Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Jetëpërshkrimi i Ahmet Brahimajt

Teatrin e konsideronte shtëpi, e balerinët anëtarë të familjes.

Ahmet Brahimaj, i cili ishte nismëtar i baletit në Kosovë, vdiq sot në moshën 66-vjeçare.

I lindur në Novosellë të Pejës në vitin 1953, Shkollën e Mesme të Baletit e kreu në Shkup.

Brahimaj, i cili i takon gjeneratës së parë të Baletit në Kosovë, në vitin 1972, së bashku me balerinët e tjerë u kthyen në Prishtinë për ta themeluar Ansamblin e Baletit.

Si solist i kësaj trupe, Ahmet Brahimaj ka luajtur në të gjitha shfaqjet që u realizuan asokohe. Lëvizjet e tij prej balerini i mishëroi në rolet e 38 shfaqjeve të baletit dhe në shumë premiera të tjera të dramës.

Ahmet Brahmaj ishte kontribuuesi kryesor i rithemelimit të Shkollës së Baletit, respektivisht Baletit Kombëtar të Kosovës, ku shërbeu si drejtor nga viti 1985 e deri në pensionim.

Pas luftës, së bashku me kolegët e tij hapën Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, në Prishtinë. Klasa e Ahmet Brahimajt u diplomua në vitin 2005, dhe është gjenerata e parë pas luftës.

Balerini Brahimaj nuk iu dorëzua asnjëherë vështirëve për ta ngritur nivelin e baletit kosovar. Në vitin 1990 u larguan me dhunë nga teatri. Pas luftës, kur jeta institucionale u rikthye, Brahimaj e kuptoi shpejt se më nuk i përkiste skenës.

Suksesin e shfaqjeve të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmetaj gjithmonë ia atribuonte gjeneratës së re të balerinëve. Duartrokitjet dhe sukseset e tyre i konsideronte si shfaqjen më të mirë.

Edhe pse një jetë qëndroi në skenë dhe pranë saj, edhe Brahimaj mbeti me një peng.

Në vitin 2011, me Urdhrin e presidentit të Kosovës, me rastin e 28 Nëntorit, Ahmet Brahimaj u nderua me çmimin e madh “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e Artit të Baletit në Kosovë.

Ahmet Brahimaj u varros sot në fshatin e lindjes.

Artikuj të ngjashëm