Kulturë

Dhjetëshja finaliste e Festivalit të Këngës – mozaik i tradicionales me modernen

Descriptive Text

Nata e dytë e edicionit të parë të Festivalit të Këngë në Radiotelevizionin e Kosovës ka nxjerrë dhjetë finalistët e si tërësi këngët janë mozaik i tradicionales me modernen, imazhi i muzikës së lehtë. “Kompozitorët dhe orkestruesit janë nga vise të ndryshme shqiptare. Natyrisht edhe stilistikisht ka këngë të ndryshme që mund të jenë të ndryshme për nga stili, por që mund të themi se janë brenda konturave të asaj që i themi muzikë e lehtë”, ka thënë Edon Ramadani, dirigjent dhe orkestrues

Kanë qenë gjithsej 18 këngë që publikut e jurisë i janë prezantuar për të dytën herë në skenën e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Përkundër përjetimit të njëjtë të vargjeve e melodive, mbrëmja qe më emocionuese. Dhjetë emra, të premten mbrëma, hynë në historinë e Festivalit të cilët u zgjodhën finalistët e edicionit të parë.

Biletë për finale morën Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, Arbër Salihu me “Oj Kosovë”, “Urban Band” me “Ëndrrat s’kanë faj”, Nita Latifi me “Marrëzi” e Neki Emra me “Heroi im”. Në finale janë kualifikuar gjithashtu edhe Hilmi Obertinca me këngën “Pa ty s’më rrihet”, Saranda Alija me “Mendoj ku je” dhe Klea Dina me këngën “Trenat”.

Përzgjedhjen e ka bërë juria vlerësuese e Festivalit e përbërë nga këngëtarja Alma Bektashi, artistja Zake Prelvukaj, kantautori Alban Nimani, kompozitori Adi Hila dhe këngëtarja suedeze, Ulja Sjostrom.

“Nuk ka qenë e lehtë të përzgjidhen këngët pasi ka pasur këngë të ndryshme, stile të ndryshme, këngëtarë të ndryshëm. Mendoj se juria profesionale ka vendosur që këngët e përzgjedhura janë ato që kanë plotësuar kushtet për të vazhduar në finale”, ka thënë këngëtarja Bektashi për KOHËN. Përtej vlerësimit, ngjarjen e ka vlerësuar si mundësi të artë për t’u prezantuar jashtë kufijve derisa emrat e rinj në skenë si prurje e freskët për Festivalin.

Janë këngë të stileve të ndryshme ku takohen tradicionalja e modernia. Nga tingujt e çiftelisë e deri në ritmet e elementet e muzikës elektronike, ato përfshijnë dedikime për familjen, dashurinë e vendin. Interpretimi i fuqishëm e plot emocion ka qenë edhe imazhi i natës gjysmëfinale të Festivalit.

Dirigjenti e orkestruesi, Edon Ramadani, ka thënë se këngët qëndrojnë brenda kornizave të këngës së lehtë.

“Kompozitorët dhe orkestruesit janë nga vise të ndryshme shqiptare. Natyrisht edhe stilistikisht ka këngë të ndryshme që mund të jenë të ndryshme për nga stili, por që mund të themi se janë brenda konturave të asaj që i themi muzikë e lehtë. Ka qenë shumë kënaqësi të jem njëri prej dirigjentëve dhe orkestruesve të Festivalit përkrah mjeshtërve tanë Valton Beqiri dhe Alfred Kaçinari. Sidomos për mua që jam gjeneratë më e re se ta është nder ta bëjmë këtë punë bashkë”, ka thënë Ramadani, i cili organizimin e ka konsideruar format serioz që i duhej skenës artistike e kulturore.

“Jemi të lumtur që më në fund është realizuar Festivali, pasi kemi pasur të tjerë por jo të një formati të tillë serioz në aspektin skenik e artistik duke filluar prej muzikantëve të kësaj orkestre të madhe, pastaj interpretimit të drejtpërdrejtë që bëhet nga këngëtarët dhe orkestra. Është një organizim i madh, i cili për të ardhur deri këtu ka pasur shumë koncerte të ndryshme të formatit të ndryshëm që i kanë paraprirë një fillimi të Festivalit”, ka thënë më tej dirigjenti e orkestruesi Ramadani.

Nata e dytë e Festivalit të Këngës ka qenë kanali prej ku janë prezantuar institucionet e vendit e skena artistike. I gjithë publiku në sallë është ngritur në këmbë në shenjë respekti për Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë të Kosovës. Janë promovuar edhe sporti e kinematografia.

Në skenë është vënë kënga debutuese e Shqipërisë më 2004 në “Eurovision” – “Image of you” e Anjeza Shahinit. Interpretimi i saj ka qenë tjetër veçanti e mbrëmjes. Zëri i saj ka qenë edhe nderimi për kolosët e këngës shqipe. Ka interpretuar edhe “Natën vonë” të Vaçe Zelës, “Baresha” të Nexhmije Pagarushëës dhe “A thua ma lehtë pa dhimbje” të Muharrem Qenës.

Image
Pos këngëve konkurrente, e premtja ka qenë edhe një lloj nderimi e mirënjohjeje për institucionet e Kosovës dhe ikonat e muzikës shqipe. Asnjeza Shahini ka sjellë këngën e saj “Image of you” me të cilën, më 2004, Shqipëria debutoi në “Eurovision” në Stamboll

Janë thesari i këngës shqipe, sikurse edhe kënga “Këngët e bilbilit” e Jusuf Gërvallës, të cilën e ka interpretuar kantautori Shpat Deda. Fillimisht me lojë në piano e më pas në kitarë ka akorduar tingujt e këngës së cilës i ka bashkëngjitur edhe vokalin e tij.

Duket se kënga rrjedh natyrshëm në shoqërinë e Orkestrës dhe se i jep ngjyra klasike e më serioze interpretimit. Këto elemente, sipas violinistit Festim Fanaj, janë prezente në një festival të këtij lloji. Festivalin e Këngës e ka konsideruar rilindje të festivalit “Akordet e Kosovës”.

“Kemi pasur më parë ‘Akordet e Kosovës’, fatkeqësisht nuk janë rinovuar paslufte deri në këtë kohë. Ngjarja është një lloj renesance e Akordeve të Kosovës. Sivjet jemi mobilizuar ne instrumentistët të cilët janë ndër më të mirët që ka Kosova si nga sektori ritmik, si nga harqet dhe frymorët”, ka thënë Fanaj.

Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës sonte shënon tjetër histori – fituesin e parë të ngjarjes që synon t’i lidhë artistët vendorë me skenën e këngës evropiane.