Kulturë

Kosova i bashkohet Evropës në festën për filmin e vlerave artistike

Në “Kino Armata” në kryeqytet, në shënimin e Ditës Evropiane të Kinemasë Arthouse, është shfaqur filmi “Battleship Potemkin” i regjisorit rus Sergei Eisenstein

Njihet si lloji i kinematografisë së cilës s’i bëhet vonë për anën komerciale, teksa përherë promovon dhe koncentrohet kryekëput te vlerat e pavarësia artistike. Njihet edhe si filmi i pavarur ose me buxhet të ulët, por “Art House” është shprehja që i përmbledh. “Kino Armata” në Prishtinë e “DokuKino” në Prizren i kanë ndezur projektorët për këtë lloj kinemaje

Festa për filmin “Art House” sjell vlerat e mirëfillta krijuese edhe në Kosovë, e cila i bashkohet Evropës në promovimin e vlerave të mirëfillta të kinematografisë. Me aktivitete në “Kino Armata” në Prishtinë e në “DokuKino” në Prizren, Dita Evropiane e Kinemasë Arthouse synon të nxjerrë në pah identitetin unik të kinemave dhe angazhimin e tyre për të promovuar kinemanë evropiane. Në “Kino Armata” është shfaqur njëri prej klasikëve botërorë, derisa në “DokuKino” filmat e shkurtër vendorë. Manifestimi i ngjarjes konsiderohet si hap drejt përfshirjes së këtyre hapësirave në rrjetin e kinemave evropiane “Europa Cinemas”, bashkorganizatore e ngjarjes.

Në “Kino Armata” në kryeqytet, në shënim të kësaj feste të dielën mbrëma është shfaqur filmi “Battleship Potemkin” i regjisorit rus Sergei Eisenstein. Filmi i vitit 1925, pa zë por me përcjellje muzikore dhe në bardhezi, vlerësohet si kryevepra e regjisorit Eisenstein.

Filmi hapet me diskutimin e dy marinarëve për nevojën e mbështetjes së revolucionit që po ndodhte. Aty shfaqet edhe gjendja e rëndë e ushqimit me të cilin janë të furnizuar në anije. Përkundër pamjeve të qarta, mjeku i anijes thirret nga kapiteni për të inspektuar atë. E deklaron të ngrënshëm, dhe kuzhinieri detyrohet ta përgatisë, por ekuipazhi refuzon të ushqehet me të. Të gjithë ata që e refuzojnë atë gjykohen fajtorë dhe sillen në kuvertën e përparme ku bëjnë ritet e fundit fetare. Gjunjëzohen, mbulohen me një material tekstili dhe përballë tyre vijnë ushtarë të armatosur. Jepet urdhër për të qëlluar mbi ta, por armët ulen dhe fillon “kryengritja”. Marinarët marrin kontrollin e anijes derisa oficerët dhe mjeku hidhen në det. Rebelimi i tyre rezulton i suksesshëm, por udhëheqësi i grupit, Vakulinchuk, vritet. Kjo çon drejt kundërshtimit të carit rus. Ngjarja zhvillohet në Odesë. Atje formohet një front dhe një marsh i ushtrisë drejt turmës civile, ku fillojnë edhe të qëllojnë në drejtim të tyre. Marinarët kundërpërgjigjen me armët e anijes për të qëlluar objektin ku udhëheqësit ushtarakë po mblidheshin në takim. Kur të dyja palët janë gati të nisin luftën mes tyre, pala cariste refuzon të hapë zjarr dhe nis të brohorasë në shenjë solidariteti për ta.

Përcjellja me muzikë klasike ka qenë tejet atraktive. Ajo ka qenë e menduar mirë në çdo moment, duke sjellë edhe emocionet e ngjarjeve dinamike e të trishta.

Kjo është hera e dytë që “Kino Armata” e feston “Ditën e Filmit Art House”. Vitin e kaluar ishte shfaqur filmi “Fusha e mëllenjave” nën regji të Arzana Krajës. Sipas drejtorit të kinemasë “Armata”, Alush Gashi, sivjet në këtë ngjarje vjen një prej klasikëve të kinematografisë botërore.

