Festivali i Këngës në Kosovë, i mbajtur në tetorin e vitit të kaluar, ka hyrë në histori me fituesin e edicionit të parë, La Fazani, me këngën “Oj Kosovë”. Pas bujës që shkaktoi kjo këngë, tani iu bashkua dhe videoklipi me karakter të njëjtë ironik që krahas dëgjimit, tash satirizon edhe vizualisht në sinkron me vargjet
Praktika e promovimit të videoklipeve muzikore në Kosovë, ka kohë që është venitur. Të mblidhesh në një koktej rasti për të parë një lansim të një videoje e cila paraqet një këngë është një aktivitet i pazakontë tashmë. Artistet duket se i kanë rënë në fije lansimit të këngëve duke u mjaftuar vetëm me një njoftim disasekondësh nëpër rrjete sociale se kënga lansohet në platformat online. Nga prodhimtaria e vrullshme e industrisë muzikore, rezulton se një zakon i tillë nuk vazhdon si shkak i disa faktorëve, ku prin konsumimi i shpejtë dhe interesimi i vakët karshi ngjarjeve te tilla.
Por, këngëtari Arbër Salihu, i njohur ndryshe dhe me emrin artistik, La Fazani, solli sërish promovimet e klipeve në një ambient kafenesh në skutat e Prishtinës si dikur, në një atmosferë nostalgjike të viteve ‘90 e 2000, të premten mbrëma me promovimin e videoklipit të këngës fituese të edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, “Oj Kosovë”, në tetorit e vjetëm. Karakteri parodizues i këngës, tashmë me video, krijon ndjesinë e prodhimeve të video-kasetave si detaj kult i skenës argëtuese të Kosovës së çerekshekulli më parë.
“Oj Kosovë” i këndon dashurisë së sinqertë për vendin, me kritika që transmetojnë me shkathtësi nuanca ironie, qëndron larg nga muzika tradicionale nga e cila pritet që të mbahet titulli “këngë fituese”, e aq më pak i një fitueseje të një festivali historik në vend. Publiku i ndarë në dysh pas bujës që bëri me të përfunduar finalja e 28 tetorit, tashmë duket se po e pret mirë atë. La Fazani, i cili njëherësh është dhe kompozitor dhe tekstshkrues i këngës triumfuese, përmes saj sjell një kombinim të shpirtit kreativ që mbështetet te përpjekjet e rrezikshme për t’iu larguar normave komerciale të kohëve të fundit në muzikë. E me guximin e njëjtë, ka vepruar dhe me videoklipin e “Oj Kosovë”.
Para se të jepej premiera e videoklipit, në një paraqitje nonshalante e cila ishte si rezultat i punës së sinqertë si me këngën, njëjtë dhe me videon, pa modesti ai u shpreh se “kënga e kaloi La Fazanin dhe u bë këngë e Kosovës”, tek sa përshëndeti bashkëpunëtorët e këtij projekti dhe Radiotelevizionin e Kosovës, për të ftuar pastaj të pranishmit ta shihnin punën e tyre.
Montazhet e thjeshta ishin detaji karakterizues i videoklipit nën regjinë e Likana Canës. Krahas tekstit me vargje të pasura thumbuese, i njëjti vrull përkthehet dhe në kuadrot e këtij prodhimi vizual që nis me paraqitjen e këngëtarit teksa ia thotë vargjeve të para të këngës: “Mirmrama t’dashtun spektator, shumë urime për spektaklin jashtëtokësor...”.

Aty shfaqen elemente të ndryshme që ironizojnë me gjendjen aktuale në Kosovë e fatet e saja që e kanë përcjellë kaherë. Trofeu që mori artisti pasi u shpall fitues, në video, futet në kafaz, me duar bëhet shqiponja te kontejnerët plot me mbeturina. Tymi si karakteristikë për peripecitë me cilësinë e ajrit, me të cilat ballafaqohet vendi tash e sa kohë, shfaqet herë me ambiente të mjegulluara e herë me pamje të termocentraleve në Obiliq. Pjesë e montazheve të shpejta janë dhe pamje areale të qyteteve të ndryshme të Kosovës, kullave tradicionale e monumentit NEWBORN. Ujëvara e Mirushës, Shpella e Gadimes, procesi i gatimit të flisë zënë vend në katër minutat e videoklipit, si promovim i natyrës e traditave, por i bërë kitsch, si për ta vazhduar vallen e ironisë në këngë. Peizazhet e ndryshme natyrore me kullosa ndeshen me paraqitjet e vetë këngëtarit si subjekt i prerë e i vendosur mbi ato pamje, teksa bën lëvizje që i karakterizojnë paraqitjet statike skenike, emblematike të viteve 2000. Ironizohet dhe me komentet negative që kishte marrë kënga pasi u zgjodh fituese.
Frustrim Gashi, del si karakteri fiktiv i luajtur nga vetë Arbër Salihu, duke komentuar përmes tastierës plot mllef e pakënaqësi për këngën. Një përshkrim i denjë për “luftëtarët e tastierave”, personazh ky i epokës së rrjeteve sociale.
Videoklipi i këngës "Oj Kosovë” nga La Fazani sjell një frymë të re dhe një atmosferë retro duke i shtuar dimensione të reja përdorimit të efekteve vizuale si shprehje artistike. La Fazani dhe Likana Cana zgjodhën një rrugë ndryshe duke i dhënë prekje autentike projektimit të tyre artistik.
“Jemi shumë të lumtur që ndodhi kjo natë, është moment i rëndësishëm pasi që këtë projekt e kemi shumë për zemër. Nuk është veç i joni, është kënga fituese e festivalit, kemi qenë një ekip më i madh se sa jemi mësu zakonisht”, ka thënë La Fazani duke folur me admirim dhe për punën Likana Canës duke e quajtur si punë të mrekullueshme.
Ndërkaq për regjisoren e videoklipit, Likana Cana, ky videoklip është më shumë se aq.
“Ka qenë shumë proces interesant dhe i bukur me e pa Arbërin duke e fitu festivalin ma së pari, është sendi më i bukur që kam mujt’ me përjetu por, gjithashtu me e pasë mundësinë me sjellë atë ndjenjë që e kam përjetu në realitet duke e bërë regjinë e klipit”, ka thënë Cana. Puna për videoklip ka thënë ta ketë ndihmuar të reflektoj rreth raportit me vendin e saj, Kosovën.
Publiku, i pranishëm në këtë promovim e priti atë me shumë duartrokitje dhe duke insistuar që video të shikohej nga e para për disa herë radhazi.
“Mezi po pres me shku në shtëpi dhe me e rishiku kur të dalë në YouTube. U kënaqa shumë dhe përtej talentit, Arbëri dhe Likana, të dy janë shumë kreative dhe shembulli më i mirë i rinisë tonë, i ndryshimit të frymës së re që po e sjellin”, ka thënë Albulena Kryeziu-Bokshi, aktore e pranishme në promovim, e cila gjithashtu e vlerësoi këtë projekt si shpresëdhënës për artin në Kosovë.
VIDEO: