Kulturë

“Libërthi i dashurisë” i Kosovës i refuzuar në Serbi, flet bullgarisht

“Libërthi i dashurisë”

“Libërthi i dashurisë” përkthyer në bullgarisht nga Ekaterina Tarpomanova, botuar nga shtëpia botuese “Perseus” në Sofje, sjell imazhe nga jeta e njeriut bashkëkohor në Kosovën e pasluftës që përjeton revolucione shoqërore, politike e teknologjike

Ka rreth pesë vjet që ishte negociuar që “Libërthi i dashurisë” i Shpëtim Selmanit të përkthehej në bullgarisht, e botimi i tij erdhi tek tash. Ishte gati punë e kryer edhe botimi në serbisht, por ka dy arsye për refuzimin e tij. “Në gjuhën serbe ka dështuar, sepse njëra prej shtëpive botuese së cilës ia kam dhënë të drejtat autoriale, në moment të fundit kanë thënë se nuk po arrijnë të gjejnë mjete, se askush nuk e financon. Edhe fakti që unë jam nga Kosova, ka qenë shumë problematike”, ka thënë Selmani, përderisa botimin në Bullgari e konsideron sukses në një kohë “që nuk është e librit dhe e letërsisë”

Tregimet e shkurtra të Shpëtim Selmanit për jetën e tij si shkrimtar në Ballkan, për dashurinë e tij të madhe dhe jo vetëm, kanë zgjeruar më tej perimetrin e lexuesit. 

“Libërthi i dashurisë” është përkthyer në gjuhën bullgare nga shtëpia botuese “Perseus” në Sofje. Përkthyer nga gjuhëtarja bullgare Ekaterina Tarpomanova, libri në prozë vjen gati pesë vjet prej marrëveshjes së shkrimtarit Selmani me shtëpinë botuese. Parashihej që “Libërthi...” të përkthehej edhe në serbisht, por kjo gjë ka dështuar për shkak se “askush nuk e financon” botimin e tij. Ka edhe një tjetër arsye: shkrimtari është nga Kosova.  

Libri sjell imazhe nga jeta e njeriut bashkëkohor në Kosovën e pasluftës që përjeton revolucione shoqërore, politike e teknologjike. Vepra me elemente poetike me 33 tregime të shkurtra me të cilën Shpëtim Selmani në maj të vitit 2020 qe laureat i Çmimit Letrar të Bashkimit Evropian është i shkruar në mënyrë fragmentare, në formën e mozaikut. Aty janë takimet e autorit në Prishtinë, Tiranë, Beograd, Leipzing dhe Berlin. 

“Libërthi...” është i pari i Selmanit në bullgarisht.

“Çdo përkthim është i rëndësishëm, pa marrë parasysh në çfarë gjuhe. Gjithmonë kur përkthehet në një gjuhë tjetër, është mirë që libri të komunikojë me lexuesit e gjuhëve të tjera. Është e rëndësishme për çdo autor. Është libri i parë në bullgarisht”, ka thënë ai. 

Ka bërë të ditur se marrëveshja për përkthimin e librit është bërë menjëherë pasi ka fituar Çmimin e Bashkimit Evropian. 

“Ka vite që unë hoqa dorë, nuk e dija çfarë ndodhte pasi ai mori të drejtat e botimit. Por sigurisht kanë qenë politikat e tyre të botimit. Nuk është se janë konsultuar me mua, sidomos përkthyesja, nuk më ka kontaktuar asnjëherë”, ka thënë ai. 

Selmani ka bërë të ditur se me të njëjtën shtëpi botuese është në kontakt për ta botuar edhe “Shënimet e grindavecit”.  Por sipas tij, kjo kohë nuk është ajo e librit. 

“Nuk po më duket se është koha e librit, nuk është koha e letërsisë. Unë kënaqem kur libri lexohet në italisht dhe në gjuhë tjetra dhe më kontaktojnë. Më vjen shumë mirë. Është shumë e rëndësishme për secilin autor kjo”, është shprehur ai në një bisedë për KOHËN. 

