Kulturë

Ahmet Brahimaj – idealisti i baletit të Kosovës

Për Ahmet Brahimajn, së paku nja dy dekada, mbrëmja e së enjtes nuk ishte e zakonshme. Do ta gjente në krye të shkallëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës tek priste mysafirët e ndonjë reprize a premiere të Baletit Kombëtar të Kosovës. Në repertor, ajo gjithherë ke qenë e rezervuar për shfaqje baleti.

Pikërisht në këtë ditë, një pjesë e shkurtër e shfaqjes “Exil” është interpretuar nga tetë balerinë poshtë shkallëve të Teatrit. Ka qenë një përshëndetje artistike për balerinin e drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj. Fotografia me portretin e tij ka qëndruar në hyrje të Teatrit.

Balerini i gjeneratës së parë të baletit në Kosovë, e rithemeluesi i këtij institucioni, vdiq mëngjesin e së enjtes në fshatin e lindjes, Novosellë të Pejës. Ai ishte 66-vjeçar. Vdekja e tij është konsideruar humbje e madhe për artin e kulturën në vend. Është përshkruar si njeri fisnik në jetë e në profesion. Pas luftës së fundit në vend për gati dy dekada ishte drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës e nga fundi i vitit 2018, kryetar i Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Prej më shumë se një viti vuante nga një sëmundje e rëndë. Figurat politike e ato të artit e kanë vlerësuar si personin më të rëndësishëm të baletit në vend.

“Ne nuk e dinim atëherë se çka është baleti...”

Ahmet Brahimaj u lind më 6 dhjetor të vitit 1953. Ishte në vitin e parë të shkollës së mesme në Pejë kur autoritetet e asokohshme të Krahinës Socialiste të Kosovës do të vendosnin që një gjeneratë e të rinjve të edukohej për balet. Brahimaj do të përzgjidhej gjatë audicionit të mbajtur në disa shkolla të Kosovës.

“Ne nuk e dinim atëherë se çka është baleti. Nuk kishim parë as në televizor”, do të rrëfente ai kur e përshkruante atë periudhë. Kështu, grupi i parë i nxënësve nga viti 1968 deri më 1972 do të përfundonte shkollën e baletit në Shkup. E më 1972, ai së bashku me balerinët e tjerë u kthyen në Prishtinë e pikërisht atë vit, në atë që ishte Teatri Popullor Krahinor, do të formohej Ansambli i Baletit. Brahimaj ishte bërë solist duke luajtur në të gjitha shfaqjet e inskenuara. Janë gjithsej 38 premiera baleti. “Karmen” ku luante Don Hosen, “Romeo e Xhuljeta” në rolin e Romeos, “Era dhe Kolona” si komandanti, “Besa” ku luante princin e “E bukura More” ku portretizonte Thanasin, janë disa prej roleve që u dha shpirt.

Pos baletit do të angazhohej në shumë drama. Në vitin 1985 do të zgjidhej drejtues i Ansamblit të Baletit. E një vit më vonë për arritjet e institucionit nën drejtimin e tij do të dekorohej me “Plaketën e Teatrit Popullor Krahinor”. Për atë kohë përshkruhet si një balerin i zoti e udhëheqës racional.

Kolegia e tij, balerina Sabrije Spahiu, të enjten derisa nuk ka arritur t’i mbajë lotët, ka thënë se arti e kultura kanë humbur një artist të përmasave të mëdha e shoqëria e tij një mik të vërtetë. Anëtarët e Ansamblit të Baletit do të ishin ndër të parët që kishin braktisur vendet e punës në fillim të viteve ‘90 shkaku i masave represive të pushtetit serb. Ishte koha kur jeta kulturore më nuk zhvillohej brenda institucioneve.

“Me Ahmetin bënim disa duete duke u munduar që ta mbanim sado pak gjallë jetën kulturore në atë kohë të vështirë”, ka thënë balerina Sabrije Spahiu. Brahimaj para e pas luftës ishte edhe anëtar i këshillave drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës e i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”.

Rithemeluesi i ansamblit

Pranvera e vitit 1999 do ta gjente në Maqedoni si refugjat. E prej atje i kishte rënë hise që po si refugjat të udhëtonte drejt Kanadasë. Do të sistemohej në profesionin e tij. Por kur në qershor të atij vitit do të merrte lajmin se Kosova ishte çliruar, kishte vendosur që të kthehej. Synimi i tij ishte i qartë: rithemelimi i trupës së baletit.

