Kënga “Oj Kosovë” është fituesja historike e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Këngëtarit Arbër Salihu, i njohur artistikisht si La Fazani, i është dhënë trofeu me simbolin e Kosovës që shkëlqen si dhe medaljoni me shqiponjën e flamurit kombëtar. Ka marrë edhe Çmimin e Kryeqytetit. Kënga që flet për dashurinë për vendin, por edhe ironinë e gjendjes aktuale në të njëjtën kohë hyn në historinë e festivalit të këngës së mirëfilltë shqipe.
“Dashuria e sinqertë është aty, por definitivisht ka sa të duash kritikë për gjendjen tonë si shoqëri”, ka thënë Salihu për KOHËN. Në këngë, është realist. “Se cilindo vend unë sonte me fitu, e di që në ‘Eurosong’ unë s’kam me këndu”, këndon ai pas artilerisë së kritikave për hajni e çka jo tjetër.
Sipas tij, vetë pjesëmarrja në Festival është e rëndësishme.
“Për mua nuk ka qenë me rëndësi të shkoj në ‘Eurovision’, as të fitoj nuk ka qenë me rëndësi. Vetëm të marrë pjesë në Festival. Kam dashur të kontribuoj, të sjell një frymim që është stili që e kam kontribuar”, ka thënë kantautori Salihu, i cili e ka realizuar muzikën dhe tekstin e këngës fituese të edicionit të parë të Festivalit të Këngës.
Çmimi është ndarë nga kryeministri Albin Kurti.
“Kaq shumë energji e bukuri për më shumë se dy orë, përjetim i paharrueshëm dhe përvojë e veçantë besoj për secilin prej nesh që ishte këtu”, ka thënë kryeministri Kurti para se t’i jepte çmimin La Fazanit.
Çmimin e dytë e ka marrë “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, ndërsa të tretin Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”.
Në edicionin e parë u nda edhe Çmimi i Orkestrës, të cilin e mori Saranda Alija me “Mendoj ku je”.
Përzgjedhjen e ka bërë juria vlerësuese e Festivalit e përbërë nga këngëtarja Alma Bektashi, artistja Zake Prelvukaj, kantautori Alban Nimani, kompozitori Adrian Hila dhe këngëtarja suedeze, Ulja Sjostrom.
Të shtunën mbrëma kanë interpretuar gjithsej dhjetë këngë të kualifikuara në finale: “Ajo”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, Arbër Salihu me “Oj Kosovë”, “Urban Band” me “Ëndrrat s’kanë faj”, Nita Latifi me “Marrëzi” nga Neki Emra me “Heroi im”. Në finale janë kualifikuar gjithashtu edhe Hilmi Obertinca me këngën “Pa ty s’më rrihet”, Saranda Alija me “Mendoj ku je” dhe Klea Dina me këngën “Trenat”. Ata u kualifikuan të premten mbrëma në gjysmëfinale.
Tri netët e Festivalit ishin spektakël për publikun e pranishëm e spektatorët. Veçmas hapja e ngjarjes, programi i së cilës gërshetonte muzikën me historikun e RTK-së. Festivali zhvilloi aktivitetin ani pse fituesi nuk do të ketë për adresë skenën e garës evropiane të muzikës “Eurovision” që organizohet nga Unioni i Transmetuesve Evropianë.
Drejtori i saj, Noel Curran, i është drejtuar publikut në natën e parë nëpërmjet një video-mesazhi.
“Ngjarje fantastike që shpresoj të sjellë shumë gëzim e lumturi, argëtim për të gjithë. E di që po mbahet në një ndërtesë që është djegur para shumë vjetësh dhe është bukur të shohësh atë ringjallje kulturore që bëhet në atë objekt dhe jam i bindur që po bën jehonë në gjithë Prishtinën”, ka thënë ai mes tjerash në video-mesazh.
Pas hapjes së “portave” të skenës në secilën natë, introja e ngjarjes ishte dedikimi për nismëtarët e melosit të këngës shqipe dhe artistëve të tanishëm.
Në natën e dytë janë prezantuar institucionet e vendit e skena artistike. I gjithë publiku në sallë është ngritur në këmbë në shenjë respekti për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë të Kosovës. Janë promovuar edhe sporti e kinematografia, veçmas sukseset e kësaj të fundit. Befasia ka qenë interpretimi i këngës debutuese të Shqipërisë më 2004 në “Eurovision” – “Image of you” e Anjeza Shahinit. Me këngë gjithashtu është kujtuar krijimtaria e Vaçe Zelës, Nexhmije Pagarushës, Muharrem Qenës e Jusuf Gërvallës.
I fundit festivali që pati Kosova qe “Akordet e Kosovës” – festivali prej më të vjetërve dhe më të shquar të muzikës – që kishte nisur rrugëtimin në vitin 1963 dhe kishte ndërprerë rrugëtimin më 1995 si pasojë e rrethanave të kohës. Por organizatorët s’e lidhin Festivalin me “Akordet...”.