Ka thënë se letërsia është duke shkuar në krizë të thellë të prodhuar nga politika. 

“Kudo, jo vetëm në Kosovë, është një krizë e leximit. Njerëzit nuk janë më shumë të interesuar dhe të fokusuar përgjithësisht në letërsi dhe në art. Bota është duke shkuar në një krizë shumë të thellë që është prodhuar prej politikanëve, prej politikave”, ka thënë Selmani. 

Shpëtim Selmani: “Kudo, jo vetëm në Kosovë, është një krizë e leximit. Njerëzit nuk janë më shumë të interesuar dhe të fokusuar përgjithësisht në letërsi dhe në art. Bota është duke shkuar në një krizë shumë të thellë që është prodhuar prej politikanëve, prej politikave”
 

Selmani ka studiuar për sociologji e aktrim në Universitetin e Prishtinës. Përveçqë shkruan poezi dhe prozë, ai rregullisht luan në shfaqje teatrore. Kohëve të fundit, pos skenës teatrore, është edhe një prej aktorëve më të angazhuar edhe në film.

Ka botuar librat “Shënimet e një grindaveci” (2016) si dhe “Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit” (2010-2017). 

Në maj të vitit 2020, pikërisht me veprën “Libërthi i dashurisë”, u shpall laureat i Çmimi Letrar i Bashkimit Evropian, bashkë me 12 shkrimtarë të tjerë. Kishte thënë se kjo përzgjedhje ka bërë që të hapet një derë e re, ku mund të shihet skena kulturore e vendit së cilës nuk i mungojnë vlerat evropiane.

Në fund të vitit 2021, “Libërthi...” u botua në gjermanisht nga shtëpia botuese “Parasitenpresse”, përkthyer nga Zuzana Finger, gjithashtu edhe në gjuhën frënge ku vepra është përkthyer nga Festa Camaj-Molliqaj. Po ky libër u përkthye edhe në maqedonisht. Ndërsa librat e tij të tjerë si “Balada e buburrecit”, është përkthyer në italisht, ndërsa “Manifesti i mbijetesës” në gjermanisht. 

Botimi në shqip i “Libërthit...” përshkruhet si rrëfim i cili fillon me narratorin duke reflektuar mbi rutinën e tij të përditshme dhe vazhdon me atë duke menduar për një numër të temave nga ato mundane deri ato botërore dhe shpirtërore, duke prekur nga fragmente prej të kaluarës dhe të tashmes, e mbi çështje me rëndësi lokale e globale. 

“Më vonë, narratori përzien monologët e tij të brendshme me një fokus në të dashurën e tij dhe shtatzëninë e saj, dhe ai e demonstron transformimin e tij në përgatitje për tu bërë prind. Ai reflekton mbi relacionin me vet babanë e vet mbi lidhjen e tij me letërsi dhe nacionalizëm, konsumerizëm dhe -izma të tjera. Ndjenja e të lindurit një krijesë të re e bën narratorin të mendojë për preokupimet e tij prej një këndi të ri dhe të ndryshëm. Rrëfimi mbyllet me aktin e emërimit të të birit të sapo lindur, duke aluduar në fuqinë e referencimit që ka gjuha”, shkruhet në përshkrim. 

Shpëtim Selmani ka thënë se të përkthesh një libër, është si ta shkruash, sa i përket përgjegjësisë. 
“Nuk jam njohur me përkthyesen, por kam dëgjuar nga disa autorë në Shqipëri se është përkthyese shumë e mirë. Me sa e di, ajo ka përkthyer edhe më herët libra shqip-bullgarisht dhe bullgarisht-shqip. Kur përkthehet libri në një gjuhë tjetër, një pjesë e mirë e librit i takon përkthyesit/es. Në këtë rast bie një barrë dhe përgjegjësi shumë e madhe. Është gati si ta shkruash sepse për një fjalë ndërron konteksti”, ka thënë Selmani. 

