Kulturë

Panairi i çerekshekullit afër lexuesit, Botimet KOHA me ofertë unike

Te titujt e rinj, Botimet KOHA sivjet vjen me katër sosh midis mbi 150 tituj në total

Te titujt e rinj, Botimet KOHA sivjet vjen me katër sosh midis mbi 150 tituj në total

Botuesit tashmë janë gati në pritje të vizitorëve e të lexuesve, tok me dilemat, por Panairi i Librit prej sot (e mërkurë) shënon edhe një kapitull të radhës që vulos traditën çerekshekullore. Janë rreth 100 botues që “ngushtohen” në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, e gjerë është menyja e Botimeve KOHA dhe oferta unike me zbritje deri në 80 për qind. Arsyeja: që libri të jetë më afër lexuesit

Shkallët ballore të platesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit tashmë janë dekoruar me emra shkrimtarësh dhe të disa shtëpive botuese, përderisa lart është vënë mbishkrimi që tregon se aty zë vend Panairi i Librit. Ngjarja tradicionale që sivjet mbahet për të 25-n herë nis sot (e mërkurë) në mesditë. Një alamet tende është vendosur në plate për t’iu bërë strehë sa më shumë shtëpive botuese, pasi organizatorët sivjet s’e kanë në shfrytëzim njërën prej dy sallave që përherë në fillim të qershorit mbushen me libra. Me ngushtimin e hapësirës, duket sikur është zvogëluar pak edhe entuziazmi i ngjarjes më të madhe të librit në Kosovë. 

Panairi viteve të fundit s’i ka pasur vizitorët e dikurshëm e as shitjen e mëparshme. Për dikë ky është një kthim në identitet, ku panairet shërbejnë si ekspoze e vend diskutimesh. E për të tjerë, rënia e shitjes është telashe e madhe në bosht. Ka prej tyre që sivjet rënien e shitjes në përgjithësi e shohin edhe si derivat të krizës politike. 

Shkallët ballore të platesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit tashmë janë dekoruar me emra shkrimtarësh dhe të disa shtëpive botuese, përderisa lart është vënë mbishkrimi që tregon se aty zë vend Panairi i Librit

Gjysma e shtëpive botuese të martën mbrëma kanë radhitur titujt e tyre në shtandet përkatëse. Janë rreth njëqind botues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut që marrin pjesë. Salla e Kuqe, holli e plateja e Pallatit të Rinisë tashmë kanë marrë ngjyrat e frymën e Panairit. Mosshfrytëzimi i sallës që njihet si Atelie ka lënë pasojat e veta. 

“Përgatitjet kanë shkuar mirë dhe jemi gati për hapje”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli. Sivjet nën moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, organizatorët synojnë të ndërlidhen me kontekstin aktual ku teknologjia ka marrë hov të madh. E kaltra dominon në dizajnin e krejt materialet promovuese. Kështu ka ngjarë gjithnjë. Por pritjet e botuesve s’janë edhe aq me shkëlqim sikurse materialet promovuese. Një prej tyre është i bindur se në një vend të vogël sikurse Kosova kriza politike reflekton në gjithçka e sidomos te libri. 

“Libri është gjithnjë i fundit ndër prioritete dhe i pari që pëson kur ka krizë”, ka thënë ai. Botuesi, që është prej më të mëdhenjve në vend, ka sqaruar se sa herë ka krizë politike, ajo lidhet direkt edhe me ekonominë dhe krejt kjo reflektohet me të madhe në shitjen e librit. 

“Disponimin qytetar zakonisht e peshoj me interesimin për librin. Më besoni se gjendja është e zymtë dhe s’kam aq pritje as në Panair”, ka thënë ai. Por ka insistuar se ekspozita e librit është një ngjarje që duhet organizuar dhe duhet ta ketë vëmendjen e duhur.

Sipas organizatorëve, numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 2 mijë, kurse numri i titujve të viteve të fundit rreth 6 mijë. 

Te titujt e rinj, Botimet KOHA sivjet vjen me katër sosh midis mbi 150 tituj në total. 

