Edhe Portugalia njeh shtetin e Palestinës
Portugalia është bërë vendi i katërt sot që ka njohur pavarësinë e Palestinës, pas Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Australisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Portugalisë, Paulo Rangel, ka njoftuar të dielën se vendi i tij ka njohur formalisht shtetin e Palestinës, raportoi Reuters.
Në një deklaratë për media, Rangel theksoi se kjo njohje është realizimi i një linje të qëndrueshme dhe të rëndësishme të politikës së jashtme portugeze.
Ai e bëri këtë njoftim gjatë një konference shtypi në selinë e Misionit të Përhershëm të Portugalisë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork.
Rangel e përshkroi njohjen e shtetit të Palestinës si hap të domosdoshëm për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme, duke deklaruar se Portugalia mbetet e angazhuar për zgjidhjen me dy shtete, si rruga e vetme për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Ai shtoi se ndalimi i luftimeve është urgjent dhe kërkoi ndërprerje të menjëhershme të dhunës.
Në një aspekt të rëndësishëm të deklaratës së tij, Rangel theksoi se grupi Hamas nuk mund të ketë asnjë lloj kontrolli, as në Gaza dhe as jashtë saj, dhe kërkoi që të lirohen të gjithë pengjet.
Ai dënoi ashpër situatën e urisë, si dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, një veprim që, sipas tij, po përkeqëson më tej tensionet në rajon.
Kjo hapje e re në politikën ndërkombëtare të Portugalisë, megjithëse është përshëndetur nga shumë vende, është përhapur edhe me kritika nga ata që njohjen e shtetit të Palestinës e shohin si akt që mund të rëndojë marrëdhëniet me Izraelin dhe të ndërlikojë më tej përpjekjet për paqe.
Hamasi e vlerëson hap të rëndësishëm njohjen e shtetit palestinez nga Britania, Australia e Kanadaja
Grupi i armatosur Hamas e ka mirëpritur lajmin se Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia e kanë njohur zyrtarisht një shtet palestinez, raporton “BBC”.
Hamasi njihet nga Britania e Madhe dhe shumë shtete tjera si organizatë terroriste.
“Kjo njohje është një hap i rëndësishëm në afirmimin e të drejtës së popullit tonë palestinez për tokën dhe vendet e tyre të shenjta, dhe për krijimin e shtetit të pavarur të tyre me Jerusalemin kryeqendër të tij”, thuhet në deklaratën e Hamasit, raporton “BBC”.
Por, Hamasi ka thënë se ky veprim duhet shoqëruar me “masa praktike” që do të çonin në një fund të menjëhershëm të luftës në Gazë dhe të sfidoheshin planet për vendbanime hebraike në Bregun Perëndimor.
Hamasi po ashtu i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe OKB-së që “të ndërpriten gjitha format e bashkëpunimit dhe koordinimit” me Izraelin.
Netanyahu: S’do të ketë një shtet palestinez
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar pasi Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia edhe zyrtarisht e kanë njohur Palestinën shtet.
“Nuk do të ketë një shtet palestinez”, ka thënë Netanyahu në një videomesazh, transmeton “BBC”.
Ai ka thënë se me njohjen e Palestinës shtet po “shpërblehet terrorizmi”.
“Kam një mesazh të qartë për ata udhëheqës që njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit – ju po i jepni një shpërblim të madh terrorizmit. Dhe kam një mesazh tjetër për ju – kjo s’do të ndodhë. Një shtet palestinez nuk do të krijohet në perëndim të lumit Jordan”, tha Netanyahu.
Ai tha se me vite ka penguar krijimin e “këtij shteti terrorist” përkundër presionit të madh.
“Në të vërtetë, ne dyfishuam vendbanimet hebraike në Judea dhe Samaria – dhe do të vazhdojmë këtë rrugë”, tha ai.
Ai ka thënë se “një përgjigje ndaj përpjekjes së fundit për të imponuar një shtet terrorist në zemër të vendit tonë” do të jepet pasi të kthehet nga SHBA-ja, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.
Netanyahu zotohet “ta luftojë” njohjen e shtetit palestinez nga Britania
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se "bashkësia ndërkombëtare do të dëgjojë nga Izraeli" teksa vendet vendosin të njohin një shtet palestinez.