Përkthyesja e “Libërthit të dashurisë”, Ekaterina Tarpomanova, u lind në Plovdiv të Bullgarisë dhe u diplomua për Studime Ballkanike në Universitetin e Sofjes ku mësoi gjuhët e Unionit Gjuhësor Ballkanik – shqip, greqisht dhe rumanisht, përveç gjuhës së saj amtare. Ajo është profesoreshë e asociuar e gjuhësisë në të njëjtin universitet. 

Sipas biografisë së Tarpomanovas, në kërkimin e saj ajo fokusohet në konvergjencën e gjuhëve ballkanike, duke besuar se ngjashmëritë gjuhësore janë pasqyrim i afërsisë së thellë sociale dhe kulturore të popujve ballkanikë. 

Aty shkruhet se interesat e saj shkencore e ndihmojnë atë në pasionin e saj për përkthimin e autorëve bashkëkohorë ballkanikë dhe popullarizimin e veprës së tyre në Bullgari.

Shtëpia botuese “Perseus” e ka konsideruar veprën e Selmanit si libër personal për autorin, për reflektim dhe meditim për poezinë, për identitetin dhe për rolin e tij në shoqëri. 

“Për një artist dhe poet 30-vjeçar nga Kosova e pasluftës, e tillë është lindja e fëmijës së parë. Rrëfimtari tregon transformimin e vet, ndërsa përgatitet të bëhet prind. Ai reflekton mbi marrëdhënien me të atin, lidhjen me letërsinë dhe me nacionalizmin, konsumerizmin dhe gjëra të tjera. Ndjenja e lindjes së një qenieje të re e nxit atë të shikojë ekzistencën e tij nga një kënd i ri dhe i ndryshëm”, shkruhet në njoftimin e shtëpisë botuese. 

Por mbi të gjitha, “Perseus” i referohet si një libër për dashurinë. 

“Ka disa momente të mëdha në jetën e një personi kur gjithçka kthehet përmbys, kur vetëdija juaj ju nxit të rivlerësoni jo vetëm veten por edhe botën ku jetoni”, shkruhet aty. 

Po kjo shtëpi botuese, ka botuar edhe “Shënimet e Krimbit Smolinski” të Azem Deliut, përkthyer nga Tarpomanova. 

Selmani në bisedat me KOHËN pati bërë të ditur se “Libërthi…” do të përkthehej edhe gjuhën serbe.

Por ka bërë të ditur se kjo gjë ka dështuar. 

“Serbia ka dështuar, para tri-katër vjetësh dhe më nuk është marrë askush me atë punë”, ka bërë të ditur ai, duke përmendur ndikimin e politikës. 

“Në gjuhën serbe ka dështuar sepse njëra prej shtëpive botuese së cilës ia kam dhënë të drejtat autoriale, në moment të fundit kanë thënë se nuk po arrijnë të gjejnë mjete, se askush nuk e financon. Edhe fakti që unë jam nga Kosova, ka qenë shumë problematike. Ma ka përmendur edhe vetë botuesi i asaj shtëpie botuese, ka thënë se ‘fakti që je nga Kosova, nuk është se ka gatishmëri të bëhet’”, është shprehur autori Shpëtim Selmani. 

Ai ka bërë të ditur se është ftuar që në qershor të prezantojë poezinë e tij në teatrin e qytetit Osnabrück në Gjermani. 

“Zakonisht poezitë m’i përkthejnë në magazina letrare. Së fundi është përkthyer një përmbledhje e mirë e poezive në një revistë të letërsisë alternative në Greqi – ‘Teflon’ – dhe zakonisht me poezi më thërrasin nëpër evente kulturore. Në qershor parashihet të shkoj në teatrin e Osnabrück në Gjermani. E kam marrë një ftesë për t’i lexuar poezitë e mia bashkë me aktorët e teatrit”, ka thënë Selmani.