Është një ditë e nxehtë shkolle në Berlin. Nxënësit e klasës së 9-të në shkollën komunitare “Lina Morgenstern” – të emërtuar sipas feministes, edukatores dhe aktivistes hebrejo-gjermane të shekullit XIX – hyjnë në klasë për një mësim historik të dyfishtë.
Ata përshëndesin njëri-tjetrin përzemërsisht dhe heqin kapelat e tyre. Mësuesi i tyre i historisë, Karl Birkner, lavdëron përpikmërinë e tyre. Është shumë nxehtë për një mëngjes qershori. Por gjithsesi, disa studentë vijnë me vonesë. Si kudo. Është thjesht një ditë normale.
Birkner qëndron i heshtur, ndërsa ndez tabelën elektronike. Tema e sotme: “Marrja dhe transferimi i pushtetit” nga programi “Demokracia dhe Diktatura”, i cili ka në fokus vitin 1933 dhe fillimin e regjimit nazist në Gjermani.
“Cili është ndryshimi midis kapjes së pushtetit dhe transferimit të pushtetit?" pyet Birkner, duke treguar terminologjinë në tabelë. Shumë duar janë ngritur lart, të gjithë kanë mundësinë të flasin.
“Marrja e pushtetit është kur e merr pushtetin me dhunë”, thotë një student. “Dhe transferimi i pushtetit është kur je i zgjedhur nga populli”, përgjigjet një tjetër. “Shumë e thjeshtë”, bërtet një djalë i tretë pas shpine, “ana e majtë - diktatura, ana e djathtë – demokracia”. Shumë nga shokët e tij të klasës tundin me kokë në shenjë dakordësie.
Edhe Inteligjenca artificiale dhe arsimi“Qëllimi është të shkojmë përtej ngjarjeve historike”, thotë Birthe Pater, kreu i departamentit të arsimit në arkivin “Arolsen”. “Nuk bëhet fjalë vetëm për atë që ndodhi gjatë epokës naziste, por edhe për të mundësuar të kuptuarit se cilat ishin çështjet sociale të kohës dhe cilat ishin hapësirat e njerëzve për veprim individual. Qëllimi është të motivohen studentët për të marrë pjesë në debate historiko-politike dhe për të zhvilluar një ndërgjegjësim për çështjet aktuale”.
Arkivat “Arolsen” janë arkivat më gjithëpërfshirëse në botë për viktimat dhe të mbijetuarit e nacionalsocializmit me informacione për rreth 17.5 milionë njerëz. Misioni i institucionit është të ndihmojë viktimat e persekutimit nazist dhe të afërmit e tyre për të sqaruar dhe ndriçuar fatet e tyre nëpërmjet kërkimeve. Ata gjithashtu zhvillojnë programe arsimore dhe bashkëpunojnë me shkolla në të gjithë Gjermaninë.
Karl Birkner zbaton metodën e mësimdhënies Engelchen-Teufelchen (fjalë për fjalë: engjëlli kundër djallit): “Kjo metodë i ndihmon pjesëmarrësit të formojnë gjykime të bazuara mirë. Kjo është një kompetencë thelbësore e rëndësishme për t'u bërë i rritur. Studentët duhet të mësojnë si të formojnë mendime ashtu edhe të bëjnë gjykime të arsyeshme të bazuara në fakte historike apo politike”.
Mësuesi e ndan klasën në gjashtë grupe. Secili person merr një kunj rrobash me një djall të vogël letre ose një engjëll të ngjitur në të. Djajtë e vegjël kanë për detyrë të gjejnë argumente në favor të marrjes së pushtetit, dhe engjëjt e vegjël duhet të gjejnë argumente kundër tij.
Pas një periudhe pune 15-minutësh, djajtë dhe engjëjt paraqesin argumentet e tyre para “njerëzve” (roli i tretë në lojë). Në fund, “njerëzit” vendosin se cila palë ishte më bindëse.
