Në episodin e 24-t të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është themeluesi i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak.


 

Çanak: Opozita në Serbi s'do ndryshim sistemi, por vetëm rotacion pushteti

1 o. më parë / 21 sht 2025 20:53
Nenad Canak

Në një bisedë të gjatë në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, politikani nga Vojvodina, Nenad Çanak dha një pasqyrë të zymtë për gjendjen aktuale politike në Serbi, duke kritikuar jo vetëm regjimin e Aleksandar Vuçiqit, por edhe “të ashtuquajturën opozitë dhe mediat që pretendojnë se janë të pavarura”. Sipas Çanak, opozita nuk ka për qëllim të ndryshojë sistemin autoritar dhe të korruptuar në Serbi, por vetëm të zë vendin e atyre që aktualisht janë në pushtet.

“Media opozitare po do vetëm që të tjerë të jenë në pushtet dhe të tjerë t’i paguajnë”, ka thënë ai, duke theksuar se shumica e mediumeve që prezantohen si “të lira” në fakt prodhojnë liderë të opozitës “me porosi” – kush paguan, shfaqet në ekran; kush nuk paguan, zhduket nga debati publik.

Ai shtoi se rebelimi që po ndodh në Serbi nuk është kryengritje kundër fashizmit, por një reagim i përkohshëm dhe i paorganizuar ndaj një “gjendjeje pa identitet”, që nuk përbën trajtim të sëmundjes reale që po e gërryen vendin. 

“Ky është rebelim kundër simptomave, jo kundër diagnozës”, u shpreh ai, duke përdorur metaforën e sëmundjes për të përshkruar krizën politike dhe shoqërore në Serbi.

Çanak foli për mungesën totale të mediave të pavarura në Serbi dhe censurën që ka përjetuar vetë. 

“Jam ndaluar në të gjitha mediat elektronike në Serbi. Madje edhe një deklaratë ime u transmetua vetëm si përkthim nga përkthimi”, ka thënë ai, duke e quajtur këtë situatë absurde dhe dëshmi të kontrollit të plotë mediatik.

Ai shpjegoi pse këtë herë nuk është aktivisht në rrugë, ndonëse familjarët e tij janë – djali në ndihmë humanitare në Ukrainë dhe ish-bashkëshortja në arrest shtëpiak për pjesëmarrje në protesta. Sipas Çanak, pjesëmarrja e tij do të instrumentalizohej nga regjimi për të sulmuar protestat, duke e kthyer fokusin te ai dhe jo te kërkesat e qytetarëve.

“Ka karburant në rrugë, por nuk ka makinë ku të derdhet”, shtoi ai, duke vënë në dukje mungesën e një strukture politike të organizuar që do ta kanalizonte këtë energji në një ndryshim real. “Në vitin 2000 kishim DOS-in, partitë me program dhe marrëveshje konkrete. Sot kemi vetëm kërkesa për dorëheqje individuale, që nuk ndryshojnë asgjë”.

Për të, problemi themelor i Serbisë nuk është thjesht korrupsioni apo autoritarizmi, por mungesa e një diagnoze të saktë dhe e vërteta si pikënisje për ndryshim. 

“Serbia sot mbështetet mbi dy gjëra: gënjeshtra dhe interesin privat”, përfundoi Çanak.

 

Çanak: Serbia sot drejtohet nga kriminelë nën kontrollin personal të presidentit

1 o. më parë / 21 sht 2025 20:45
Nenad Čanak

Në një bisedë në podcastin PIKË, Nenad Çanak, themelues i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, ka thënë se pushteti aktual në Serbi është kapur nga kriminelë, të cilët veprojnë nën kontrollin e drejtpërdrejtë dhe jo-institucional të presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Pushteti ekzekutiv që e vuri nën këmbët e tij, u mor nga kriminelë që janë nën kontrollin personal të një grushti njerëzish, të udhëhequr nga kryetari aktual i shtetit”, deklaroi Çanak, duke përmendur emra konkretë si Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, të cilët, sipas tij, nuk kanë nevojë të “vërtetohen” si kriminelë, sepse veprimet e tyre tashmë janë të njohura dhe të dokumentuara.

Ai vuri në pah edhe rolin e figurave si Vojislav Shesheli, të cilin e quajti një “kriminel lufte në pension”, që, edhe pse ka vuajtur dënimin në Hagë, sot shfaqet si qytetar me të drejta të plota dhe influencë politike. 

“Nëse ky burrë e ka vuajtur dënimin, atëherë le t’i punësojmë të gjithë pedofilët e dënuar në çerdhe”, u shpreh me ironi Çanak.

Përmes shembullit të mënyrës se si funksionon sot punësimi në policinë serbe, ai ilustroi degradimin e institucioneve shtetërore. Sipas tij, njerëz pa asnjë përgatitje profesionale, të rekrutuar nga shërbimi sekret BIA me rekomandime politike nga SNS (Partia Progresive Serbe), marrin gradat më të larta në polici brenda pak muajsh. 

“Këta njerëz deri dje shisnin vetura nëpër sallone”, u shpreh ai, duke përmendur rastin e një figure që ai e quajti “shefi i dajakxhinjv”, i cili sot ka gradën e oficerit të lartë dhe akuzohet për sjellje të dhunshme dhe kërcënime ndaj studenteve të arrestuara.

