Pse mësohemi me luftëra, kriza politike, analfabetizëm funksional, por jo me perëndimin e diellit?
Kur e fillova gazetarinë, një rregull i pashkruar evropian ishte që gjatë verës të kishte më shumë “tema të lehta”. Supozimi, më shumë instinktiv sesa prodhim i ndonjë analize me konstatime empirike, ishte se në korrik e gusht njerëzit duan të lexojnë diçka më frymëzuese sesa lajmet për kriza, luftëra e përplasje politike. Dhe kështu, në vend të analizës për krizën ekonomike që do të godiste xhepin e qytetarëve në vjeshtë, rekomandohej reportazhi për mënyrën se si ishin zgjedhur në plazhet e Kroacisë vijat e padukshme që ndanin pjesët nudiste nga pjesët ku turistët mbanin rroba banje. Në vend të luftës sovjetike në Afganistan dhe financimit amerikan të muxhahedinëve, vend do të zinin vendndodhjet e pushimeve të artistëve të famshëm; e në vend të përgatitjeve për ndonjë konferencë a Kongres të Partisë, vend të spikatur do të kishte prodhuesi i bostanit më të rëndë në vend.
Më ra në mend ky rregull i pashkruar ndërsa përgatisja shkrimin javor dhe kisha tashmë listën e gjërave të cilat i kisha përcjellë në botime të ndryshme (elektronike) dhe për të cilat kisha një mendim.
Të shkruaj për luftërat, gjegjësisht për mënyrën se si mësohemi me to? Ja, në Ukrainë kemi hyrë në vitin e pestë të luftës pushtuese ruse. Edhe lufta amerikano-izraelite kundër Iranit ka kaluar pesë muaj. U mësuam me pamje dronësh, raketash balistike, shkollash e apartamentesh të shkatërruara - natyrisht, edhe me shndërrimin e njerëzve të vrarë në statistikë. U mësuam edhe me çmimet më të larta të energjisë.
Të shkruaj për krizën politike në Kosovë, gjegjësisht për mënyrën se si u mësuam të dëgjojmë çdo ditë e natë analiza në televizione dhe të lexojmë në mediet sociale se si mendojnë e si do të veprojnë kryetarët e partive, deputetë të veçantë apo njerëz që i përkasin njërit a tjetrit rajon? Se si mendjet e errëta të partisë tjetër janë duke zbatuar plane makabre kundër partisë që simpatizojmë?
Të shkruaj për forcimin e lekut në Shqipëri dhe për mënyrën se si jemi mësuar ta shpjegojmë me dy të vërteta që paraqiten si përjashtuese: ose ekonomia e Shqipërisë është forcuar, ose valutën e sjell narkotrafiku, duke krijuar kërkesë artificiale për lekë? Të jemi të mësuar sikur realiteti të mos mund t’i mbante të dyja njëkohësisht?
Të shkruaj për hyrjen tonë nga njëri revolucion teknologjik në tjetrin, nga revolucioni digjital në atë të inteligjencës artificiale, ndërkohë që shumica dërrmuese e fëmijëve nën moshën pesëmbëdhjetëvjeçare nuk e kuptojnë tekstin që lexojnë? Të shkruaj për mënyrën se si jemi mësuar të shpresojmë se do të dalë një mjet teknologjik - dikur ishte kompjuteri personal, tash IA-ja - që përnjëherë do ta zhdukë injorancën kolektive dhe do të na bëjë të dijshëm, secilin prej nesh veç e veç?
Apo, ndoshta, të mbetem te rregulli i pashkruar i asaj kohe dhe të ndalem te lindja e perëndimi i diellit dhe te mahnitja jonë me to. Dielli lind dhe perëndon çdo ditë dhe, gjatë jetëve tona, këtë e kemi parë aq shpesh sa nuk mund t’i japim një numër. E megjithatë, për dallim prej të gjitha krizave e problemeve që i numërova, nuk arrijmë të mësohemi me lindjen dhe perëndimin e diellit. Paradoksi është se mësohemi me atë me të cilën nuk do të duhej të mësoheshim - luftën, krizën, padijen - ndërsa nuk mësohemi dot me atë që përsëritet çdo ditë. Kur shohim lindjen apo perëndimin e diellit, përjetojmë atë që psikologia Jennifer Stellar e Universitetit të Torontos e quan “awe” - mahnitje përballë diçkaje që e tejkalon përmasën tonë. Një studim i Universitetit të Exeterit tregoi se lindja dhe perëndimi e shkaktojnë këtë emocion dukshëm më shumë sesa i njëjti peizazh nën një qiell të zakonshëm të kthjellët.
Edhe Të shkruash kolumne me AILuftërat në Ukrainë e Iran i shpjegojmë me interesa, territore, ideologji e baraspesha fuqish; krizën në Kosovë me ristrukturim thelbësor të jetës politike dhe me ambiciet e veçanta politike; forcimin e lekut me ekonominë formale dhe atë të nëndheshme. U gjejmë shpjegime dhe, duke i shpjeguar çdo ditë, mësohemi me to. Perëndimin e diellit nuk arrijmë ta shpjegojmë, atë e përjetojmë si mahnitje. Përballja me të është përballje, sipas dr. Stellarit, me diçka që na duket shumë më e madhe se vetja - në madhësi, fuqi, kohë, bukuri apo kompleksitet - dhe që del jashtë mënyrës sonë të zakonshme të të kuptuarit.
Ky emocion prodhon atë që studiuesit e quajnë “small self” - “vetja e vogël”. Jo vetja e nënçmuar apo pa vetëvlerësim, por vetja që, për një çast, pushon së menduari se është masa e çdo gjëje. Njeriu e ndien veten pjesë të një tërësie më të madhe dhe, sipas studimeve, bëhet më i hapur ndaj të tjerëve, më bujar dhe më i gatshëm për bashkëpunim.
Ndoshta kjo është dobia e perëndimit të diellit: nuk na lejon të mësohemi plotësisht me botën. Na e zvogëlon veten për aq sa të shohim diçka më të madhe se interesat, frikërat dhe luftërat tona. Dhe ndoshta ky është fillim i mirë i fundit të një dite, dhe fundi i duhur i një shkrimi me rregullat e pashkruara të shekullit të kaluar.