Dhjetë finalistët për edicionin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK janë përzgjedhur të premten mbrëma, “Diamanti blu” pret fituesin e Festivalit, i cili ende mbetet me shpresën për “Eurovision”, por që sfidon kushtet në atë që tashmë ka marrë emrin “Salla e djegur”. Shkëlqimi mbulon telashet, ato teknike janë të pashmangshme, tradita vazhdon, e në natën e dytë është nderuar edhe tradita kur “Okarina e Artë” për arritje jetësore në fushën e muzikës i është dhënë kompozitorit Reshat Randrobrava
Nëse në dy edicionet e kaluara e veçanta e natës së dytë kanë qenë këngëtarët e ftuar, pasi performanca e të gjithë konkurrentëve ka qenë reprizë, sivjet në këtë faqe të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës është ndarë çmimi “Okarina e Artë”. Si mirënjohje për kontributin në fushën e muzikës i është ndarë kompozitorit Reshat Randobrava. Surprizat kanë qenë të shumta për publikun e njëlloj edhe emocionet e konkurrentëve prej të cilëve dhjetë morën biletë për në finalen e së shtunës mbrëma.
Juria – e kryesuar nga kompozitori Xhevdet Gashi dhe me anëtarë muzikologen Rreze Kryeziu-Breznica, profesoreshën e muzikës Jeta Dida-Bujari, këngëtarët Dren Abazi dhe Eneda Tarifa – ka çuar dhjetë këngë në finale. Mundësinë për ta fituar çmimin e parë dhe trofeun “Diamanti blu” e kanë Art Lokaj me “Ty”, Elmedinë Ramushi me “A po m’sheh”, Florent Abrashi me “Unë dhe ti”, Teutë Halili me “Amin”, Kiara Juba me “Nirvana”, Klea Dina me “At”, Laurian Ejlli me “Një natë shkruajta për ty”, Arjeta Palushaj me “Andrra”, Arsi Bako me “Rreze zjarr” dhe Xuxi me “Identitet”.
Këngëtarja Elmedinë Ramushi ka thënë se Festivali ka qenë mundësi e mirë për prezantim.
“Mendoj që Festivali i Këngës ka qenë platforma më e mirë për mua për ta paraqitur këngën time ‘A po m’sheh’ për arsye që është për të gjithë engjëjt në qiell. Mendoj se do të ishte mundësia të ketë një kontribut te njerëzit nëse ata e ndiejnë ta dëgjojnë prapë këngën”, ka thënë ajo.
Ka thënë se në prapaskenë gjithçka ka shkuar mirë dhe se krejt kjo i ka dhënë energjinë në skenë e që e ka çuar në finale.
“Çdo gjë ka qenë shumë e organizuar shumë e mirë. Për mua, për herë të parë, ekipi i Festivalit kanë qenë shumë mikpritës, shumë durimtarë pasi që edhe ne artistët i kemi ato tonat. Planifikimi ka qenë gjithçka në vendin e vet. Kam kaluar shumë mirë, pasi që nuk më ka dhënë aspak stres të mendoj se si do t’ia dal ose të ndihem e pasigurt. Por jam ndier aq e sigurt me orkestrën dhe gjithçka tjetër, sa besoj që më ka bërë edhe të jem pjesë e finales”, ka thënë Ramushi në fund të natës së dytë të Festivalit.
Vullneti i RTK-së për të nxjerrë gjithçka prej asgjëje është për t’u çmuar. Duke nisur prej sallës që veç tri net shkëlqen e pjesën tjetër të vitit përlyhet përditë nga karburantet e veturave. Tjetra, promovimi i këngës së mirëfilltë në një kohë kur skena muzikore e vendit po merr kahe të tjera. Por, transmetuesi publik siç duket, ende nuk ua ka marrë dorën organizimeve të tilla në aspektin e realizimit. Edhe në natën e parë e edhe në të dytën të këtij edicioni të Festivalit të Këngës pati ngecje teknike. Avaria me ndërprerjen e audios e edhe e dëgjimit të zërave nga prapaskena, ka vazhduar në natën e dytë.
Edicioneve të kaluara, avaritë si kjo, arsyetoheshin me nevojën e ekipit për akomodim në infrastrukturën e sallës. E sivjet për të tretën herë, nga tri net të Festivalit, zhvillohen në të njëjtën hapësirë.