Në kontrast me këtë realitet, Çanak e krahasoi regjimin aktual me atë të Sllobodan Millosheviqit, duke thënë se ndonëse ky i fundit shkaktoi dëme të mëdha dhe luftëra të tmerrshme, ai së paku mbështetej mbi institucione shtetërore. 

“Vuçiqi nuk mbështetet tek institucionet, por te kriminelët që i kanë grabitur ato”, ka thënë ai.
 

Çanak: Serbia u bë shtet falë Gjukanoviqit dhe pavarësisë së Malit të Zi

1 o. më parë / 21 sht 2025 20:12
Nenad Čanak

Në një diskutim në podcastin PIKË, themeluesi i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka deklaruar se Serbia u bë shtet i pavarur falë pavarësisë së Malit të Zi dhe liderit të tij, Milo Gjukanoviq. 

Sipas Çanak, Serbia nuk mund të konsiderohej një shtet i plotë dhe funksional për shumicën e shekullit të 20-të. Ai argumentoi se në fakt, Serbia kishte qenë shtet vetëm për rreth 14 vjet gjatë asaj periudhe, ndërsa pjesën tjetër të kohës ishte pjesë e shteteve të tjera, duke përfshirë Jugosllavinë.
Në diskutim me publicistin Veton Surroi, Çanak e shpjegoi se, pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, u krijua mundësia që Serbia të shpallte pavarësinë, edhe pse kjo ndodhi vetëm pas një periudhe të gjatë e të ndërlikuar politike. Ai theksoi se një nga arsyet kryesore për këtë ndryshim ishte fakti që, në atë kohë, Vojislav Koshtunica, presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, e interpretoi shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi si humbjen e një “pjesë të vogël të territorit” të Jugosllavisë, duke e parë më shumë si një shkëputje formale se sa si një moment të ndarjes së plotë.

Përveç kësaj, Çanak diskutoi edhe mbi natyrën e shtetit serb, duke e quajtur atë një “vendnumëruese të shpejtësisë së dritës”, duke aluduar në faktin që, përkundër përshtypjeve të ndryshme dhe dramave politike, Serbia ka mbetur e ngurtë dhe pa zhvillim të qëndrueshëm për shumë kohë. Ai theksoi se, siç do të thoshte Vesna Peshiq, Serbia ka tendencën të mbetet në një cikël të përsëritur, pa kaluar në një fazë të vërtetë ndryshimi.

Në një pjesë tjetër të diskutimit, Çanak theksoi se Serbia, gjatë gjithë shekullit të 20-të, kishte projektuar një “Serbi të madhe” dhe se ideologjitë nacionaliste ishin shprehur fuqishëm përmes projekteve të ndryshme shtetformuese. 
 

Çanak: Gjithçka që kishte Gjermania naziste, kishte Serbia e Millosheviqit

1 o. më parë / 21 sht 2025 20:07
Nenad Čanak

Themeluesi i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka thënë se regjimi i Sllobodan Millosheviqit nuk ishte ndryshe nga Gjermania naziste. Çanak në podcastin PIKË me Veton Surroin u shpreh se “gjithçka që kishte Gjermania naziste, kishte Serbia e Millosheviqit”, duke argumentuar se politika dhe struktura e shtetit të Millosheviqit kishte shumë ngjashmëri me ato të përdorura nga regjimi i Adolf Hitlerit.

Sipas Çanak, gjatë periudhës së udhëheqjes së Millosheviqit, Serbia operonte në një mënyrë që mund të krahasohej me një regjim fashist, por që e mbështjelle në një formë legalizmi dhe një lloj vullnetarizmi. Ai e theksoi se, ndërkohë që në atë kohë kjo ishte më e fshehur, veprimet e atij regjimi ishin padyshim fashiste, edhe pse të maskuara si pjesë e një strukture shtetërore ligjore.
Në diskutimin me Surroin, Çanak sqaroi se gjatë periudhës së Millosheviqit, në Serbi u krijua një “kombinim i nacionalizmit që bazohej në ndërtimin socialist të shoqërisë”. 

Ai shtoi se regjimi serb ishte një regjim autokton nacionalsocialist, i cili funksiononte me shërbime sekrete të ngjashme me ato të Gjermanisë naziste, siç ishte “Gestapo” dhe “Kripo”, duke e krahasuar këtë sistem me strukturat e shtetit totalitar të nazistëve.

Çanak shprehu se Serbia e Millosheviqit kishte një shtet të rregulluar, pavarësisht se ideologjia komuniste ishte ende në përdorim. Ai theksoi se, megjithëse ligjet e asaj periudhe ishin të dhunshme dhe diskriminuese, ato ishin zbatuar me rregull dhe organizim, në mënyrë të ngjashme me regjimin nazist, ku edhe veprimet më mizore realizoheshin në përputhje me ligjet e vendit.
Në fund, Çanak e theksoi se Serbia e Millosheviqit, ashtu si dhe Gjermania naziste, kurrë nuk arriti të bëhej një shtet funksional dhe i organizuar në kuptimin evropian të fjalës.