Deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion dhe Kulturë nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për emrat që do t’iu propozohen deputetëve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Por, përkundër kësaj, midis akuzave për politizim e shkelje ligjore, janë dhënë shtatë emra kandidatësh. Kjo është tentativa e dytë brenda katër muajsh që Kuvendi i Kosovës ta funksionalizojë organin e themeluar prej tij
Prishtinë, 15 dhjetor – Pas shumë diskutimeve e kritikave për pazare e mosrespektim të kriterit gjinor, Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion dhe Kulturë ka dërguar në Kryesi të Kuvendit shtatë emrat e të propozuarve për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Tash mbetet në dorë të Kryesisë që t’i propozojë për votim në njërën nga seancat e Kuvendit emrat e dërguar nga Komisioni.
Filko Jovanoviq, Lulëzim Nika, Muhamer Ibriqi, Smajl Shala, Tomor Kastrati, Enis Salla dhe Beqir Berisha, janë përzgjedhur nga Komisioni. Ishin intervistuar 45 kandidatë. Ky është tentimi i dytë brenda katër muajsh që t’i jepet epilog zgjedhjes së anëtarëve të KKTK-së, jofunksional që prej verës së vitit 2018.
Kuvendi kishte dështuar që t’i zgjidhte anëtarët e KKTK-së më 21 shtator të këtij viti. Asnjë prej 13 kandidatëve të propozuar nuk i kishte marrë votat e nevojshme. Tash anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë kanë vendosur të dërgojnë vetëm shtatë emra në Kuvend. Ligji për trashëgimi kulturore nuk e përcakton qartë se si bëhet zgjedhja e anëtarëve të Këshillit. Pikërisht për këtë arsye, KKTK-ja nuk ishte funksionalizuar prej vitit 2009 deri më 2015.
Nga 45 kandidatë të intervistuar më 25 nëntor, anëtarët e Komisionit kanë vlerësuar me shumicë votash shtatë prej tyre. Por në këtë mes nuk përmbushet kriteri gjinor, pasi janë gjashtë burra dhe një grua. Sipas deputetit Fitim Uka, duhet të jenë se paku dy gra. Sipas tij, në këtë rast anëtarët e Komisionit kanë shkelur Ligjin për barazi gjinore.
“Ne nuk kemi votuar dhe të tjerët kanë zgjedhur që të vazhdohet ashtu”, ka thënë Uka, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai me bashkëpartiakun Jahja Koka nuk kanë qenë të pajtimit që ajo listë me shtatë propozime të përcillet në Kryesi. Gazeta ka mësuar që deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka abstenuar, kurse deputetë të tjerë të pranishëm kanë votuar pro të hënën, kur edhe është mbajtur mbledhja.
Për Lëvizjen Vetëvendosje ky vlerësim është bërë pas pazarit që kanë bërë partitë e tjera për kandidatë për anëtarë të KKTK-së, të cilët kanë mandate trevjeçare.
Javën e kaluar gazeta kishte kontaktuar me kryetaren e Komisionit, Valentina Bunjaku-Rexhepi. Por ajo nuk kishte pranuar të fliste për procesin. Vetëm kishte thënë se në ditët në vazhdim do të ketë mbledhje të Komisionit.
Ligji për barazi gjinore përcakton të tjera kritere sa i përket barazisë gjinore në institucione publike.
“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe në institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”, përcaktohet në nenin 8 të Ligjit.
Ashtu sikurse javën e kaluar, deputeti Fitim Uka ka thënë se procesi është përcjellë me shkelje të panumërta.
“Ju keni pasur marrëveshje. Ka qenë e qartë nga fillimi. Kjo çfarë ka ndodhur është e papranueshme. Keni anuluar mbledhjen e përgatitjes për vlerësim. Ka qenë e çuditshme se si jeni marrë vesh për mënyrën e vlerësimit. Keni mbajtur intervista vetëm nga pesë minuta”, kishte thënë ai të mërkurën e javës së kaluar në mbledhjen e Komisionit. Intervistat ishin mbajtur vetëm nga pesë minuta me secilin kandidat.