Gati përgjysmë më pak ka pasur publik në natën e dytë të Festivalit. E shkëlqimi i tij ka qenë i njëjtë. Njashtu si edhe ai në tapetin e kuq e edhe masat e sigurisë para hyrjes. Përgatitjet finale të regjisë janë prapaskena para nisjes së transmetimit. Introja, si përherë, i paraprin maratonës më shumë se dyorëshe të programit artistik.
Me t’u shfaqur në skenë të dy prezantuesit Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj, të dy aktorë, kanë dhënë lëvdata për natën e parë. Kanë konstatuar se kjo ngjarje e ka kaluar testin.
Arjeta Palushaj ka interpretuar e para në natën e dytë. Kënga e saj “Andrra” ka qenë elektrizuese. Rock-balada “Unë dhe ti” nga Florent Abrashi kushtuar bashkëshortes së tij ka sjellë melankolinë në sallë e edhe te spektatorët. Fuqizimi i gruas është tema e këngës “Alo” nga Vjosa Shehu e shoqëruar me performancë baleti.
Muzikanti Elton Deda ka qenë mysafiri i parë.
“Prishtinën e kam si shtëpinë time. Nuk është se mendoj që kam një emocion të veçantë. Do përmend një fakt. Ajo qe po ndodh, qe këndoj në këtë festival të ri, kjo është gjëja më e bukur. Duhet të rritet shëndetshëm dhe me këngë të mira”, ka thënë ai në skenë para se të nis performancën. Ka kënduar këngën “Nuk kërkoj tjetër njeri” në ritmet e jazz-muzikës. “Rroftë Festivali i Kosovës”, ka thënë ai në përshëndetje me publikun.
E aktorja Rina Krasniqi, njëlloj si në natën e parë të Festivalit, ka pyetur se pse çdo pop-baladë nis me piano, para se të prezantojë këngën “A po m’sheh” nga Elmedinë Ramushi. Ndryshe nga pop-baladat, kjo ka qenë rock-baladë që nis me kitarë. Pyet nëse shihet kur këndon e fiton.
E te këngët rock kanë qenë të pashmangshme bateritë. Bateristi Nesim Maxhuni ka thënë se ato e përcaktojnë se nga shkon muzika.
“Karakteri i Festivalit është i tillë që bateria dhe ritmi, komplet bendi, përcaktojnë përafërsisht kah do të shkojë muzika. Nivelin e rehatinë e këngëtarëve natyrisht se e bën bendi i mirë dhe përcjellja shumë e mirë, kështu që, unë jam shumë i lumtur që në këtë formacion marrin pjesë muzicientë prej më të shkëlqyerve në gjithë trojet shqiptare që i kemi. Ajo e bën nivelin e Festivalit të jetë shumë më lart se zakonisht”, ka thënë Maxhuni.
“Rreze zjarr” nga Arsi Bako ka qenë kënga e radhës. Këngët janë të zhanreve të ndryshme, e kjo ka sjellë frymën e rockut.
Santino de Bartolo me “Naze, naze” ka sjellë jo veç këngën, por edhe traditën e gjuhës së ruajtur me shekuj. E me vete e promovon atë për brezat që jetojnë jashtë vendit. Është hera e dytë që ai merr pjesë në Festivalin e Këngës.

Dedikim për nënën e saj të ndjerë ka sjellë Vlera Kastrati me “Nanë”. Ka qenë interpretim i ndjerë e përplot emocion.
Midis prezantimit të këngëve konkurruese ka qenë momenti i ndarjes së çmimit “Okarina e Artë” për arritje jetësore në fushën e muzikës. E ka ndarë drejtori i përgjithshëm i edicionit të sivjetmë të Festivalit të Këngës, Rilind Gërvalla, njëherësh drejtor i RTK-së.
“Pa dashuri, muzika është zhurmë”, ka thënë ai.
Për Reshat Randobravën është “Okarina...” e katërt në karrierë. Tri të tjera i ka marrë në “Akordet e Kosovës” Krijimtaria e tij është nderuar fort me duartrokitje në sallë.
“Kemi pasur kushte më të vështira, por kemi punuar më shumë”, ka thënë Randobrava derisa i është referuar kohës së krijimtarisë së hershme.
