ia shtrosh vetes si person apo edhe për qytetin”, ka thënë Haliaj. Sipas tij, njerëzit mund të shkëlqejnë edhe në Kosovë e jo të vazhdohet me këtë trend migrimi. Të hënën pasdite ai ka vazhduar të kujdeset për detaje të tjera. Duhet vendosur e shpërndarë edhe disa yje. Elektrifikimi është në proces e sipër. Halilaj beson shumë në krijimet kolektive.

“Është shumë më lehtë të bëjmë diçka bashkë sesa kur mundohesh të thuash diçka. Kur kam menduar diçka për një qiell të ri në Prishtinë kam dashur ta bëj me krejt qytetarët”, ka treguar ai. Pas përfundimit të edicionit të “Manifesta 14” fjalia e yjet do të hiqen. Do të kthehet mbishkrimi origjinal i Hotelit. Por Halilaj do të vazhdojë të provokojë. Të ngrejë pyetje e të mbledhë rrëfime. Më pas t’i nxjerrë në pah ato e t’i ndriçojë.

“Më 22 korrik do t’i ndezim dritat e ta bëjmë një qiell të ri”, ka thënë ai.