“Filmi është një prej të cilëve mësohet, është si material libri në krejt akademitë e filmit, duke e përfshirë edhe akademinë tonë. Regjisori njihet si pionier i montazhit. Filmi është i 1925-s, ka qenë në fillet e zhvillimit të kinematografisë. Kinematografia sovjetike në atë kohë ka qenë ndër më të zhvilluarat, pos disa të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara, ku ka pasur më shumë filma të prodhuar”, ka thënë Gashi.

Filmat e regjisorit Sergei Eisenstein janë pjesë e repertorit të rregullt të kino “Armatës”, përfshirë edhe "Battleship Potemkin".

“Është njëri prej ‘art house’ filmave të parë, ajo është edhe arsyeja pse e kemi përzgjedhur. ‘Art House’ e ka kuptimin e një vepre artistike e cila njihet më shumë për shkak të mënyrës eksperimentale së cilës i është qasur gjatë filmbërjes. Për atë shkak është njëri prej filmave klasikë dhe të cilët rekomandohen t’i shohë secili filmbërës potencial apo aspirues”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, në “DokuKino” ngjarja është shënuar me filma vendorë. Janë katër filma të metrazhit të shkurtër, tematika e të cilëve tashmë është e njohur për publikun. Të tilla janë edhe imazhet e skenave e historitë që ngërthejnë. Publikut i janë shfaqur si zhanre të ndryshme, por se thellë ngërthejnë elementet e filmit ‘Art House’. Ndonëse referenca e parë për këta filma është pavarësia në krijim, në vend zbërthehen edhe si filma me buxhet të ulët.

Janë po ata filma të cilëve Eroll Bilibani nga festivali ndërkombëtar i filmave dokumentar dhe atyre të shkurtër “DokuFest” u referohet si “filma që bëhen me buxhete të vogla, por me dashuri të madhe”.

“Në mes” dhe “Pa vend”, nën regji të Samir Karahodës, “Prishtinë, 2002” i Trëndelinë Halilit dhe “Furgoni” i Erenik Beqirit po të dielën janë shfaqur në kinemanë “DokuKino” në Prizren. Bilibani ka thënë se këta filma janë përzgjedhur me qëllimin që t’i jepet mundësi publikut për të parë disa prej realizimeve më të mira që janë prodhuar viteve të fundit.

“Mendoj që ka shumë filma të këtij lloji, por në anën tjetër ne kemi shumë filma që publiku i ka mundësitë e rralla për t’i parë. Mos të harrojmë se sukseset, mos të them të gjitha, kanë filluar me filmin e shkurtër. Shpesh e harrojmë fuqinë e filmit të shkurtër për të adresuar tema të rëndësishme, sepse të katër filmat adresojnë tema goxha të rëndësishme”, ka thënë Bilibani, udhëheqës i programit edukues “DokuLab” të “DokuFestit”.

Filmat e shkurtër, sipas tij, janë më të përshtatshëm për publikun e moshës së re.

“Mendoj se formati i filmit të shkurtër është më i përshtatshëm për audienca të reja. Filmi i gjatë, normalisht se jemi ithtarë të këtij metrazhi, por në këtë rast vendosëm të shfaqim katër filma të shkurtër, pasi në program kemi çdo të martë filma të gjatë”, ka thënë ai.

Siç përshkruan Konfederata Ndërkombëtare e Kinemave Arthouse, që e organizon ngjarjen, ajo synon të nxjerrë në pah dhe ta rrisë angazhimin e shtëpive të filmit për të promovuar kinemanë evropiane. Me anë të festës së kësaj ngjarjeje në Kosovë, synohet përfshirja e kinemave vendore në rrjetin “Europa Cinemas” që do t’u sillnin shumë avantazhe në produkte të reja.