“Masakra ndodhi në Korçë” është vepra më e re e shkrimtarit Ibrahim Kadriu, i cili njihet si romancier që historitë lokale i shndërron në rrëfime letrare. Libri fitues i shpërblimit për letërsi “Rexhai Surroi” vitin e kaluar, “Toka e babës” i shkrimtares së re, Jetlira Avdiaj, është po ashtu në shtandin e Botimeve KOHA. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në dhjetorin e vjetëm, vepra e Avdiajt qe përshkruar si roman që lexuesin e ballafaqon me një temë thelbësore për të gjithë –  përkatësinë familjare. Sipas jurisë, vepra flet për lidhjet familjare, që janë një ndër faktorët më të fortë në jetë, vendimtarë në formimin e shtresëzimeve identitare. 

“Por familjet nuk janë vetëm një vend sigurie dhe harmonie. Ato mund të jenë gjithashtu hapësira në të cilat lindin konflikte e tjetërsim. Dhe është pikërisht kjo ambivalencë që e bën veprën që po nderojmë sot thellësisht njerëzore”, shkruhej në arsyetimin e jurisë. 

“Palltoja e të munguarit” është romani i Albina Idrizit, që sivjet pasuron shtandin e Botimeve KOHA si botim i ri. Përshkruhet si rrëfimi që “ndërtohet mbi ngjarjet e kaluara si fëmijë, kryesisht viteve të fundit të luftës, të cilave rrëfyesi tashmë i rritur, u kthehet me një besnikëri përjetimeve fëmijërore dhe me sinqeritet të zhveshur nga çdo paragjykim i mundshëm”. 

Gjysma e shtëpive botuese të martën mbrëma kanë radhitur titujt e tyre në shtandet përkatëse. Janë rreth njëqind botues nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut që marrin pjesë. Salla e Kuqe, holli e plateja e Pallatit të Rinisë, tashmë kanë marrë ngjyrat e frymën e Panairit. Mosshfrytëzimi i sallës që njihet si Atelie ka lënë pasojat e veta

Sipas përshkrimit, me gjithë largësinë gjeografike nga hapësirat ku zhvillohet lufta drejtpërdrejt, ajo prek edhe personazhet e romanit duke i shpërfaqur në origjinalitetin lakuriq të tyre, parë me sy fëmije.

“Palltoja e atit të munguar, prania e fuqishme e së cilës shoqëron pandashëm gjithsecilin nëpër faqet e librit me çdo rrëfim, mbetet kuintesenca e romanit si një metaforë e ndërgjegjes, e cila i ndjek pas kudo”, shkruhet në përshkrimin e veprës së Idrizit, e cila debutoi në letërsi më 1997 me përmbledhjen me poezi “Heshtja e mbarsur”, botuar nga “Rilindja”.

“Të shtunën nga zgafellja” është përmbledhja e shkrimeve publicistike të përjavshme të drejtoreshës menaxhuese të Grupit KOHA, Flaka Surroi. Të mbledhura në një botim kolumnet e vitit 2023 dhe 2024 bashkojnë rrëfimet e analizat e ndodhive aktuale. Aty vijnë përshkrime, krahasime e edhe propozime për çështje sociale, politike e fusha të tjera. 

Menaxheri i shitjes në Botimet KOHA, Fidan Imeri, ka thënë se të gjitha përgatitjet janë bërë që lexuesit të kenë ofertat më të mira sa u përket titujve e po ashtu çmimeve. 

“Në ditët e Panairit ne si zakonisht mundohemi të jemi sa më afër lexuesve. Sivjet, pos titujve të rinj, kemi edhe shumë tituj të vitit të kaluar. Në përgjithësi ofrojmë mbi 150 tituj”, ka thënë ai. Sa u përket çmimeve zbritjet shkojnë deri në 80 për qind. 

“Tashmë i kemi bërë përgatitjet që në Panair zbritjet t’i kemi deri në 80 për qind, në mënyrë që lexuesit të kenë edhe mundësi të mira financiare për t’i pasur në bibliotekat e tyre botimet tona, disa prej të cilave tashmë dihet se janë edhe bestseller”, ka thënë ai. Gjatë ditës së enjte dhe të premte “Botimet KOHA” do të organizojë edhe promovimet e titujve të rinj. E ngjarjet në Panair edhe sivjet do të jenë të shumta. Përvjetorët e shkrimtarëve po ashtu do të vazhdojnë. Është 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës e 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit, që do të organizohen gjatë ditëve të ngjarjes.