Është dëshmuar tashmë në skenën muzikore, është konfirmuar edhe në festivale si ai i Këngës i Radiotelevizionit të Kosovës, por të dëgjuarit e La Fazanit është si një eksplorim muzikor. Tok me Art Lokajn në kitarë, harmonia në lojën e tyre është kryefjalë, e muzika – dialog. Në repertor kanë qenë këngët e La Fazanit, e pyetjes se prej kujt frymëzohen, i është përgjigjur prapë me muzikë
Ajo që do të mund të quhej skenë alternative, ka emra unikë, La Fazani, është njëri prej tyre, të tillë si ai nuk shfaqen fort shpesh dhe për ta kanë pak rëndësi nëse skenat janë të mëdha, me a pa drita vezulluese. Kryesore është muzika. Ajo që ai krijon e interpreton nuk ka zhanër fiks, sepse mbi të gjitha është dëshmi se s’ka kufij. Edhe një koncert krejt intim e shpërfaq këtë, performanca krejt thjesht ngjan eksplorimit. E tillë ka qenë ajo që është quajtur “Fole n’Letër”, me La Fazanin siç njihet artistikisht Arbër Salihu shoqëruar në kitarë prej Art Lokajt.
Në një ambient jo të zakontë, mes librave, publiku është aty për të dëgjuar muzikë. Muzikë të mirë, kontrapunkt i asaj që quhet komerciale. Qendra “Libart” nga organizata ETEA, në ambientet e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” u bë nikoqire e këtij eventi të veçantë, i cili theksin e vë te dëgjimi i muzikës, pavarësisht që shumë nga to kishin karakter alegro që ftojnë në vallëzim. Ambienti intim dhe karakteri akustik i performancës, bënë që loja përmes zërave të Salihut dhe Lokajt të shkojnë natyrshëm me tingujt e kitarave. Një përshëndetje krejt joformale i parapriu këngës “Jupiteri” publikuar në vitin 2022 prej La Fazanit. Kapërcimi u bë me “Fluturoj” që e të njëjtit “vit prodhimi”, por me një atmosferë verore që në akordet e para të përshtatura për një set akustik, përmes telave te kitarës u imituan me sukses dhe tingujt e ksilofonit që e karakterizojnë këngën. Por, Salihu në këtë mbrëmje ka vendosur të hapë edhe “arkivat” e muzikës botërore. Në mbrëmjen që u paralajmërua edhe si rrëfim i La Fazanit për atë se çfarë e frymëzon dhe të tjera detaje për krijimtarinë e tij artistike, “zgjidhja” që ka bërë kantautori ka qenë pikërisht interpretimi. “Red right hand” nga Nick Cave dhe “The Bad Seeds” erdhi si një furi tingujsh rock, bashkë me vargjet që shprehin revoltë.
La Fazani me veprimtarinë e tij të deritanishme ka dëshmuar se kultivon një stil të veçantë të muzikës. Nisur nga fakti se ai kompozon dhe shkruan tekste, kjo i jep atij lirinë që të transmetojë ndjenjat, botëkuptimet dhe qëndrimet e tij përmes vargjeve unike të cila nëpër të gjitha këngët e tija të deritanishme kanë një të përbashkët: satirën. Ai ironizon me shumë elemente nga të cilat ndërtohet identiteti i një individi që jeton në Kosovë. Sikur te kënga “Hajde me shuplakë” ku disa vargje thonë: “Kur armiku na ka vra e na ka masakru, Na t’u e kqyrë Labiën kemi rezistu”. Është referencë për maninë e video-kasetave në fund të viteve ‘90 në Kosovë, si mediumin e vetëm të argëtimit.
La Fazani ka qenë fjalëpak Intermezzot midis këngëve ai shfrytëzon për të shprehur se sa i lumtur është që ka mundësinë t’i prezantojë këngët e tij në mënyre unike dhe intime si rrallëherë. Pjesë të këtij repertori, dyshja ka sjellë edhe disa këngë të veçanta të cilat publiku i priti si befasi të këndshme. Qenë dy ripërpunime të këngëve folklorike nga këngëtari Qamili i vogël.
Këtë mbrëmje ata nuk kishin se si ta përfundonin ndryshe veç se me “Oj Kosovë”, këngën fituese edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Edhe pse nuk e kanë përgatitur paraprakisht, pas kërkesave të shumta nga publiku, interpretimi për muzikantë si Salihu e Lokaj nuk është punë e zorshme. Ambienti i vërshuar nën kakofoninë e duartrokitjeve dhe ovacioneve qe sinjal i suksesit të kësaj kënge.
Philipp Habart i pranishëm në publik, e gjeti veten në këtë event pa planifikim, përveç faktit se e kuptoi se miku i tij Art Lokaj do të performonte aty.
“Është hera ime e parë në këtë vend. Është një hapësirë shumë e bukur me librat përreth. Jetoj këtu dhe kam dëgjuar për suksesin e këngës së fundit që performoi La Fazani. Ishte një mbrëmje e këndshme dhe jam i lumtur që u gjenda në këtë event”, ka thënë Habart edhe vetë muzikant.
Për Art Lokajn, bashkëpunimi me Arbër Salihun është gjithmonë i mirëseardhur dhe i natyrshëm e performimi në një ambient të tillë, diçka e re.
“Ishte një ndjenjë shumë ndryshe, pasi që njerëzit ishin të ulur dhe po dëgjonin. Jemi mësu me i pa duke vallëzu. Me Arbrin janë bërë gati tre vjet vite që jemi duke bashkëpunuar dhe sot kemi zgjedh këngë që i përshtaten formatit duo. Kemi zgjedhur këngë më të qeta me iu përshtatë ambientit”, ka thënë ai
La Fazanit i kishin munguar eventet e tilla larg zhurmës ku publiku mbi të gjitha ka mundësinë të përpiqet të kuptojë muzikën dhe tekstin.
“Ishte kënaqësi e madhe me performu sonte. Audienca në Kosovë është mësuar mos me e pasë shumë kulturë të dëgjimit, qe kënaqësi me pa njerëz që dëgjonin. Këngët e mia kanë shumë bagazh në kuptimin e teksteve, them shumëçka në to. Është përvojë interesante kur është në gjendje me i absorbu ato fjalë që dalin nga tekstet. Ne zakonisht bëjmë muzikë në vende më të mëdha, ndërkaq sonte ishte pak ma e ‘kulturuar’ dhe në bibliotekë” është shprehur La Fazani, duke shtuar se kjo mbrëmje ishte përvojë unike edhe për të.