Me refrenin e shpresën e përvitshme për Kosovën në “Eurovision”, Festivali i Këngës në RTK, ka mbyllur edhe kapitullin e tretë me standardin tashmë të krijuar e me sfidat që nuk veniten dot. Por “Rreze zjarr” nga Arsi Bako, ka qenë kulmimi të shtunën mbrëma kur ka marrë “Diamantin blu”. Një këngë e fuqishme rock, përcjell energji ashtu siç synon Festivali i cili në mot do të futet nën “Akordeve të Kosovës” që pret të ringjallet. Nata finale solli me plot mysafirë, e njëri prej tyre ishte Gjon’s Tears
Skena është mbushur plot me konfeti, drita të pafundme kanë vallëzuar mbi audiencën e zhurmshme, teksa çmimi kryesor “Diamanti blu” i edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK i është dhënë këngëtares nga Tirana, Arsi Bako. Kënga e saj “Rreze zjarr” në frymën e rockut është kurorëzuar si më e mira nga një juri e përbërë prej pesë anëtarësh.
“Nuk e kam pritur”, ka bërtitur ajo në skenë kur i është dhënë mundësia t’i thotë dy fjalë pas triumfit. Emocionet e shumta dhe ndjesia e bukur e kanë përcjellë gjatë gjithë natës. Këngën e ka përshkruar si një këngë që mund të dëgjohet në çfarëdo gjendjeje emocionale.
“Në natën e parë kisha emocione ndërsa në dy të tjerat u fokusova dhe kam kënduar më mirë. Por kur mora çmimin, po dridhesha dhe gati po qaja. Ishte, nuk e di, e papërshkrueshme, emocion që nuk kam për ta harruar gjatë. Shumë ndjesi e bukur. Është një këngë tek e cila të gjithë e gjejnë veten. Është një këngë që të motivon, është energjike. Mund ta dëgjoni në çfarëdo kohe të ditës apo në çfarëdo gjendje që mund të jeni, edhe me nerva, edhe të lumtur, edhe të mërzitur për t’u motivuar më shumë. Ju sugjeroj ta dëgjoni më shumë”, ka thënë ajo për KOHËN pas përfundimit të spektaklit.

Shpresa dhe lobimi për Garën Evropiane të Këngës
Larg pjesëmarrjes në “Eurosong” është edhe sivjet Kosova, por për artisten, një fitore si kjo, në një botë paralele do të ishte fitore e dyfishtë.
“Pjesëmarrja e parë e Kosovës në ‘Eurovision’ do të ishte ëndërr për mua. Edhe kjo është shumë e rëndësishme. Ia uroj Kosovës sa më shpejt ‘Eurovisionin’, e meritojnë patjetër”, ka shtuar ajo.
Për të njëjtën pjesëmarrje ka folur edhe drejtori i festivalit Rilind Gërvalla. Ai ka theksuar gatishmërinë e transmetuesit kombëtar për të qenë pjesë e garës më me nam të këngës në Evropë.
“Jemi në fazën e lobimit, ende nuk kemi hyrë në agjendën e asamblesë së EBU-së për të qenë pjesën e ‘Eurosongut’ për urojmë që vitin tjetër ne do të përpiqemi, me ministritë përkatëse, që të lobojmë që Kosova të jetë në gjirin e Evropës edhe me këngët që patë në këtë spektakël. Ne jemi gati, ata duhet ta bëjnë hapin e tyre duke pranuar Kosovën si pjesë të ‘Eurosongut’”, ka thënë ai.

