Kulturë

Arzana Kraja përkujtohet si idealiste e krijuese unike

Nëpërmjet filmit “Fusha e mëllenjave”, regjisorja Arzana Kraja është përkujtuar në trevjetorin e vdekjes. Ajo vdiq më 13 nëntor të vitit 2019 në moshën 38-vjeçare. Sivjet është kujtuar në “Kino Armatë” nga familjarë, miq e kolegë. Të pranishmit kanë rrumbullakuar profilin e saj prej krijuese, mike, familjarë e mbi të gjitha prej njeriut që preokupimet e sinqerta i kthente në vepra kinematografike. Krijimtaria e saj përfshin zhanre të ndryshme. E vula prej krijuese zë vend në kinematografi.

Përkushtimi i saj në skenar, këmbëngulja për realizimin e koncepteve regjisoriale bashkë me portretin shumëdimensional prej krijueses e bënin Arzana Krajën figurë unike në fushën e artit. Të tilla janë edhe veprat e saj. Nëpërmjet filmit “Fusha e mëllenjave”, Kraja është përkujtuar në trevjetorin e vdekjes. Regjisorja vdiq më 13 nëntor të vitit 2019 në moshën 38-vjeçare.

Sivjet është kujtuar në “Kino Armatë” nga familjarë, miq e kolegë. Të pranishmit kanë rrumbullakuar profilin e saj prej krijuese, mike, familjare e mbi të gjitha prej njeriut që preokupimet e sinqerta i kthente në vepra kinematografike. Krijimtaria e saj përfshin zhanre të ndryshme. E vula prej krijuese zë vend në kinematografi.

E lindur më 2 janar të vitit 1981, Kraja ishte regjisore e filmit dhe e televizionit. Studimet i kishte përfunduar në Degën e Regjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.

Ishte regjisore, asistente e regjisë e producente në disa televizione e produksione vendore. Kraja kishte qenë njëra prej themelueseve dhe udhëheqëse e departamentit të filmit në festivalin ndërkombëtar studentor për film dhe teatër, “Skena UP”, nga viti 2002 deri më 2007. Ajo ishte autore e tetë filmave të shkurtër, ku veçohen “Kulla e sahatit” e “Shkurta”, si dhe tre filmave dokumentarë, mes të cilëve edhe “Përmes syve të mi” dhe “Kosova ime”. “Fusha e mëllenjave” të shtunën mbrëma ka hapur Muajin Evropian të Filmit, që mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit me partnerin lokal “Kino Armatën”.

Në ceremoninë modeste përkujtimore, duke iu përshtatur profilit të Krajës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se puna e saj e cila përcolli komunitetin tonë artistik ishte dhe vlerësohet ende lartë dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

“Si personalitet i ri dhe i dalluar Arzana realizoi shumë punë të mira në shumë profile, bashkëpunoi e kontribuoi shumë me komunitetin e filmit dhe për artin e Kosovës”, ka thënë ai.

Çeku, po ashtu, ka thënë se Kraja ishte pjesë e kineastëve të suksesshëm dhe padyshim një prej anëtarëve shumë të denjë të valës së re të regjisorëve të suksesshme në Kosovë me sukses kombëtar dhe ndërkombëtar.

Si koleg, bashkëpunëtor e mik i saj aktori e producenti, Shkumbin Istrefi, ka thënë se ikja e hershme e Krajës kur ishte në kulmin e krijimtarisë artistike, nuk ishte humbje vetëm për familjarët, miqtë dhe kolegët e saj por edhe për artin kosovar në të cilin ajo me punë dhe veprat e saj la një trashëgimi tepër të çmueshme. Ka treguar se punën e Krajës e ka përcjellë qysh nga koha kur ajo ishte studente.

“Si studente u shqua me një bagazh të madh të njohurive sidomos në fushën e artit dhe letërsisë. Arzana si njeri ka qenë e qetë dhe e sjellshme e si artiste ishte kërkuese dhe e vendosur që idetë e saj të realizohen deri në fund. Personaliteti i Arzanës ishte multidimensional”, ka thënë ai. Ka kujtuar se ajo i dhuroi edhe rolin më të madh dhe më kompleks që e ka pasur deri më sot, atë të Sylës në “Fushën e mëllenjave”.

