Kulturë

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore pa anëtarë e me akuza për politizim

Jofunksional qysh prej verës së vitit 2018, as pas dy mbledhjeve, të martën e të mërkurën, nuk ka emra të propozuar për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Kuvendi i Kosovës dështoi edhe në shtator që të votohen emrat e propozuar, por tash janë fuqizuar akuzat për politizim të krejt procesit. Për Lëvizjen Vetëvendosje, vlerësimi i kandidatëve nxjerr në pah pazaret që kanë bërë partitë e tjera për emrat që do të jenë për tre vjet anëtarë të KKTK-së

Prishtinë, 9 dhjetor – Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë pas dy mbledhjeve radhazi, të martën dhe të mërkurën, nuk ia ka dalë që t’ia propozojë Kuvendit shtatë emra që do të votoheshin për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Përderisa kryetarja e Komisionit nuk ka dhënë sqarime pas mbledhjes së mbyllur për media, një pjesë e opozitës i ka akuzuar anëtarët e Komisionit për pazare politike në raport me këtë proces. Të tilla akuza midis partive ka pasur edhe në vitin 2015, kur për herë të parë u funksionalizua ky këshill, i cili prej korrikut të vitit 2018 nuk është funksional, pasi ish-anëtarëve u kishte skaduar mandati.

Kuvendi kishte dështuar që t’i zgjidhte anëtarët e KKTK-së më 21 shtator të këtij viti. Asnjë prej 13 kandidatëve të propozuar nuk kishte marrë votat e nevojshme. Tash anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë do të dërgojnë vetëm shtatë emra në Kuvend. Ligji për trashëgimi kulturore nuk e përcakton qartë se si bëhet zgjedhja e anëtarëve të Këshillit.

Nga 45 kandidatë të intervistuar më 25 nëntor, anëtarët e Komisionit kanë vlerësuar me shumicë votash shtatë prej tyre. Por në këtë mes nuk përmbushet kriteri gjinor, pasi janë gjashtë burra dhe një grua. Duhet të jenë së paku dy gra. Për Lëvizjen Vetëvendosje, ky vlerësim është marrë pas pazarit që kanë bërë partitë e tjera për emrat që do të jenë për tre vjet anëtarë të KKTK-së. Deputetët e këtij komisioni pritet që për të njëjtën çështje të mblidhen sërish sot (e enjte).

Kryetarja e Komisionit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, të mërkurën në mbrëmje ka thënë se deputetët janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë.

“Nesër ose pasnesër e kemi edhe një takim. Nuk mund të jap më shumë informata”, ka thënë shkurt ajo.

Por krejt këtë proces Fitim Uka, deputet i VV-së dhe anëtar i Komisionit, e ka përshkruar si marrëveshje midis partive politike. Sipas tij, procesi është përcjellë me shkelje të panumërta.

“Ju keni pasur marrëveshje. Ka qenë e qartë nga fillimi. Kjo çfarë ka ndodhur është e papranueshme. Keni anuluar mbledhjen e përgatitjes për vlerësim. Ka qenë e çuditshme se si jeni marrë vesh për mënyrën e vlerësimit. Keni mbajtur intervista vetëm nga pesë minuta”, ka thënë ai të mërkurën, gjatë mbledhjes së Komisionit. Intervistat ishin mbajtur vetëm nga pesë minuta me secilin kandidat.

kam qëndruar në sallë, por kam hequr dorë nga shtrimi i pyetjeve. I numëroj tre kandidatë që janë vlerësuar nga kryetarja e Komisionit pa qenë ajo fare prezente. Në këtë proces vetëm vlerësim nuk ka pasur”, u ka thënë ai kolegëve të tij. Sipas Ukës, kandidatët me CV të pasura janë vlerësuar me nota 5. “Kandidatët që herën e kaluar i keni vlerësuar me nota 10, kësaj radhe i keni vlerësuar me nota 5. Me këtë mund ta di se si jeni marrë vesh dje edhe sot që t’ju dalë matematika, keni tentuar që ta thyeni ligjin duke provuar të dërgoni emra që nuk kanë të bëjnë me kuotën gjinore”, ka thënë ai në mbledhje.

