Botë

Shefi i MI6: Rusia po ndërmerr fushatë jashtëzakonisht të pamatur sabotuese në Evropë

Shefi i agjencisë së spiunazhit i Britanisë së Madhe, Richard Moore

Shefi i agjencisë së spiunazhit i Britanisë së Madhe, Richard Moore, ka akuzuar Rusinë se po e ndërmerr atë që e përshkroi si fushatë jashtëzakonisht të pamatur sabotuese në Evropë dhe se po e intensifikon retorikën bërthamore për t’i frikësuar shtetet e tjera për të mos e mbështetur Ukrainën.

Udhëheqësi i MI6 theksoi gjatë një fjalimi në Paris që në rast se presidenti rus, Vladimir Putin, ia del që ta shndërrojë Ukrainën në shtet vasal, atëherë nuk do të ndalet me kaq. Moore tha çmimi i mosveprimit ndaj Rusisë do të jetë pafundësisht i lartë, transmeton REL.

Krahas tij, edhe shefa tjerë të inteligjencës perëndimore kanë paralajmëruar për intensifikimin e veprimeve sabotuese nga Rusia. NATO-ja dhe shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë alarmuar se Rusia qëndron prapa një sërë aktivitetesh armiqësore në gjithë zonën euroatlantike, duke përfshirë sulmet e vazhdueshme kibernetike.

Paralajmërimi e pason njoftimin e bërë muajin e shkuar nga shërbimi i inteligjencës së brendshme britanike se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU, synon të nxis “kaos” në Britani e Evropë.