“Ndërmjet kurrikulës dhe librit shkollor: kush e udhëheq mësimin?”, ka qenë tema e diskutimit në Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, e cila ka mbledhur studiues e mësimdhënës për të reflektuar për një prej dilemave më të rëndësishme të sistemit arsimor. E, ato janë të shumta. Në qendër të diskutimit ishte raporti shpesh “i tensionuar” ndërmjet kurrikulës dhe tekstit shkollor
Ndër ngjarjet e pakta jashtë shkollave të kryeqytetit që kanë shënuar Ditën Botërore të Librit për Fëmijë, ajo e organizuar nga organizata “ETEA” në Prishtinë, është fokusuar në problematikën e sistemit arsimor në vend. Në një ditë që synon të nxisë dashurinë për leximin te fëmijët, është konstatuar se vendi ka probleme të theksuara në shkollimin elementar.
Çdo vit, më 2 prill, shënohet ngjarja që përkon me datën e lindjes së shkrimtarit të shquar e të dashur të librave për fëmijë, danezit Hans Christian Andersen. E titulluar “Ndërmjet kurrikulës dhe librit shkollor: kush e udhëheq mësimin?”, paneli u mbajt në qendrën “Libart” në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, duke mbledhur studiues e mësimdhënës për të reflektuar për një prej dilemave më të rëndësishme të sistemit arsimor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE, ato janë të shumta. Në qendër të diskutimit ishte raporti shpesh “i tensionuar” ndërmjet kurrikulës dhe tekstit shkollor.
Profesoresha në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Arlinda Bytyqi-Damoni, ka thënë se rezultatet e dobëta të nxënësve në shkencë kanë qenë një shtysë e rëndësishme për kërkimet e saj.
“Hulumtimet e mia i kam bazuar në atë fakt për t’i parë këto mangësi. Përkundër 26 vjetëve tendencë, rezultateve, kemi rënie dhe kjo ka bërë që të zhvillojmë hulumtime. Pa dyshim se kurrikula është shtylla, mirëpo në qoftë se e zbërthejmë, duhet të kemi kujdes, sepse asnjëherë nuk duhet parë libri si burim i vetëm dhe as në kurrikulë nuk shihet si i tillë. Nëse e shohim, kurrikula parasheh zhvillimin e shkathtësive të shekullit të 21-të”, ka thënë ajo.
Sipas profesoreshës Bytyqi-Damoni, në praktikën shkollore rezultatet janë përtej asaj që parasheh kurrikula.
“Është diçka që synon dhe që pastaj e vendos në pah, sepse është e bazuar në kompetenca. E kompetenca zbatohet në rezultate të të nxënit. Rezultatet e vogla të nxënësve në shkencë më kanë shtyrë të hulumtoj për këtë. Për t’i arritur dy nivelet që përcakton PISA, duhet të përfshihet natyra e shkencës. Çka ka dalë prej rezultateve të hulumtimit: se përkundër që kurrikula jonë e ka për synim të përgatisë nxënësit për të nxënit, del se prej këtyre kategorive fokusin e ka më shumë në shkathtësitë praktike. Dhe këto njohuri janë shumë të fragmentuara te nxënësit”, ka thënë ajo më tej.
I moderuar nga Zjarr Bujari në diskutim u sollën perspektiva të ndryshme, duke nisur nga analiza shkencore e deri te përvojat konkrete në klasë. Bujari ka theksuar çështjet infrastrukturore.
“Ka mungesë të laboratorëve adekuatë për të zhvilluar praktikën dhe ndoshta nuk është çështje vetëm libri”, ka thënë Bujari.
Në përgjigjen e Bytyqi-Damonit, në lidhje me këtë theksohet se problemi është edhe më i thellë.
“Edhe në raste kur ka laboratorë, nuk punohet pjesa praktike”, ka thënë ajo.
Ismet Potera, doktor shkence në edukim, ish-drejtor dhe hulumtues në Institutin Pedagogjik të Kosovës, ka kritikuar varësinë tradicionale nga teksti shkollor.
