Kulturë

“Kino Armata” i bashkohet Evropës me maratonën njëmujore të filmit

Muaji i Filmit Evropian që organizohet për herë të parë nga Akademia Evropiane e Filmit, do ta ketë “Kino Armatën” si nikoqir në Kosovë. Prej 13 nëntorit deri më 10 dhjetor, shfaqen filma të ndryshëm që e kthejnë kujtesën e shikuesit në një të kaluar jo të largët. Në ditën e parë do të shfaqet filmi “Fusha e Mëllenjave” me skenar dhe regji të Arzana Krajës, me të cilin, bashkë me mbledhje përkujtimore, shënohet trevjetori i vdekjes së saj

Në shpalosje diversiteti kulturor e botësh të ndryshme, Kosova i bashkohet Kontinentit të Vjetër me Muajin e Filmit Evropian. “Kino Armata” është gati për ndezjen e projektorit, e në program ka edhe filma vendorë. Ai që do ta hapë këtë aktivitet të dielën e 13 nëntorit është “Fusha e Mëllenjave” me skenar dhe regji të Arzana Krajës. Ka edhe një tjetër arsye që ky film rikthehet para publikut. Me të shënohet edhe trevjetori i vdekjes së hershme të regjisores Kraja. Ajo vdiq më 13 nëntor 2019, në moshën 38-vjeçare.

Muajit i Filmit Evropian organizohet për herë të parë dhe synimi është që të jetë traditë në 35 shtete evropiane, përfshirë Kosovën.

Akademia Evropiane e Filmit ka prezantuar Muajin e Filmit Evropian si sezon të veçantë të filmave. Nëpërmjet tij feston diversitetin e filmit evropian për katër javë, duke filluar më 13 nëntori e deri më 10 dhjetor. “Kino Armata” tashmë është gati me programin i cili rikthen filmat jo të largët vendorë e evropianë. Muaji i gjen kinematë evropiane në programet e tyre të ndryshme, gjersa kinemanë e kryeqytetit, në prag të Festivalit të Filmit Frankofon, siç edhe theksohet në prezantimin për Kosovën në uebfaqen e Akademisë Evropiane të Filmit.

Alush Gashi, udhëheqës i “Kino Armatës”, Alush Gashi, ka thënë se kontaktet me presidentin e Akademisë kanë filluar qysh dhjetorin e vitit të kaluar. Ka treguar se paraprakisht ishin paralajmëruar se do të bëhej një organizim i tillë dhe se me këtë rast janë ftuar të jenë pjesë e rrjetit prej gjithsej 35 kinemave në Evropë që janë pjesë e iniciativës.

“Ne e kemi bërë krejt programin e filmave. Ata vetëm kanë bërë rekomandime se çfarë do të mund të shfaqej. Një pjesë e filmave që do të shfaqen janë edhe filmat lokalë. Ata edhe inkurajojnë të ketë sa më shumë filma të tillë që shfaqen për shkak që edhe ata të kenë njëfarë ‘footprint-i’ pak më të madh ndërkombëtar”, ka thënë Gashi.

Image
Skenë nga “Fusha e Mëllenjave” me skenar dhe regji të Arzana Krajës, i cili do të shfaqet në “Kino Armata” këtë të diel, në trevjetorin e vdekjes së Krajës

Muaji i Filmit Evropian kulmon në ditën e fundit, më 10 dhjetor, në ceremoninë e 35-të të Çmimeve Evropiane të Filmit në Reikjavik të Islandës. Ceremonia përfshin edhe shpalljen e nominimeve për çmimet e publikut duke i përfshirë filmat evropianë në votim për fituesin. Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, e Greqia janë shtetet e rajonit të cilat do t’u bëjnë nikoqirllëk filmave evropianë në kuadër të muajit që u dedikohet. Nga Akademia thuhet se aktiviteti vjen si festë për dinamikën e kulturës së filmit evropian.

Në përshkrimin e Akademisë, parafrazohet se presidenti i saj, Matthijs Wouter Knol, ka konsideruar se kinematë do të kurojnë programe me filma të zgjedhur që kujdesen për kuriozitetin dhe shijet e audiencave lokale.

“Ajo që i mungon Evropës është një vetëdije e fortë si për pasurinë ashtu edhe për rrezikshmërinë e kinemasë së vet dhe bashkë me të, vullneti dhe përkushtimi për ta respektuar dhe mbrojtur atë. Ne jemi të bindur se forcimi i shikueshmërisë së filmave evropianë që shfaqin historitë dhe historinë tonë evropiane nuk duhet të bëhet vetëm në nivel kombëtar. Kjo është një pyetje dhe nevojë evropiane, të cilave mund t’u përgjigjemi me sukses vetëm së bashku, duke bashkuar forcat”, thuhet në fjalën e tij të transmetuar në uebfaqen zyrtare të Akademisë Evropiane të Filmit.

Në ditën e parë të shfaqjes së programit të këtyre filmave shënohet edhe Dita Evropiane e Filmave ArtHouse, që pikërisht përshtatet me zhanrin e filmit të regjisores Arzana Kraja.

Shfaqja e filmit “Fusha e Mëllenjave” është organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës. Kontributi i rëndësishëm i regjisores në kinematografinë kosovare manifestohet me një mori veprash artistike, si autore e filmave të shkurtër, dokumentarëve, realizimeve të shumta televizive dhe filmit të metrazhit të gjatë “Fusha e Mëllenjave”.

“Mbledhja përkujtimore dhe shfaqja e filmit organizohen në kuadër të kalendarit kulturor”, thuhet në publikimin e Ministrisë së Kulturës.

Filmi i metrazhit të gjatë ku, ndër të tjerë, luajnë aktorët Shkumbin Istrefi, Irena Cahani, Shengyl Ismajli e Astrit Kabashi, paraqet një ish-të burgosur politik që kupton se idealizmi i tij politik po ia shkatërron jetën. Njëzet vjet pas jetës në Londër, kthehet në vendlindje për t’u ballafaquar me të kaluarën e tij të trazuar.