Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Misioni i NATO-s vlerëson përmirësim të sigurisë, Policia e Kosovës pjesë e ofrimit të sigurisë në Manastirin e Deçanit

Manastiri i Deçanit

“Sot (10 gusht 2026), misioni i udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, ka filluar integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizmin e pranisë së KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, dhe po koordinohet ngushtë me një sërë akterësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe institucionet në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, shkruhet në komunikatën e KFOR-it, që është mision paqeruajtës i NATO-s

Në sajë të “përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë”, siç vlerëson NATO-ja, Policia e Kosovës do të jetë pjesë e infrastrukturës së sigurisë së këtij monumenti në bashkëpunim me misionin e NATO-s, KFOR-in. Për këtë zhvillim ka njoftuar vetë KFOR-i të hënën. E ky hap është parë si i vonuar nga ata që tash e dy dekada merren me çështjen e trashëgimisë kulturore në vend

Prej “monument në rrezik” i shpallur nga organizata evropiane “Europa Nostra”, tash del se s’bëhet fjalë për kurrfarë rreziku në raport me Manastirin e Deçanit. Madje në sajë të “përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë”, siç vlerëson NATO-ja, Policia e Kosovës do të jetë pjesë e infrastrukturës së sigurisë së këtij monumenti në bashkëpunim me misionin e NATO-s, KFOR-in. Për këtë zhvillim ka njoftuar vetë KFOR-i të hënën. E ky hap është parë si i vonuar nga ata që tash e dy dekada merren me çështjen e trashëgimisë kulturore në vend. 

“Sot (10 gusht 2026), misioni i udhëhequr nga NATO-ja, KFOR, ka filluar integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it, në Manastirin e Deçanit. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizmin e pranisë së KFOR-it. Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, dhe po koordinohet ngushtë me një sërë akterësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe institucionet në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, shkruhet në komunikatën e KFOR-it që është mision paqeruajtës i NATO-s. Në komunikatë bëhet e ditur se përkushtimi i KFOR-it për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe për sigurinë e të gjitha komuniteteve lokale është i palëkundur. 

“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it nga OKB-ja. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, shkruhet në komunikatë. Bëhet e ditur se KFOR-i do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet në Kosovë, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, me qëllim të ruajtjes së transparencës së ndërsjellë, bashkëpunimit dhe besimit, si dhe për të shmangur keqkuptimet. Është e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim”, shkruhet në komunikatën e titulluar “KFOR-i nis integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit”. 

Manastiri i Deçanit mbettë monumenti ku KFOR-i ka prani të vazhdueshme. Policia e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë e aseteve të tjera të trashëgimisë kulturore të Kosovës që shfrytëzohen nga serbët për të kryer rite fetare. Patrikana e Pejës që ka distancë 18.3 kilometra nga Manastiri e që përgjegjës për sigurinë ka Policinë e Kosovës, njëjtë sikurse monumenti në Deçan s’regjistron asnjë incident. 

Udhëheqësi i fondacionit për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, Sali Shoshi ka thënë se ky vendim i KFOR-it është i vonuar. 

Edhe Fillon integrimi gradual i Policisë së Kosovës në ruajtjen e Manastirit të Deçanit Arbëri Fillon integrimi gradual i Policisë së Kosovës në ruajtjen e Manastirit të Deçanit

“E përshëndes si vendim, por është shumë i vonuar për faktin se krejt të dhënat zyrtare kanë treguar se s’ka pasur asnjë incident dhe zona është shumë e qetë. Vonesa vjen nga instrumentalizimi i Kishës Ortodokse serbe dhe për çështje politike. Ishte një padrejtësi për vetë banorët lokalë, pasi me shekuj kanë pasur lidhje me këtë ndërtesë kulti, lidhje që është ndërprerë në kohën e Millosheviqit”, ka thënë Shoshi. 

Sipas tij, çështjet politike që i propagandon Kisha Ortodokse Serbe nuk duhet të jenë ato që e largojnë Manastirin nga konteksti socio-kulturor në Deçan. 