Me 200 mijë euro është mbështetur RTK-ja për Festivalin sivjet, që bashkë me ndihmën e institucioneve të tjera ta sjellin para publikut një spektakël që ka udhëtuar për tri net të ftohta në të ashtuquajturën “Salla e djegur” e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Sivjet, sikur edhe me memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, transmetuesi publik ka pasur në dispozicion 200 mijë euro për realizimin e edicionit të tretë. Sipas këtij memorandumi, Ministria e Kulturës pati ndarë buxhet 750 mijë euro për RTK-në për tre vjet. Për edicionin e parë janë dhënë 300 mijë euro, për të dytin ishin paraparë 250 mijë e për atë të këtij viti 200 mijë. E vjet qe nënshkruar edhe një aneks memorandumi, një marrëveshje ku Radiotelevizionit kombëtar iu dhanë sërish 300 mijë euro.
Ringjallja e “Akordeve të Kosovës”
E, për vitin e ardhshëm, kur edhe pritet të organizohet edicioni i katërt i festivalit, Gërvalla ka thënë se nuk do të ketë më subvencionim nga Ministria.
“Në vitin 2026 nuk do të kemi subvencion nga Ministria e Kulturës, prandaj e kemi bërë strategjinë financiare që në vitin e ardhshëm të mbulohet në baza vetanake. RTK do ta financojë tërësisht Festivalin, por vitin tjetër ne do të rikthejmë ‘Akordet e Kosovës’ ku në ombrellën e saj do ta kemi Festivalin e Këngës dhe Festivalin e Fëmijëve. Pra nata e parë do të jetë Festivali i Këngës, nata e dytë do të jetë Festivali i Fëmijëve e nata e tretë finalja e Festivalit të Këngës”, ka thënë ai.

Hapja me yllin Gjon’s Tears dhe surprizat
Natën finale e ka hapur këngëtari me prejardhje shqiptare që vepron në Zvicër, Gjon Muharremaj, i njohur në skenën artistike si Gjon’s Tears, duke interpretuar këngën “Ou est mon amour”, në një performancë që mes tymnajës ka spikatur edhe një duzinë balerinash. Ai pati marrë pjesë në “Eurovision” më 2021, duke përfaqësuar shtetin zviceran.
Menjëherë pas tij kanë dalë prezantuesit e këtij edicioni – aktorët Rina Krasniqi e Dukagjin Podrimaj – duke thirrur me radhë dhjetë këngët që e kanë mbërritur finalen. Ka nisur të interpretojë si i pari artist që është pjesë e garës, Florent Abrashi me këngën “Unë dhe ti”. Kjo këngë ka rezultuar ta fitojë edhe çmimin e dytë të Festivalit, në garë të ngushtë me fituesen, e menjëherë ajo që e ka marrë çmimin e tretë, Arjeta Palushaj, me këngën “Andrra”.
Klea Dina e ka riinterpretuar këngën “At”, e këngën “Ty” e ka kënduar Art Lokaj. Pas këtij momenti, prezantuesit kanë krijuar batuta në lidhje me balotazhin e zgjedhjeve të së dielës, teksa nga juria kanë kërkuar leje për ta marrë në skenë Dren Abazin, i cili ka qenë edhe anëtar i jurisë. Me të hipur në skenë, publiku ka ndenjur në qetësi të plotë për dhjetëra sekonda derisa i është ndrequr mikrofoni për të performuar. Ka kënduar një kolazh të përbërë nga këngë si “Qeshu qeshu”, “Ti me mu”, “Sa larg” dhe “Ti dhe unë”.
Gara ka vazhduar me këngën “Një natë shkruajta për ty” nga Laorjan Ejlli. Xuxi ka kënduar këngën “Identitet”, e Teutë Halili ka riinterpretuar këngën “Amin”, për t’ia lëshuar skenën këngëtares së radhës që ka qenë mysafire e natës finale, Elvana Gjata, e cila ka kënduar këngët “Gjërat kanë ndryshuar”, “Më fal”, “Shenjë” dhe “Xheloz”. Janë kënduar dhe dy këngët e mbetura të garës, “Nirvana” nga Kiara Juba dhe “A po m’sheh” nga Elmedinë Ramushi.
Teksa juria është larguar në prapaskenë për të vendosur për çmimet, prezantuesi Dukagjin Podrimaj ka treguar për periudhën kur ka dashur të bëhet baterist prej fëmijë. “Baterist i dështuar”, e ka quajtur atë që është rritur të bëhet, teksa ka kërkuar një duet me bateristin Nesim Maxhuni. Gjatë këtij dueti, në skenë është paraqitur prezantuesja Rina Krasniqi. Ajo ka kënduar këngën “Më merr, më ndihmo” që e këndon grupi “Telex”.