"Do të na duhet të luftojmë si në OKB ashtu edhe në të gjitha fushat e tjera kundër propagandës së rreme kundër nesh dhe thirrjeve për krijimin e një shteti palestinez që do të rrezikojë ekzistencën tonë dhe do të përbëjë një shpërblim absurd për terrorizmin", ka thënë Netanyahu të dielën.
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë njohur shtetin palestinez të dielën, pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së.
Ky veprim është kryesisht simbolik, por Mbretëria e Bashkuar shpreson se mund të rrisë presionin diplomatik për t'i dhënë fund konfliktit në Gazë dhe për të hapur rrugën për paqe të qëndrueshme.
Kjo vjen përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë, ku vende të tjera, përfshirë Francën, Portugalinë dhe Belgjikën, po përgatiten gjithashtu të njohin një shtet palestinez.
Më shumë se 140 vende kanë ndërmarrë tashmë hapin për të njohur një shtet palestinez, por vendimet e Francës dhe Britanisë janë të rëndësishme pasi të dyja janë anëtare të Grupit të Shtatë dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Starmer: Njohja e shtetit palestinez, s’është shpërblim për Hamasin
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë të dielën se njohja e shtetit palestinez, nuk është shpërblim për Hamasin.
Teksa ka shpallur njohjen përmes një videomesazhi, Starmer ka thënë se është takuar me familjet britanike të pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gazë dhe sheh "torturën që ata durojnë çdo ditë" dhe dhimbjen që godet thellë në zemrat e njerëzve në Izrael dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Pengët duhet të lirohen menjëherë, thotë Starmer, duke shtuar se "ne do të vazhdojmë të luftojmë për t'i kthyer ata në shtëpi".
"Thirrja jonë për një zgjidhje të vërtetë me dy shtete është e kundërta e vizionit të urryer (të Hamasit)", ka thënë ai.
"Kjo zgjidhje nuk është një shpërblim për Hamasin", ka shtuar ai, sepse kjo do të thotë që Hamasi nuk mund të ketë të ardhme, asnjë rol në qeveri dhe asnjë rol në siguri.
Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia njohin shtetin e Palestinës
Kanadaja, Australia dhe Britania e Madhe janë bërë shtetet e para që kanë zyrtarizuar njohjen ndaj shtetit të Palestinës.
Kanadaja është shteti i parë i grupit të vendeve të zhvilluara G7 që ka njoftuar njohjen.
Shtetet e tjera që kanë paralajmëruar njohjen e shtetit palestinez janë edhe Franca, Belgjika, Portugalia e Malta.
Njohjet vijnë një ditë para mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, në të cilën liderët kryesorë shtetërorë do të flasin për Palestinën.
Më 22 shtator, Kombet e Bashkuara do të rifillojnë konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për zgjidhjen paqësore të çështjes së Palestinës dhe zbatimin e zgjidhjes me Dy Shtete, të bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite.
Konferenca do të riafirmojë angazhimet ndërkombëtare ndaj zgjidhjes me dy shtete dhe do të kërkojë të mobilizojë mbështetje për zbatimin e saj.
Kryeministri izraeli, Benjamin Netanyahu më parë ka kundërshtuar vendet që njohin shtetësinë palestineze, duke thënë se kjo "shpërblen terrorin e Hamasit" dhe "forcon" "refuzimin" e grupit për të liruar pengjet".
Familjet e atyre që ende mbahen në Gazë kanë shprehur gjithashtu shqetësim. Në një letër të hapur drejtuar Starmerit, ato thonë se njohja "komplikon përpjekjet për të sjellë të dashurit tanë në shtëpi".
Ndërkohë, ofensiva tokësore e Izraelit në Qytetin e Gazës vazhdon. Vetëm të dielën kanë mbetur të paktën 30 të vrarë nga sulmet izraelite.
Mbretëria e Bashkuar njeh shtetin palestinez
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer ka njoftuar të dielën njohjen e shtetit palestinez.
Në një video të postuar në mediat sociale, Starmer thotë se “Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe të një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur së bashku me një shtet të qëndrueshëm palestinez - për momentin nuk e kemi asnjërën”.
Ai më pas vazhdon duke thënë se momenti për njohjen e shtetësisë palestineze "tani ka ardhur".