Gazeta ka siguruar listën e vlerësimit për 29 kandidatë, nga 45 sa janë gjithsej. Sipas të dhënave në këtë listë, kandidatët janë vlerësuar nga shtatë deputetë. Bie në sy se disa prej tyre janë vlerësuar me nga 10 pikë nga shumica e deputetëve që kanë marrë pjesë në proces, duke arritur vlerësim maksimal. Ky fakt ka ngritur edhe dyshimet për një marrëveshje paraprake midis partive se kush duhet të jetë pjesë e KKTK-së. Sipas deputetit Uka, herën e kaluar Kuvendit i janë dërguar 13 emra që procesi të dështonte.

Historia e KKTK-së qysh prej themelimit ka qenë e zbehtë.

Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin e kaluar është paguar 60 mijë e 913 euro. Është organ mbështetës profesional, administrativ dhe teknik për nevojat e Këshillit. Pagesa që i bën shteti një sekretariati me shërbyes civilë që nuk ka kujt t’i shërbejë konsiderohet e papranueshme për ekspertë të trashëgimisë kulturore e për deputetë. Sekretariati në përgjithësi ka shpenzuar 147 mijë e 264 euro. Prej vitit 2009, kur është themeluar, Këshilli nuk ka qenë funksional deri më 2015. Asokohe qenë emëruar shtatë anëtarët, të cilëve u ka përfunduar mandatit trevjeçar në korrik të vitit 2018. Për krejt këtë periudhë anëtarët kishin arritur që të përcaktonin vetëm 23 monumente për Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.

Ndër vite “Koha Ditore” ka raportuar për shpenzimet e këtij organi jofunksional, i cili detyrë parësore ka vlerësimin e propozimeve për asetet që përfshihen në Listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, harton politika e strategji në këtë fushë.

Ndër të tjera, për shtatë vjet kishte shpenzuar hiç më pak se 200 mijë euro vetëm për qira në një objekt prej 600 metrash katrorë, ku ishte vendosur stafi prej shtatë anëtarësh. Po ashtu, për “punë” jashtë orari bëheshin pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.

Sivjet Kuvendi i Kosovës përmes konkursit kishte vendosur që ta funksionalizojë KKTK-në. Një gjë e tillë është bërë me gjithë faktin se qysh prej vitit 2018 është paralajmëruar shuarja e KKTK-së e shkrirja e administratës së këtij organi me atë të Ministrisë së Kulturës. Madje vitin e kaluar ishte përgatitur edhe një projektligj pikërisht për këtë çështje. Përderisa shuarja ka ngelur pezull qysh prej dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në korrik të vitit të kaluar, Kuvendi është duke zbatuar Ligjin aktual për trashëgimi kulturore që ta funksionalizojë KKTK-në.

Në maj të vitit të kaluar gazeta kishte raportuar se asokohe Ministria e Administratës Publike kishte hartuar Projektligjin për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore, në të cilin parashihej që KKTK-ja do të pushojë së ekzistuari e stafi administrativ të vendoset në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Projektligji kishte për bazë koncept-dokumentin për valën e parë të racionalizimit dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies për agjencitë të cilat funksionojnë në Kuvendin e Kosovës. Sipas Projektligjit, mandati i KKTK-së do të transferohet në Departamentin për Trashëgimi Kulturore në MKRS.

KKTK-ja më 2017 kishte shpenzuar në total 152 mijë e 138 euro, prej tyre 108 mijë e 338 vetëm për paga e mëditje. Për vitin 2018 janë shpenzuar 152 mijë e 457 euro. Për sivjet, ky Këshill kishte në dispozicion buxhet prej 215 mijë eurosh.