Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Inteligjenca daneze: Rusia mund të sulmojë një shtet të NATO-s brenda disa muajsh

Inteligjenca daneze: Rusia mund të sulmojë një shtet të NATO-s brenda disa muajsh

Rusia mund të kryejë sulm të kufizuar ushtarak ndaj një shteti, anëtar të NATO-s, në muajt e ardhshëm, ka paralajmëruar inteligjenca daneze, në një prej paralajmërimeve më të errëta deri tash nga shërbimet perëndimore të sigurimit.

Në një raport të publikuar të enjten, shërbimi danez i inteligjencës ka paralajmëruar për “rrezik të vogël, por në rritje” që Rusia të kryejë sulme me rreze të gjata ndaj infrastrukturës së NATO-s që mbështet Ukrainën ose të ndërmarrë sulm të kufizuar në një vend fqinj me numër të vogël trupash, që mund të veprojnë pa shenja dalluese ruse.

Raporti doli pak orë pasi një zjarr shpërtheu në një stacion të satelitit “Starlink” në Poloni, e të cilin autoritetet lokale e përshkruan si “akt sabotimi”.

E NATO-ja ka thënë se është e përgatitur për t’u përballur me incidentet e sabotimit dhe dronëve në Evropë dhe ka plane të qarta për reagimin ndaj tyre.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se rritja e incidenteve hibride në vendet anëtare të NATO-s tregon se presidenti rus Vladimir Putin po përballet me vështirësi në luftën në Ukrainë, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë. Ai ka thënë se një nga mënyrat më të mira për t’iu përgjigjur Rusisë është vazhdimi i furnizimit të Ukrainës me armë.

Rutte ka deklaruar  se të gjitha mundësitë për reagim janë në dispozicion dhe se do të përdorin çfarëdo mase që të jetë e nevojshme. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të 32 vendeve anëtare të NATO-s që të qëndrojnë të qetë, duke thënë se “Putini është në një pozitë të vështirë” dhe se “nuk po e fiton luftën në Ukrainë”.

Sulmet hibride përfshijnë veprime armiqësore që nuk zhvillohen domosdoshmërisht përmes një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak, si sabotimet, sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.