“Nëse ne arrijmë të futemi në rrjetin e ‘Europa Cinemas’ mendoj se do të keni qasje më të lehta në fondet e Bashkimit Evropian, të cilat na mundësojnë programim më të madh të filmave të fundit që distribuohen në këto rrjete kudo në Evropë. Është një mundësi e mirë që filmat e prodhuar në Evropë, pra kinematografia evropiane, të jenë më prezentë. Në kinematë komerciale filmi evropian nuk ka prezencë të madhe, dhe ky rrjet e balancon numrin e tyre”, ka thënë Bilibani.

“DokuFest” me këtë ngjarje feston kinemanë evropiane me filmat e suksesshëm në skenën ndërkombëtare.

“Pa vend” i Samir Karahodës qe i pari produksion vendor që ka garuar për “Palmën e Artë” në “Cannes” në vitin 2021. Filmi që sjell rrëfimin e klubit më të suksesshëm të pingpongut nga Prizreni “Lidhja e Prizrenit”, ka marrë trofe të shumtë në skenën ndërkombëtare. Filmi i zhanrit ‘docu-fiction’ përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të pingpongistëve.

Të njëjtin fat e pati edhe filmi debutues i Karahodës si regjisor, “Në mes” që premierën e pati në “Berlinale” më 2019.

“Prishtinë, 2002” pati premierën vendore pikërisht në edicionin e sivjetmë të “DokuFest”, ku edhe fitoi çmimin e filmit më të mirë në garën kombëtare. Prej se u dha premierë botërore në janar të këtij viti në Festivalin prestigjioz të filmave të metrazhit të shkurtër në Clermont-Ferrand në Francë, filmi me regji të Trëndelinë Halilit triumfoi në kategorinë e filmave ndërkombëtarë.

Për rreth 20 minuta, “Prishtina 2002” shpalos miqësinë e dy adoleshentëve, ku tendencat e tyre për të ndryshuar veten i çojnë drejt përballjes me të papriturën. Hapet me skenën ku Leti luan me një top dhe ka stil djaloshar. Ajo fillon të imagjinojë dhe të sajojë gjëra që ia zbulon shpejt shoqes së saj, Donna, se nuk janë të tilla.

Filmi tjetër që ndezi projektorin për art “houese” është edhe “Furgoni” nën regji të Erenik Beqirit, i pari film me të cilin Shqipëria kishte marrë pjesë në Festivalin e Cannes në vitin 2019.

“Furgoni ndalon, dyert hapen dhe Beni del i gjallë. Disa ndeshje të tjera dhe ai do të jetë në gjendje të largohet nga Shqipëria. Ai ende shpreson se babai i tij do të largohet me të”, shkruhet në përshkrimin e shkurtër për filmin “Furgoni”.

Sipas Eroll Bilibanit, pamjet dhe struktura narrative e filmit, si dhe ritmi i tij janë ato që e përcaktojnë filmin në zhanrin “Art House”.

“Është vlera artistike e tij, pa spektakël të madh, është struktura narrative e, tema që e shtjellon, fotografia. ‘Art house cinema’ janë filmat e pavarur, filma që nuk kanë buxhete të mëdha që kanë vlera artistike të mirëfillta, jep strukturë të këndshme narrative, më empatike. Janë zakonisht filmat më të ngadalshëm, megjithëse nuk bën të përjashtohet as zhanri i aksionit”, ka thënë Bilibani në një bisedë për KOHËN.

Sivjet shënohet edicioni i tetë i ngjarjes në Evropë nga Konfederata Ndërkombëtare e Kinemave Arthouse në bashkëpunim me rrjetin “Europa Cinemas”.

“Që nga viti 2016, më shumë se 700 kinema në mbi 40 vende kanë marrë pjesë në këtë organizim, duke ofruar programe të mrekullueshme dhe duke përfshirë paraprograme, filma për audiencën e re dhe ata klasikë nga historia e kinemasë evropiane. Me të ftuarit specialë, debate dhe ekspozita, veprimtaria e ngjarjes është gjithmonë po aq shumëplanëshe sa vetë kinemaja evropiane! Mezi presim të festojmë diversitetin e kinemasë evropiane në të gjithë botën”, shkruhet në ueb-faqen e ngjarjes.