“Historia dëshmon se bashkëjetesa midis njerëzve dhe Manastirit është kushti themelor që të vazhdojë jeta në atë Manastir dhe në atë zonë. Vendimi i KFOR-it është vendim që është dashur të merret para 15 vjetëve”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, rasti me organizatën “Europa Nostra” del të ketë qenë krejtësisht propagandë pre e së cilës ka rënë edhe vetë organizata evropiane. 

“Po dëshmohet se aty s’ka rrezik dhe jetohet në harmoni”, ka thënë ai. 

Në prill të vitit 2021, propaganda e Beogradit dhe e Kishës Ortodokse Serbe ia kishte dalë që organizata e njohur e trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra” – ta përfshijë Manastirin e Deçanit në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë së kontinentit të vjetër. Programi, i cili ekziston që prej 2013-s, ka për synimin rritjen e vetëdijesimit mbi gjendjen e brishtë të vendeve të trashëgimisë, me shpresë që kjo do të veprojë si përshpejtues për një veprim të qëndrueshëm sa i përket ruajtjes së tyre që të jenë edhe për brezat e ardhshëm. Manastiri i Deçanit figuronte i pesti në renditjen e shtatë vendeve të rrezikuara të trashëgimisë.

Me një histori që shkon në shekullin XIV, ai është edhe një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Është një strehë e rëndësishme fetare në Ballkan, lokacioni i tij e ka bërë viktimë të çështjeve të pazgjidhura legale dhe institucionale për shkak të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhej në përshkrim.

Edhe Nis integrimi gradual i Policisë në sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe Urës së Ibrit Arbëri Nis integrimi gradual i Policisë në sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe Urës së Ibrit

Kur “Europa Nostra” në dhjetor të vitit 2020 e kishte futur Manastirin e Deçanit në listën e ngushtë të 12 monumenteve të rrezikuara, KOHA kishte raportuar se për këtë – organizata evropiane e cila Kosovës i referohet me fusnotë – bazohej në raporte të Serbisë e të Kishës Ortodokse Serbe. Raporte të cilat s’kanë të bëjnë me realitetin. Asokohe, 40 organizata nga Kosova kishin reaguar se “Europa Nostra” po pasqyronte realitet të rrejshëm. Madje organizata s’e kishte ndryshuar qasjen as pas vizitës së përfaqësuesve së saj një vit më pas më 2022 në Kosovë. 

“Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, e as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit, i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë”, shkruhej në komunikatën e lëshuar pas vizitës. Më pas renditej vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë, e asokohe ende nuk qe zbatuar nga Kosova. Vendimi është zbatuar më 2024. 

“Së treti, për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it, siç ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it”, shkruhej asokohe në komunikatë. Sipas kësaj organizate, Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, “tendencë e cila nuk është në përputhje me parimet evropiane dhe ndërkombëtare të interpretimit të saktë historik dhe artistik të monumenteve historike dhe objekteve të trashëgimisë”.

Sali Shoshi të hënën ka thënë se edhe çështjet e tjera që vazhdojnë të jenë të ngritura, siç është rruga që lidh Deçanin me bjeshkët e veta, nuk bën të politizohen dhe duhet të adresohen në bazë të ligjit. Kisha Ortodokse Serbe vazhdimisht ka reaguar që ajo rrugë ekzistuese lokale të mos asfaltohet. 

“Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura nuk ndalon mirëmbajtjen e rrugëve dhe mirëmbajtja është edhe shtrimi me asfalt. Ajo arterie është jetike për të ardhmen turistike të Deçanit. Vetë Kisha Ortodokse Serbe duhet të jetë e hapur për këtë çështje si pjesë e Këshillit për Zbatim dhe Monitorim”, ka thënë Shoshi. 

Edhe OpEd Së bashku më të fortë për paqe

Manastiri i Deçanit vazhdimisht vizitohet nga banorët lokal, ata nga e gjithë Kosova, e po ashtu pret edhe shumë vizitorë nga vende të ndryshme në botë. 

Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006 ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren, po ashtu kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë”, e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.