Kohëmatësi në tabelën digjitale po shënon, studentët përqendrohen teksa lexojnë shpjegimet e tyre, duke përmbledhur argumentet për rolet e caktuara. Atyre u jepet zgjedhja që të pyesin mësuesin ose të kërkojnë terminologji të panjohur në celularët e tyre, shumica zgjedhin të konsultohen me telefonat e tyre. Diçka të tilla si “SS” dhe “SA” shkruhen në tabelë dhe shpjegohen nga mësuesi.
Mësimi për Holokaustin është i detyrueshëm në të gjitha shkollat gjermane. Megjithatë, duke qenë se secili nga gjashtëmbëdhjetë shtetet federale të Gjermanisë është autonome në lidhje me kurrikulën arsimore, mënyra se si dhe në çfarë mase shkollat mësojnë për Holokaustin ndryshon në shkallë vendi.
Edhe
Pamundësia e zëvendësimit të librit nga teknologjia
“Pa mësimet e historisë, nuk do të dija asgjë për atë që ndodhi në atë kohë. As prindërit e mi nuk dinë aq shumë për këtë temë”, thotë një student në një intervistë pas klasës.
“Nga e kaluara vjen e ardhmja, historia ndikon në të tashmen tonë”, thotë një shok klase. Dhe nxënësi i ulur pranë tij shton: “Nëna ime më dërgon lidhje me dokumentarë që rekomandon një mik mësues”.
Niveli i njohurive për ngjarjet historike ndryshon, thotë Birkner: “Adolf Hitleri njihet nga shumica, termi nacional-socializëm gjithashtu. Disa prej tyre dinë edhe për Holokaustin, por njohuria është selektive dhe përmban shumë pika boshe”, ndan mësuesi.
Sipas Birknerit, të kesh një prejardhje emigrante nuk ndikon domosdoshmërisht në njohuritë e studentëve. Shkolla ndodhet në lagjen e larmishme të Kreuzberg të Berlinit, ku mësimet i ndjekin studentë me prejardhje të ndryshme.
“Kemi shumë studentë që janë shpërngulur së fundmi në Gjermani ose kanë lindur këtu, por prindërit e të cilëve vijnë nga jashtë. Kemi fëmijë që vijnë nga familje të pasura dhe fëmijë që kanë nevojë për mbështetje financiare nga shteti. Është shumë e larmishme”, thotë Birkner. “Ashtu siç e shoh unë, çështja nuk ka të bëjë aq shumë me vendin e origjinës së fëmijëve, por me atë se çfarë ata ekspozohen në shtëpi: a diskutohet historia dhe politika? Dhe nëse po, në çfarë mënyre? A inkurajohen fëmijët të zhvillohen jashtë shkollës apo jo? Kjo është gjëja thelbësore. Migrimi dhe faktorët socio-ekonomikë luajnë më pak rol”.
Birthe Pater nga Arkivat Arolsen ka një pamje të ngjashme. "Nga përvoja ime, nuk mund të konfirmoj supozimin se fëmijët nga familjet me prejardhje migrimi janë në vetvete më pak të interesuar ose kanë më pak njohuri. Sepse shpesh, kur pyet të rinjtë se ku ranë në kontakt për herë të parë me temën naziste, ata zakonisht thonë në shkollë ose në filma dhe vendi i tyre i origjinës ka më pak rëndësi."
Periudha 15-minutëshe e punës ka përfunduar dhe rezultatet prezantohen në klasë. Më pas mësuesi vizaton një vijë në tabelë: në njërën anë shkruan “kapja e pushtetit”, nga ana tjetër “transferimi i pushtetit” dhe në mes është “arritja e pushtetit”.
Edhe
Libri në “raport të tensionuar” me nxënësit dhe mësimin
Çdo student tani mund të vendosë se si i sheh ngjarjet e vitit 1933, pas asaj që ka mësuar sot. Shumica e votave luhaten midis marrjes së pushtetit dhe arritjes së pushtetit.
Bie zilja dhe mësimi dyorësh i historisë ka përfunduar. Për më tepër, “shkolla ka mbaruar për sot sepse kemi një konferencë mësuesish”, njofton Karl Birkner. Brohoritjet janë aq të forta, sa zilja mezi dëgjohet.