“Një idealist e njeri kombëtar i papërmirësueshëm”, e ka përshkruar kolegia e tij Sabrije Spahiu, pas homazheve që janë mbajtur në mesditën e së enjtes në shkallët e TKK-së. Ka qenë e pamundur të organizohet ndonjë ceremoni më e madhe shkaku i masave të marra për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Një pjesë e shfaqjes “Exil” me koreografi të Eno Peçit, që është dhënë premierë në dhjetor të vitit të kaluar, është luajtur në shenjë lamtumire. Shfaqja ishte konceptuar si një përshkrim i ikjes së njerëzve nëpërmjet artit të lëvizjes. E ikja e Brahimajt i ka nxjerrë balerinët në sheshin para Teatrit në një performancë të pazakonshme. Sipër tyre ka qëndruar fotografia e Brahimajt. Të pranishmit kanë bërë homazhe, përfshirë ministren në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi, e ish-ministrin Kujtim Shala, e më pas edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Të enjten është varrosur në fshatin e tij të lindjes.

Artistë, kolegë e miq të Brahimajt, po ashtu, janë përkulur para fotografisë së tij në shenjë nderimi.

Teatri do të ishte shtëpia e tij edhe pas kthimit nga Kanadaja. Në vitin 2001 do të mblidhte kolegët e vjetër për të inskenuar shfaqjen “Fyelltari”, premiera e së cilës u dha më 17 qershor. Shfaqja me koreografi të francezit Olivier Viaud do të kishte edhe tri repriza. Shërbeu si një intro e një projekti më të madh që Brahimaj po e bluante në kokë. I kishte hyrë mendja që të shkolloheshin disa të rinj në mënyrë që të rithemelonte ansamblin e baletit. Së bashku me disa kolegë formuan klasën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Klasa e Ahmet Brahimajt u diplomua në vitin 2005, dhe është gjenerata e parë pas luftës e njëherësh edhe bërthama e atij që sot është Baleti Kombëtar i Kosovës. Prej vitit 2003 nxënësit i nxirrte në skenë me premiera. Tashmë kur ata ishin të gatshëm, i duhej edhe një tjetër veprim: institucionalizimi i Baletit Kombëtar të Kosovës. Këtë e arriti duke qenë pjesë e grupit punues për Ligjin e operës, filarmonisë dhe baletit, që u miratua në Kuvendin e Kosovës më 2005.

Pëllumb Agalliu në fund të viteve ’70 të shekullit të kaluar ishte solist e ndihmës i koreografit Panajot Kanaçi në Shqipëri. Asokohe do të vinte në Kosovë për të përgatitur shfaqjen “Halili e Hajria”. Prej viteve ’90 jeton e punon në Baku të Azerbajxhanit, ku ushtron profesionin si pedagog e koreograf. Ka punuar dy shfaqje me Baletin Kombëtar të Kosovës. Kthimin e Brahimajt nga Kanadaja për të rithemeluar Trupën e Baletit e ka përshkruar si një anë të fortë të një idealisti. Sipas tij, Brahimaj në kushte të vështira ka arritur që të formojë një trupë baleti, së cilës ia kanë lakmi edhe vendet e zhvilluara.

“Faktikisht teatrin e bëri një shkollë. Aty u rritën balerinë e solistë. Ky ishte karakteri i tij i fortë për të arritur diçka”, ka thënë Agalliu.

Gjatë udhëheqjes së Brahimajt, Baleti Kombëtar i Kosovës ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar, si turkun Mehmet Balkan, rusen Natalia Osipova, bullgaren Silvia Tomova, austriakun Darrel Toulon e kubanin Israel Rodriguez. Për punën e tij Brahimaj më 2010 do të dekorohej me urdhrin “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit të baletit në Republikën e Kosovës. Parisi, Hamburgu, Gjeneva, Napoli, Grazi e qytete të tjera evropiane janë bërë nikoqire të shfaqjeve të BKK-së nën udhëheqjen e Brahimajt.

Image

Homazhet në nderim të veprës së Ahmet Brahimajt janë bërë para Teatrit Kombëtar të Kosovës. Nxënësit e tij, balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, lamtumirën ia kanë dhënë edhe me pjesë të shfaqjes “Exil”