“Dhe jo vetëm rolin, por edhe guximin që ta pranojë atë. Arzana luftoi me kohën dhe koha iu ndërpre shumë herët, megjithatë Arzana fitoi, la pas vetes vepra me të cilat të gjithë krenohemi”, ka thënë Istrefi.

Aktorja Teuta Krasniqi, e cila ka moderuar ceremoninë, ka treguar se ishte shoqe e ngushtë me Krajën. Ka kujtuar shumë momente me të. Ka thënë se megjithëse ishin të ndryshme si karaktere ato plotësonin njëra-tjetrën. Ka thënë se në momente shumë të rënda Kraja i ishte gjetur afër dhe e kishte përkrahur.

“Arzana ka qenë shoqe e jashtëzakonshme. Kemi qëndruar ditë e natë bashkë”, ka thënë midis të tjerash Krasniqi.

Në emër të familjes Kraja, motra e regjisores, Gresa Kraja, ka thënë se meqë shfaqet “Fusha e mëllenjave”, do të tregojë sa e ka dashur Arzana Kraja Prishtinën.

“Pamja e saj e preferuar ka qenë në muzg kur është mbuluar qielli prej sorrave. I ka pëlqyer rruga përballë katedrales në qershor kur çel blini. Çuditërisht ka parë diçka të bukur te hoteli “Grand” e arkitektura e tij. Ka ecur në çdo cep të këtij qyteti duke ia nxjerrë të mirat kur ne kemi parë vetëm keq”, ka thënë ajo. Sipas saj, mbi gjithçka Kraja e ka dashur Prishtinën pasi i ka pasur të gjithë në të, familjen, dashurinë e jetës së saj, Albanin, miqtë dhe kolegët e saj.

Kraja kishte qenë bashkëregjisore në serialin “Kafeneja jonë”. Filmi i saj i metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, që u dha premierë në edicionit e 11-të të “PriFest” më 2019, të shtunën mbrëma ka kthyer te publiku emocionet e një ideali për Kosovë të lirë dhe të pavarur.

Syla (Shkumbin Istrefi) është portreti i një të burgosuri politik të viteve ’80 në Kosovë. U takon atyre që kishin ngritur zërin për të kërkuar shtet të pavarur në kuadër të ish-Federatës së Jugosllavisë. Por megjithëse pas burgosjes kishte ikur jashtë vendit, duket sikur burgu është brenda tij. Përgjithmonë. Është punonjës i një fabrike në Britani të Madhe. Lajmet nga Kosova i përcjell shpesh. Aty sheh duke dhënë deklarata edhe një mik të vjetër. Shabani (Astrit Kabashi) tashmë është zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në valën e ikjes së njerëzve nga Kosova, flet se si shtetet perëndimore nuk pranojnë më azilkërkues nga shteti ballkanik. Syla bart fatin e atyre më të sinqertëve që sakrifikuan për vendin e tyre me idealizëm. Pos që nuk mori asgjë si shpërblim, humbi edhe mundësinë që të ketë pasardhës.

Regjisorja Arzana Kraja pas premierës kishte thënë se mendimet që i kanë dhënë të pranishmit i kanë bërë shumë përshtypje.

“Shumë njerëz i kam pyetur nëse janë duke ma bërë rrafsh, shpresoj që jo”, kishte thënë ajo në një konferencë për media. Kishte treguar se si fëmijë kishte dëgjuar shumë për të burgosurit politikë. Madje edhe dajat e saj kishin një fat të tillë. Vepra e saj kinematografike, si “Fusha e mëllenjave”, mbetet realizimi artistik më i thellë e më fin në raport me idealistët e sinqertë të viteve ’80. Atyre që e donin këtë vend. E njëjtë si ata e donte edhe Arzana Kraja, duke i lënë vepra unike të artit.