Çmimi për arritje jetësore në fushën e këngës ndahet për kompozitor, këngëtar ose tekstshkrues dhe trofeu që jepet është emërtuar “Okarina e Artë”, i njëjti çmim që ndante edhe “Akordet e Kosovës”. Në konferencë për media të 31 tetorit, kantautori Genc Salihu – që sivjet është skenarist i Festivalit, e vjet prezantues i tij, bashkë me Drita Kabashin – kishte thënë se kjo është mënyrë e tyre për mirënjohjen e gjeneratave paraprake që kanë sjellë skenën muzikore deri këtu.
Po natën e dytë të edicionit të kaluar, kompozitori Randobrava e pati kritikuar Festivalin në një moment gjersa ishte në sallë e shpejt edhe kishte ikur prej aty. E kishte bërë këtë pasi kënga “Mallëngjimi” me tekst e muzikë nga Rashid Krasniqi u prezantua si e Muharrem Qenës.
Sa i përket pjesës së programit garues, kënga hip-hop “Nuk ka si ti” nga Almir Kraba ka sjellë ritmin e shpejtë të interpretimit të vargjeve e ato të lehta të muzikës ku dominon pianoja. Egzon Pireci me “Kënga jonë” është këngë për humbjen e dashurisë e në drejtim të njëjtë ka qenë edhe tematika e këngës “Po të pres” nga Zergjina Hasanaj. Mbiemri i saj u ngatërrua nga prezantuesit.
“BB Poqi” ka qenë mysafir i radhës, figurat kyçe që mbajtën gjallë rock-skenën vendore. Edhe në kohë të errëta për vendin nuk u ndalën, edhe atëherë kur qendra u mbyll e ata interpretonin edhe në atë që njihet si “Kurriz” në lagjen “Dardania”.
Kanë kënduar këngët “Ti je vetëm një iluzion” dhe “Hero i qytetit pa lum”, e “Gjurmëve”.
E, Xuxi si konkurrenti i radhës ka sjellë këngën që thërret për të mos u shkëputur nga identiteti me “Identitet”. Skenografia kuqezi e ka shoqëruar performancën e tij me ritme të fuqishme të muzikës ku bas-kitara improvizuese dominon orkestrën.
E në këtë instrument, në atë elektrike e akustike ka luajtur Astrit Stafai. Ka thënë se publiku ka pasur rastin të dëgjojë laramani të zhanreve muzikore.
“Nuk kanë qenë zhanre dy a tri lloje, por ka pasur zhanre a variacione të stileve muzikore, gjë që edhe për ne orkestrën ka qenë shumë më sfiduese në aspektin e mirë të fjalës. Ka qenë shumë më kënaqësi të punohet. Edhe këngëtarët e edhe publiku besoj që kanë përjetuar një mbrëmje pak më të veçantë, sikur edhe edicionet e kaluara”, ka thënë ai derisa është shprehur se kanë sjellë ngjyra e muzikë të bukur. Sipas tij, edhe më të mirën do ta japin në natën finale. Ka thënë se do të jetë edhe më bombastike.
Xhevdet Gashi, kryetar i jurisë, ka thënë se është ftohtë në sallë kur është pyetur për këtë gjë nga aktori Dukagjin Podrimaj. Gashi ka thënë se kënga po i ngroh.
“Këngët janë të barabarta për nga kualiteti, është e vështirë të vlerësohet, por meqë jemi pesë veta do të jetë më e lehtë”, ka thënë ai.
Më pas kanë interpretuar Laorjan Ejlli me këngën “Një natë shkruajta për ty”, Bledi Kaso me “S'do të doja dy jetë”, Dea Berisha me “Afër”, Art Lokaj me “Ty”, Klea Dina me “At”, Kiara Juba me “Nirvana”.
Gili ka qenë mysafirja e radhës. Ka kënduar këngët “Prishtina” e “Xixëllonja” të cilën e pati kënduar në edicionin e 34-t të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.
Nita Latifi dhe Algert Sala kanë kënduar në duet këngën “Pija”. Nita Latifi është kthyer për të dytën herë në skenën e Festivalit. Teutë Halili ka sjellë interpretimin e fuqishëm me “Amin”. “Vazhdoj” është dedikim për një person në të shkuarën. Këtë baladë e ka kënduar Semi Tafaj.
Pjesa artistike ka vazhduar e në skenë janë sjellë edhe ikona që nuk jetojnë. Zëri i Adelina Thaçit është harmonizuar me atë në playback të Liliana Çavollit, ikonës e cila vdiq një dekadë më parë. Në ekran janë shfaqur imazhet e njërit prej zërave më të çmuar të skenës muzikore shqiptare. E Adelina Thaçi ka shkëlqyer në interpretimin e tyre.