“Kur flasim për raportin kurrikulë – tekst shkollor duhet ta kemi parasysh se mësimdhënësi ynë është mësuar që planin dhe programin ta ketë pikërisht atë që e ka në tekstin shkollor. Është krijuar njëfarë tradite e konsiderimit të tekstit shkollor si gjithçka. Madje deri vonë mësimdhënësit nuk e kanë shfletuar tekstin e fatkeqësisht disa prej tyre edhe sot nuk e kanë idenë për kurrikulën”, ka thënë ai.
Potera është një nga hartuesit e kurrikulës shkollore. Ka theksuar se në të ka paqartësi të theksuara dhe mungesë koordinimi me tekstet shkollore.
“Tekstet i kemi të hartuara ndryshe që janë burim informacioni, ndërsa kurrikula kërkon diçka tjetër. Tash kemi dilema. Sa kemi arritur ta përdorim tekstin shkollor si burim për t’i zhvilluar rezultatet e të nxënit është çështje që ende duhet të diskutohet”, ka theksuar ai.
Por, sipas Poterës, kjo shpërputhje ka edhe përparësi.
“Kjo shpërputhje ka një përparim. Por ende mbetet dilema se a duhet mësimdhënësit ta lexojnë fillimisht kurrikulën e pastaj ta marrin tekstin shkollor dhe të shohin se cilat materiale i duhen nga teksti dhe cilat duhet t'i shfrytëzojë ekstra. Unë asnjëherë nuk i akuzoj mësimdhënësit, por janë në njëfarë vorbulle që çdo ditë kërkohet diçka prej tyre. Mendoj që autonomia e mësimdhënësi ende është e ngufatur”, ka vazhduar ai, duke thënë se historikisht kurrikula nuk është koncept i ri.
Sipas Poterës, “kurrikula dhe librat janë dokumente të vdekura nëse nuk zbatohen”. Në diskutim ka thënë se trajnimin e mësimdhënësve për kurrikulë e kanë marrë përsipër ata që vetë nuk e dinë kurrikulën.
Në një plan më praktik, autorja e mësimdhënësja në shkollën fillore “Elena Gjika”, Blerta Zeqiri-Hasani, solli përvojën e drejtpërdrejtë nga klasa, duke vënë në pah sfidat e zbatimit të kurrikulës në mungesë të teksteve të përshtatshme dhe përgatitjes adekuate.
“Krahasuar me vitet e kaluara, është një mësimdhënie ku përdorim platforma të ndryshme. Nëse flasim për marrëdhëniet ndërmjet kurrikulës dhe tekstit shkollor, ajo duhet të jetë një marrëdhënie e ngushtë, por jo e barabartë. Të gjitha njohuritë që marrin nga format e tjera jashtë tekstit, atëherë duhet të jenë në qëllim të arritjes së kurrikulës. Ka 9 vjet që ka nisur zbatimi i saj”, ka thënë ajo duke kujtuar se mësimdhënësit shpreheshin se do ta zbatonin kurrikulën pa e pasur as programin.
“Para 9 vjetësh kemi mbajtë trajnimin, kur nga ne kërkohej të fillonte vlerësimi. Në anën tjetër, kishim trajnimin pesëditor. Në atë trajnim mbaj mend që shumë pak kishim marrë njohuri për kurrikulën. Librat nuk ishin ende. Ata as vetë nuk e kuptonin atë”, ka thënë më tej Zeqiri-Hasani. Sipas saj, “vit pas viti është bërë lëmsh kurrikula”.
“Ndoshta edhe për shkak të ndërrimit të shpeshtë të qeverive ku kurrikula nuk është rishikuar. Nga viti 2016 nuk është bërë asgjë. Shpesh rezultatet janë sikur me ‘Google Translate’”, ka thënë ajo duke vlerësuar se kërkesat në kurrikulë për nxënësit e rinj janë të papërshtatshme për moshën e tyre.
Sipas saj, nxënësit tash duan t’i marrin informacionet shkurt dhe se nuk kanë durim.
“Kështu që mësimdhënësit duhet ta bëjnë orën atraktive”, ka thënë ajo.
Kjo ngjarje e shënuar në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë nuk ishte thjesht një festë e librit, por një thirrje për reflektim kritik. Se a është libri një mjet në shërbim të të nxënit, apo një autoritet që e kufizon atë.