Aktori Eddie Murphy, i njohur për huazimin e zërit në rolin e gomarit në filmin e animuar “Shrek”, do të jetë pjesë e filmit të ri fantastik të animuar “M’Tali: The Everlasting Spring”.
Sipas Deadline, Murphy do t’i bashkohet aktores së Afrikës së Jugut, Ama Qamata, e cila do të interpretojë me zë princeshën Selani, personazhin kryesor të filmit. Ndërsa Murphy do të jetë zëri i xhaxhait të saj të lig, Vakoro.
Filmi është shkruar nga vajza e aktorit, Bria Murphy, në bashkëpunim me Michael Xavier.
Historia zhvillohet në një mbretëri afrikane, ku princesha Selani ëndërron aventura, por përballet me përgjegjësitë që e presin si mbretëreshë e ardhshme.
Aty, princesha duhet të përballet me ambiciet e xhaxhait të saj dhe të zbulojë se çfarë e mban vërtet të bashkuar një mbretëri.
Producentja Autumn Bailey-Ford u shpreh se filmi përcjell një mesazh të rëndësishëm për fëmijët.
“Selani udhëhiqet nga zemra, kureshtja dhe besimi te populli i saj, jo nga pushteti. Jam krenare që po ndihmoj të sjellim në ekran një histori të rrënjosur në kulturën afrikane”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Murphy pritet të rikthehet me zërin e gomarit në “Shrek 5”. Personazhi do të ketë gjithashtu filmin e tij të veçantë, “Donkey!”, i cili pritet të publikohet në muajin qershor të vitit 2028 dhe do të tregojë historinë e tij përpara ngjarjeve në filmin “Shrek”.
Aktori është përfshirë edhe në një tjetër projekt televiziv, serialin “The Chairman”, krijuar nga Matthew Weiner, autori i “Mad Men”. Seriali është ende në zhvillim për platformën “Peacock”.