Botë

Shefi i inteligjencës britanike: S’ka asnjë provë që Putini dëshiron paqe në Ukrainë

Richard Moore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk ka asnjë dëshirë të negociojë paqen në Ukrainë, tha shefi i shërbimit sekret britanik MI6 të premten, në një fjalim lamtumirës.

Richard Moore, drejtori i MI6, tha se Putini “po na mashtron”.

“Ai po përpiqet të arrijë qëllimet e tij me çdo mjet që ka në dispozicion. Por nuk do të ketë sukses”, tha Moore.

“Thjesht, Putini ka marrë përsipër më shumë sesa mund të përballojë. Ai mendoi se do të fitonte lehtë.

Por ai dhe shumë të tjerë, e nënvlerësuan Ukrainën”.

Moore foli nga konsullata britanike në Stamboll, pasi ka qenë për pesë vjet në krye të MI6. Ai do të largohet nga detyra në fund të shtatorit, dhe do të pasohet nga një grua, e para që do të drejtojë këtë agjenci, raporton AP

Gjatë kohës që ai ishte drejtor, Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, një luftë që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ende vazhdon, sidomos në lindje të Ukrainës.

Moore tha se pushtimi rus e ka forcuar identitetin kombëtar të Ukrainës dhe e ka afruar atë edhe më shumë me Perëndimin. Ai gjithashtu shtoi se lufta ka ndikuar që Suedia dhe Finlanda të bashkohen me NATO-n.

“Putini përpiqet t’i bindë të gjithë se fitorja e Rusisë është e sigurt. Por ai gënjen. Gënjen botën. Gënjen popullin e tij. Ndoshta gënjen edhe veten”, tha Moore në një konferencë shtypi.

Sipas Moore, Putini “po e sakrifikon të ardhmen e vendit për trashëgiminë e tij personale dhe për një version të shtrembëruar të historisë”. Ai tha se lufta po e përshpejton rënien e Rusisë.

E sipas analistëve, Putini mendon se mund të zgjasë luftën më shumë se sa zgjat mbështetja e Perëndimit për Ukrainën dhe ta fitojë luftën duke lodhur Ukrainën, e cila ka ushtri më të vogël.

Ndërkohë, Ukraina po përpiqet të forcojë bashkëpunimin ushtarak me vende të tjera dhe të sigurojë miliarda dollarë për industrinë e saj të armëve.