"Pra, sot, për të ringjallur shpresën e paqes dhe një zgjidhjeje me dy shtete, unë deklaroj qartë, si kryeministër i këtij vendi të madh, se Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”.
Njohjen e kanë bërë edhe Kanadaja e Australia.
Australia njeh shtetin palestinez
Australia sapo ka njoftuar gjithashtu njohjen e shtetit palestinez, duke iu bashkuar Kanadasë.
Njohjen pritet ta bëjë edhe Britania e Madhe të dielën.
Njohjet vijnë një ditë para mbajtjes së Asamblesë së përgjithshme të OKB-së të hënën në New York, ku pritet që liderët kryesorë botërorë të flasin rreth Palestinës.
Kanadaja bëhet vendi i parë i G7-s që njeh shtetin e Palestinës
Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka njoftuar të dielën se Kanadaja njeh shtetin e Palestinës.
Në një deklaratë të postuar në llogarinë e tij X, Carney thotë: "Kanadaja njeh Shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin tonë në ndërtimin e premtimit të një të ardhmeje paqësore si për Shtetin e Palestinës ashtu edhe për Shtetin e Izraelit”.
Njohjen të dielën pritet ta shpallë edhe Britania e Madhe.
Britania - anëtari i parë i G7-s që do ta njohë shtetin palestinez
Njohja e një shteti palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, do ta bënte këtë shtet të Evropës, të parin nga vendet e G7-s, që bën një veprim të tillë.
Organizata, e përbërë nga shtatë ekonomitë më të mëdha të botës, të ashtuquajturat "të përparuara", dominon tregtinë globale dhe sistemin financiar ndërkombëtar.
Franca dhe Kanadaja kanë paralajmëruar gjithashtu plane për njohjen e Palestinës, por pritet ta bëjnë këtë zyrtarisht në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka thënë në korrik se ajo kishte qenë prej kohësh e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete si pjesë e një procesi paqeje të negociuar.
Por, duke përmendur zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza, ai ka thënë se "kjo qasje nuk është më e qëndrueshme".
Në njoftimin e tij në të njëjtin muaj, presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se duke qenë "besnik ndaj angazhimit të saj historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë Shtetin e Palestinës".
"Ne gjithashtu duhet të garantojmë demilitarizimin e Hamasit dhe të sigurojmë dhe rindërtojmë Gazën",ka shtuar Macron.
SHBA-ja e cila ka kritikuar qëndrimet e anëtarëve të tjerë të G7-ës, ka thënë se "nuk ka plane" të ndjekë shembullin e tyre.
Tre vendet e mbetura të G7-ës, Italia, Gjermania dhe Japonia, gjithashtu nuk janë zotuar për njohje.
Njohja e Palestinës nga Britania, familjet e pengjeve izraelite i shkruajnë Starmerit
Njohja e Palestinës e paralajmruar nga kryeministri britanik, Keir Starmer, se do të ndodhë të dielën, është pritur me kritika të ashpra si nga qeveria izraelite ashtu edhe nga disa familje të pengjeve izraelite që mbahen ende robër nga Hamasi në Gaza.
Në një letër të hapur të botuar të shtunën, një grup prej 16 të afërmsh të pengjeve të marra më 7 tetor 2023 nga Hamasi, i kanë kërkuar kryeministrit të mos vazhdojë me planin e tij për të njohur një shtet palestinez.
"Njoftimi juaj i keq për qëllimin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka komplikuar në mënyrë dramatike përpjekjet për të sjellë të dashurit tanë në shtëpi", thuhet në të.
"Hamasi tashmë e ka festuar vendimin e Mbretërisë së Bashkuar si një fitore dhe ka shkelur një marrëveshje armëpushimi. Ju shkruajmë me një lutje të thjeshtë - mos e ndërmerrni këtë hap derisa të dashurit tanë të jenë në shtëpi dhe në krahët tanë”, thuhet më tej në letër.
Britania e Madhe nuk është shteti i vetëm që ka njoftuar se do ta njohë shtetin Palestinez. Edhe Franca, Belgjika, Portugalia, Malta e Kanadaja kanë bërë paralajmërim të ngjashëm.
Ato kanë thënë se do ta njohin shtetin palestinz në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do ta mbahet të hënën në New York.