Botë

Evropa po planifikon ndaj Rusisë hapa që dikur dukeshin të paimagjinueshëm

Evropa

Dronë rusë dhe agjentë të Moskës po kryejnë sulme dhe incidente nëpër vendet e NATO-s, ndërsa shtetet evropiane po shqyrtojnë masa të reja që shkojnë nga operacionet kibernetike ofensive të përbashkëta, tek identifikimi më i shpejtë dhe i koordinuar i sulmeve hibride, e deri te stërvitje të papritura ushtarake të drejtuara nga NATO-ja, shkruan Politico.

Ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braze, ka thënë se Rusia vazhdimisht “teston kufijtë” e reagimit të Perëndimit.

“Rusët po testojnë vazhdimisht kufijtë – si është përgjigjja, sa larg mund të shkojnë. Duhet një përgjigje më proaktive. Jo thjesht fjalë, por veprim”, ka thënë ajo.

Kohëve të fundit, dronë rusë kanë depërtuar mbi Poloni dhe Rumani, ndërsa dronë të tjerë misteriozë kanë shkaktuar kaos në aeroporte e baza ushtarake në kontinent. Incidente të tjera përfshijnë bllokimin e sinjaleve GPS, hyrje të avionëve luftarakë dhe anijeve ruse në afërsi të kufijve, si dhe shpërthimin e një linje hekurudhore të rëndësishme në Poloni, që transportonte ndihmë ushtarake për Ukrainën.

“Duhet të pyesim veten sa gjatë jemi gati ta tolerojmë këtë lloj lufte hibride… dhe nëse duhet të bëhemi më aktivë vetë në këtë fushë”, ka paralajmëruar zëvendësministri gjerman i Mbrojtjes, Florian Hahn.

Sulmet hibride nuk janë të reja. Vitet e fundit, Rusia ka dërguar atentatorë për të eliminuar kundërshtarët politikë në Britani të Madhe, është akuzuar për shpërthim të depos së armëve në Evropën Qendrore, ka financuar parti të ekstremit të djathtë për të destabilizuar BE-në, ka zhvilluar luftë propagandistike në rrjetet sociale dhe ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhje në vende si Rumania e Moldavia.

“Po e ndjekim nga afër militarizimin në rritje të Evropës. A është vetëm retorikë, apo ka ardhur koha të përgjigjemi?”, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin ditë më parë.

Ndërkohë, Dmitry Medvedev deklaroi muajin e kaluar se “SHBA-ja është kundërshtari ynë”.

Evropa, megjithatë, nuk dëshiron luftë me një fuqi bërthamore dhe kërkon mënyra për ta ndaluar Rusinë pa kaluar vijat e kuqe të Kremlinit që mund të çonin në konflikt të hapur.

“Nuk duhet të kemi frikë nga përshkallëzimi. Duhet të jemi të vendosur”, ka thënë ministri suedez i Mbrojtjes, Michael Claesson.

Deri tani, reagimi ka qenë forcimi i mbrojtjes. Pas rrëzimit të dronëve rusë mbi Poloni, NATO-ja njoftoi se do të shtojë mbrojtjen ajrore dhe anti-dron në kufirin lindor – një vendim i mbështetur edhe nga BE-ja. Kjo ka irrituar Moskën.

“Evropianët duhet të dridhen si një tufë kafshësh budallaqe që po shkojnë drejt therjes… Duhet të mbushen me frikë, duke ndier fundin e tyre të afërt dhe të dhimbshëm”, u shpreh me kërcënime Medvedev.