Është prezantuar edhe mysafirja e radhës e natës finale të festivalit. Tuna ka kënduar këngën “Bileta”, derisa në pjesën e dytë të saj i është bashkuar kori “Siparantum”. Bashkë me korin, ajo ka interpretuar edhe këngën “A don hala”, për t’i lënë vend një interpretimi orkestral, pa vokale. Orkestra e Festivalit ka ekzekutuar tingujt e këngës “That’s the way (I like it)” të grupit “The Sunshine Band” dhe “KC”.
Trashëgimia që vazhdon
Momenti që është pritur nën ethe ka nisur me ndarjen e Çmimit të Orkestrës. Atë e ka ndarë pianisti Ilir Bajri për këngën “Ty” nga Art Lokaj. Menjëherë është prezantuar edhe çmimi “Pena e argjendtë” që juria ka vendosur t’ia japë Teuta Halilit për tekstin e këngës “Amin”. E të përvitshmin Çmimi i Kryeqytetit e ka marrë triumfuesja e festivalit, Arsi Bako. Atë ia ka ndarë vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka përgëzuar ekipin për atë që e ka quajtur “mrekulli”.
“Keni bërë një mrekulli të vërtetë. Duket një kinematografi fantastike. Urime RTK-së. Ka qenë kënaqësi të bashkëpunojë kryeqyteti, Pallati i Rinisë, institucionet e ndryshme, ministritë, për ta krijuar këtë mrekulli sonte”, ka thënë ai teksa e ka ndarë çmimin.
Emrat e tri vendeve të para janë prezantuar përmes një zarfi, e ata janë ftuar në skenë për t’i bërë ethet akoma më të fuqishme.
Çmimin e tretë e ka marrë Arjeta Palushaj me këngën “Andrra”, teksa menjëherë është thirrur ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, për ta ndarë çmimin kryesor të festivalit, “Diamantin blu”, i cili i ka takuar këngës “Rreze zjarr”. Çmimi i dytë është nënkuptuar që shkon për Florent Abrashin dhe këngën e tij “Unë dhe ti”. Ministri ka lavdëruar organizatorët, konkurrentët, prezantuesit e orkestrën.

“Një nga netët që nuk do të harrohen dhe një kontribut i jashtëzakonshëm për ta mirëmbajtur traditën, trashëgiminë tonë muzikore dhe ‘Akordet e Kosovës’. Përgëzime për të gjithë”, ka thënë ai para të gjithëve në skenë.
Nata e parë ishte hapur me korin “Siparantum”, që ka dhënë tonet e para me këngën “Këngë moj” të Musa Piperkut, duke i paraprirë një mbrëmjeje që ka përzier përkushtimin ndaj traditës me përpjekjet për t’i dhënë asaj një formë të re. Në skenë ishte rikthyer fituesi i vitit të kaluar, Endrit Krasniqi, me interpretimin e këngës fituese “Flas me gjethen”. Homazhet për emrat e mëdhenj të muzikës nuk kanë munguar: Eneda Tarifa, si e ftuar speciale, ka kënduar në nder të Benito Mares një kolazh me motive të viteve ’60, ndërsa moderatorja Krasniqi ka interpretuar këngën “Vjollca” në kujtim të Violeta Rexhepagiqit. Mbrëmja është mbyllur me interpretimin e përbashkët të “Bareshës”.
Në natën e dytë, festivali kishte shfaqur përpjekjen për ta ruajtur dinjitetin e këngës autoriale në një kohë kur po mbizotëron muzika komerciale. “Okarina e Artë” i ishte ndarë kompozitorit Reshat Randobrava, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndër vite. Ishin përzgjedhur dhjetë finalistët, ndërsa skena ishte gjallëruar me interpretimet e mysafirëve: Elton Deda kishte sjellë tinguj jazz, grupi “BB Poqi” e kishte rikthyer rockun e hershëm kosovar, dhe Gili kishte rizgjuar nostalgjinë me këngët “Prishtina” e “Xixëllonja”. Një ndër momentet më të ndiera kishte qenë ai i Adelina Thaçit, e cila kishte interpretuar në duet virtual me zërin e ndjerë të Liliana Çavollit. Përkundër vlerës artistike, dy netët ishin shoqëruar me pengesa teknike – nga zërimi e deri te ndërprerjet e audios – që e kanë dëshmuar se, me gjithë vullnetin e mirë të RTK-së, festivali ende po kërkon formën e plotë të realizimit që i takon. E, “Diamantit blu”, pret të bëhet vizë për “Eurovision”.