Arbër Salihu, i cili vendin e tij në skenën muzikore shqiptare po e bën nëpërmjet shfaqjes së identitetit të tij muzikor unik, kësaj radhe vjen me album debutues nën emrin e tij artistik, La Fazani. I titulluar “Specie turshi” vjen si një potpuri e përbërë nga gjashtëmbëdhjetë këngë. Përtej një albumi të rëndomtë, La Fazani sjell koncept artistik që përmban observime dhe reflektime përmes lirikës e tingujve kompleksë, të cilat në fund të albumit shndërrohen në mesazh frymëzues
Foajeu i “Kino Armatës”, i dendur nga tymi skenik dhe ndriçimi i kuq, ka qenë hapi i parë drejt eksplorimit të projektit më të ri të artistit La Fazani. Janë mbledhur miq, familjarë, artdashës, e admirues të muzikës së tij, për t’u njohur me albumin “Specie turshi”. Janë shërbyer me pijen e fermentuar e njohur nga populli si “rasoj”. Jo rastësisht detajet e tilla, edhe pse të pazakonta, janë të pritshme nga La Fazani.
Albumi i tij me gjashtëmbëdhjetë pika vjen më shumë si një projekt konceptual artistik, ku secila këngë mbahet fort për një fije konceptuale, duke mos ia mohuar prekjen unike secilës prej tyre. Koncerti i promovimit të albumit, qe me plot elemente të tilla që lënë përshtypjen e një eventi të mirëmenduar, duke filluar nga hyrja ku shiteshin gjësende si bluza, e aksesor me imazhet e albumit “Specie turshi”. E veçantë qe dhe forma që ai ka vendosur ta ofrojë albumin: si një libërth i vogël i cili në kopertinë paraqet figurinë që portretizon La Fazanin në mes të kavanozave me turshi. Në faqen e parë, një “QR” kod, i cili me të afruar kamerën e telefonit, bëhet vjegës me të gjitha këngët e albumit të gatshme për t’u dëgjuar, bashkë me një falënderim special nga vetë artisti. Në libërth zënë vend të gjitha tekstet e këngëve, bashkë me nga një ilustrim që i përgjigjet fabulës së këngës. Të pranishmit filluan të zinin ulëset e tyre të entuziazmuar, teksa koncerti, të premten mbrëma filloi me paraqitjen e korit të grave dhe burrave “Okarina” drejtuar nga Elikona Hysaj-Shala. Intro e titulluar si vetë albumi, “Specie turshi” qe uverturë e një mbrëmjeje të pasur me stile muzikore të interpretimit. Një hapje mes zërave të harmonishëm, që jepnin përshtypjen se secili nga ta kanë nga një aureolë që ju rrinë mbi kokë. Me t’u ngritur perdet pas korit, në skenë u shfaq edhe La Fazani bashkë me ansamblin e përbërë nga gjashtë muzikantë. Nesim Maxhuni në tupanë, Art Lokaj në kitarë, Fatlind Ferati në bas-kitarë, Viola Rrecaj në sint, Philipp Konrad Labhart në trumpetë, Arsim Leka në saksofon dhe La Fazani me vokal e kitarë ishin septeti që jetësuan këngët e albumit. “Gjemi do pare” ishte kënga e parë që u luajt, e kompozuar dhe shkruar nga vetë artisti, si të gjitha këngët e tjera. Me alegori e vargje të gjata e të pasura me realitetin e jetës kosovare, La Fazani mori vëmendjen e sallës që në fillim.
“Histori” qe titulli i këngës pasuese e cila u përcoll sërish nga kori, përmes saj ai solli një kombinim të shpirtit kreativ që mbështetet në një mënyrë unike të interpretimit të historisë formuese të Kosovës, nga këndvështrimi artistik. “Histori me gjak si shi, vyn me shtrëngu pak e me punu saktë’ me i dal përmi”, janë vetëm disa nga vargjet në të cilat preken fatet e Kosovës, dhuna ndaj gruas e “dehja” me idetë e prejardhjes pellazgo-ilire, thuren mjeshtërisht me satirë, sërish, si në shumicën e këngëve të La Fazanit.
Këtë detaj në krijimtarinë e La Fazanit e potencoi dhe tenori Luan Durmishi, i pranishëm në koncertin e albumit, pjesë e të cilit ishte dhe vetë ai përmes përfshirjes së vokalit të tij në disa këngë.
“Arbëri kohëve të fundit po më pëlqen për arsye se muzikën që po e bën, po e bënë në mënyrë konceptuale dhe mua artistët konceptualë më pëlqejnë. Kronologjia me konceptet që kanë të bëjnë me historikun tonë në Kosovë kanë filluar t’ia krijojnë një identitet artistik me të cilin i uroj shumë suksese”, ka thënë Durmishi.