Sipas Ukës, kandidatët me CV të pasura janë vlerësuar me nota 5. “Kandidatët që herën e kaluar i keni vlerësuar me nota 10, kësaj radhe i keni vlerësuar me nota 5. Me këtë mund ta di se si jeni marrë vesh dje edhe sot që t’ju dalë matematika, keni tentuar që ta thyeni Ligjin, duke provuar të dërgoni emra që nuk kanë të bëjnë me kuotën gjinore”, kishte thënë ai në mbledhje.
Gazeta ka siguruar listën e vlerësimit për 29 kandidatë, nga 45 sa janë gjithsej. Sipas të dhënave në këtë listë, kandidatët janë vlerësuar nga shtatë deputetë. Bie në sy se disa prej tyre janë vlerësuar me nga 10 pikë nga shumica e deputetëve që kanë marrë pjesë në proces, duke arritur vlerësim maksimal. Ky fakt ka ngritur edhe dyshimet për një marrëveshje paraprake midis partive se kush duhet të jetë pjesë e KKTK-së. Sipas deputetit Uka, herën e kaluar Kuvendit i janë dërguar 13 emra që procesi të dështonte.
Historia e KKTK-së qysh prej themelimit ka qenë e zbehtë.
Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin e kaluar është paguar 60 mijë e 913 euro. Është organ mbështetës profesional, administrativ dhe teknik për nevojat e Këshillit. Pagesa që ia bën shteti një sekretariati me shërbyes civilë që nuk ka kujt t’i shërbejë konsiderohet e papranueshme për ekspertë të trashëgimisë kulturore e për deputetë. Sekretariati në përgjithësi ka shpenzuar 147 mijë e 264 euro. Prej vitit 2009, kur është themeluar, Këshilli nuk ka qenë funksional deri më 2015. Asokohe qenë emëruar shtatë anëtarët, të cilëve u ka përfunduar mandatit trevjeçar në korrik të vitit 2018. Për krejt këtë periudhë anëtarët kishin arritur që të përcaktonin vetëm 23 monumente për Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme.
Ndër vite “Koha Ditore” ka raportuar për shpenzimet e këtij organi jofunksional. Ndër të tjera, për shtatë vjet kishte shpenzuar hiç më pak se 200 mijë euro vetëm për qira në një objekt prej 600 metrash katrorë, ku ishte vendosur stafi prej shtatë anëtarësh. Po ashtu, për “punë” jashtë orarit bëheshin pagesa deri në 400 euro në muaj. Prej shtatorit të vitit 2016, KKTK-ja është vendosur në kontejnerët afër ish-Pallatit të Shtypit.
Sivjet Kuvendi i Kosovës përmes konkursit kishte vendosur që ta funksionalizojë KKTK-në. Një gjë e tillë është bërë me gjithë faktin se qysh prej vitit 2018 është paralajmëruar shuarja e KKTK-së e shkrirja e administratës së këtij organi me atë të Ministrisë së Kulturës. Madje vitin e kaluar ishte përgatitur edhe një projektligj pikërisht për këtë çështje. Përderisa shuarja ka ngelur pezull qysh prej dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në korrik të vitit të kaluar, Kuvendi është duke zbatuar Ligjin aktual për trashëgimi kulturore që ta funksionalizojë KKTK-në.
Në maj të vitit të kaluar gazeta kishte raportuar se asokohe Ministria e Administratës Publike kishte hartuar Projektligjin për plotësimin e ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore, në të cilin parashihej që KKTK-ja do të pushonte së ekzistuari e stafi administrativ të vendosej në kuadër të Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Projektligji kishte për bazë koncept-dokumentin për valën e parë të racionalizimit dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies për agjencitë të cilat funksionojnë në Kuvendin e Kosovës. Sipas Projektligjit, mandati i KKTK-së do të transferohet në Departamentin për Trashëgimi Kulturore në MKRS.
KKTK-ja më 2017 kishte shpenzuar në total 152 mijë e 138 euro, prej tyre 108 mijë e 338 vetëm për paga e mëditje. Për vitin 2018 janë shpenzuar 152 mijë e 457 euro. Për sivjet ky këshill kishte në dispozicion buxhet prej 215 mijë eurosh.