Sivjet, sikur edhe me memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, transmetuesi publik ka pasur në dispozicion 200 mijë euro për realizimin e edicionit të tretë. Sipas këtij memorandumi, Ministria e Kulturës pati ndarë buxhet 750 mijë euro për RTK-në për tre vjet. Për edicionin e parë janë dhënë 300 mijë euro, për të dytin ishin paraparë 250 mijë e për atë të këtij viti 200 mijë. E vjet qe nënshkruar edhe një aneks memorandumi, një marrëveshje ku Radiotelevizionit kombëtar iu dhanë sërish 300 mijë euro.
Shuma e ndarë, e cila çdo vit shkon duke u zvogëluar parashihte pavarësimin e RTK-së për organizimin e Festivalit. E për këtë edicion është bërë e ditur se pjesa tjetër e shpenzimeve është mbuluar nga financat transmetuesit publik. Për edicionin e ardhshëm, për të cilin ende nuk është paraparë buxhet, organizatorët e Festivalit të Këngës kanë bërë me dije se të gjitha shpenzimet për të janë futur në projektbuxhetin e RTK-së për vitin e ardhshëm.
Nata e parë e Festivalit u hap me performancën e këngës “Këngë Moj” të kompozitorit Musa Piperku, në interpretim të korit “Siparantum” nën udhëheqjen e dirigjentit Memli Kelmendi. Ndër momentet kyçe të kësaj nate ka qenë edhe përsëritja e traditës me ringjitjen në skenë të njërit prej artistëve të edicionit paraprak. Fituesi i vjetëm, Endrit Krasniqi, ka interpretuar këngën “Flas me gjethen”. Këngëtarja Eneda Tarifa ka qenë një prej të ftuarve specialë, e në natën e parë të edicionit të tretë interpretoi një kolazh amerikan me motive të viteve ’60 në nderim të Benito Mares. E homazh në llojin e tij, i është bërë edhe Violeta Rexhepagiqit kur prezantuesja Rina Krasniqi ka kënduar këngën “Vjollca” të këngëtares së ndjerë. Në fund të etapës së parë të edicionit të sivjetmë, krejt artistët konkurrues janë bërë një në skenë duke interpretuar këngën ikonike “Baresha” të Rexho Mulliqit, kënduar nga ikona Nexhmije Pagarusha.
Por, moment i çmuar ka qenë imazhi i festivalit “Akordet e Kosovës” në ekranet e Festivalit të Këngës, ndryshe prej dy edicioneve të kaluara, veçmas në të parin, kur kryeorganizatorët e ngjarjes distancoheshin nga një prej ngjarjeve më të vjetra kulturore të organizuara në vend, që rrugëtimin e nisi në vitin 1963 dhe u ndërpre në vitin 1995 në rrethana të tensionuara politike.
Edhe kur u inaugurua Festivali i Këngës, në vitin 2023, e edhe në edicionin pasues, “Akordet…” nuk u përmendën kund, ndonëse profesionistë të skenës muzikore ngrinin paralele midis dy ngjarjeve, duke e konsideruar Festivalin e Këngës si vazhdimësi të “Akordeve...”.
Në edicionin e parë, drejtori i përgjithshëm, Adrian Krasta, i pati distancuar dy ngjarjet duke thënë se ky i fundit ka qenë aktivitet në kontekst jugosllav ku shprehja nëpërmjet këngës ka qenë e kufizuar.
“Për ata që e kanë qejf historinë dhe faktin – që është një informacion i verifikueshëm – ‘Akordet e Kosovës’ edhe pse ka qenë një aktivitet shumë i rëndësishëm për zërin shqiptar, ka qenë një aktivitet në kontekstin jugosllav. Domethënë, Jugosllavia politike dhe artistike kishte krijuar nëpër pole të ndryshme një aktivitet Por shqiptarët në atë kohë nuk ishin të lirë të bënin atë që donin. Presioni ka qenë aty. Ne jemi në një Kosovë tjetër, nuk jemi në një Kosovë jugosllave, jemi në një Kosovë kosovare. Një Kosovë e të gjitha nacionaliteteve, multietnike, por në një Kosovë të pavarur”, pati deklaruar për KTV-në drejtori i dy edicioneve paraprake të Festivalit të Këngës në RTK, Adrian Krasta, i cili dha dorëheqje nga kjo pozitë menjëherë pas përfundimit të edicionit të dytë.