Shumë nga ulëset e sallës ku po përcillej koncerti, u boshatisën nga të pranishmit, për të zënë kthinat e sallës me vallëzim të lirshëm kur luheshin këngët e njohura tashmë si “Jupiteri” e “Fluturoj” me atmosferën verore ishin dy nga to, por vëmendjen e mori ripërpunimi krejt origjinal që ai i kishte bërë këngës “Mustafa” nga Muharrem Qena.
Festë për albumin e La Fazanit e quajti koncertin, Florent Boshnjaku. La Fazani sipas Boshnjakut, do të ngelet gjatë në skenën muzikore duke lënë gjurmë.
“Arbëri e ka nisë në formë alternative në mënyrën se si ai shprehet muzikalisht, por nganjëherë kombinohet dhe me shumë zhanre të ndryshme dhe besoj që dikush që e dëgjon atë mundet me e gjetë veten në secilën formë. Mendoj që Arbërin kemi me dëgju më shumë dhe në radio, edhe pse momentalisht nuk është edhe aq prezent”, është shprehur Boshnjaku duke shtuar se muzika që ai bën është pjesë e një publiku më alternativ që e konsumon këtë zhanër.
Ansambli, pjesëtarëve të të cilit këngëtari u referohej dhe si bajraktarë të muzikës live në vend e përcollën La Fazanin dhe me këngën “Rutinë”: një përzierje e pasur me rock-metal, interpretimit të vargjeve përmes stilit rap dhe korit të fëmijëve që përsërisnin “Dit’ e nat’ punojmë për një ardhmëri të ndritshme”, derisa La Fazani përsëriste vazhdimisht “S’ka rritje pa përsëritje”. Tekstet e këngëve të tij janë pjesë përbërëse e identitetit të tij muzikor. Përmes satirës përcillet inteligjenca krijuese e tij. Kjo ndihet në secilën këngë, gjë që e bën albumin të shquhet nga ky aspekt.
Përgjatë mbrëmjes del në pah përshtypja se prirjeve e ideve ambicioze të La Fazanit, kushtet teknike në Kosovë nuk po i jepnin mundësinë të shpaloste kapacitetin e tij të plotë. Por, problemet me teknikën e zërimit nuk ia zbehën shkëlqimin e paraqitjes së tij.

Aftësitë e La Fazanit i vlerësoi dhe aktorja Anisa Ismajli, e pranishme në koncert.
“Arbëri është super-muzikant, super-artist në çdo kuptim të fjalës, andaj jam shumë e lumtur që jam sonte në promovimin e albumit të tij i cili gjithmonë sjell një avangardë, diçka të bukur. E bukura përveç kësaj, është dhe kori ‘Okarina’, i cili do të jetë përcjellës në pesë këngët”, është shprehur ajo.
Ky album del si një vepër artistike e ngjyruar edhe me nuanca të muzikalit. Aty simbolika gjen vend në çdo detaj, edhe në renditjen e këngëve dhe të ilustrimeve në libërthin e albumit ku ngecja në kavanoz përdoret si metaforë e izolimit të shoqërisë në shumë dimensione. Kulmon me dalje nga kavanozi në fund të albumit me “Sa mirë kan dalë turshitë” dhe vargjet domethënëse. “Diqysh na duhet mu rritë tegllën me goditë m’i fluturu kufijtë, krejt botën me mahnitë” dhe me korin që përmbyll koncertin duke e rritur intonacionin te fraza e fundit “Sa mirë kan dalë turshitë”, ngjashëm me xhinglat e prodhimeve televizive të shekullit të kaluar.
Për Arbër Salihun artistin prapa La Fazanit, koncerti ka rëndësi të veçantë, por albumi paraqet një pikë më të rëndësishme në karrierën e tij.
“Ky koncert për mua është shumë me rëndësi, sepse është kulmi i një pune të madhe që e kam bërë me albumin, për të kam punuar qe katër vjet. Edhe pse me këtë koncert po ndihem si në faj për albumin se më duket që ky koncert ia ka marrë pak peshën albumit. Për mua më e rëndësishme është njerëzit me e dëgju albumin tim”, ka thënë Salihu, në një prononcim për KOHËN, pas përfundimit të koncertit, deri sa njerëzit prisnin në radhë për fotografi me të.
Me “Specie turshi”, La Fazani tregon se është një artist i vërtetë, i thjeshtë, inovativ dhe me plot vetëbesim. Mos-hezitimi i tij që të eksplorojë zhanre të ndryshme muzikore dhe të sjellë një perspektivë të freskët për skenën muzikore janë pikërisht në terrenin e tij si artist origjinal.