Sa ishte në skenë, është një kapitull më vete. Kur doli në prapaskenë, një tjetër. Të dy kanë një të përbashkët: artistin fisnik të baletit të Kosovës. Ahmet Brahimaj ishte njeriu që ëndërronte e besonte se ky vend ka nevojë të frymojë me art. I bëri edhe të tjerët të besonin në këtë. E dëshmoi me rithemelimin e trupës së baletit, kur i bëri tok balerinët për një synim të përbashkët në atë që sot quhet Baleti Kombëtar i Kosovës
Ishte mëngjesi i hershëm i 14 marsit 2014. Baleti Kombëtar i Kosovës do të udhëtonte drejt Shqipërisë. Nisja fiks në orën 07:00. Kjo nënkuptonte se të gjithë balerinët, skenografia, rekuizitat e punëtorët e skenës duhet të ishin në autobus të paktën 15 minuta para orës kur ishte lënë nisja. Të gjithë e dinin që Ahmet Brahimaj do të ishte ndër të parët që do të dilte në Teatër. Disa balerinë, që kishte krijuar përshtypjen që nuk janë edhe aq të kujdesshëm në raport me bartjen e dokumenteve personale, i pyeste nëse i kishin me vete. Shikonte se a janë bërë gati krejt materialet e nevojshme.
Kolegu i tij i gjeneratës së parë, Rrustem Bajrami, ishte përgjegjës për muzikën e shfaqjeve. “A i ke CD-të me vete”, ishte pyetja që ia bënte shpesh. Kjo ishte shndërruar edhe në njëfarë humori brenda trupës së baletit. Brahimaj donte që gjithçka të ishte e përpiktë. Po u kthehej Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë pas plot 34 vjetësh. Tash po shkonte si drejtor i BKK-së, përderisa më 1980, atje, bashkë me kolegët kishin dhënë shfaqjen “Halili e Hajria”. Disponimi e përcillte gjatë gjithë kohës. Qëllimi i parë ishte mbërritja para orës 12:00. Në mesditë bashkë me Ilir Kernin, asokohe drejtor i TOB-it, e kishin lënë që të dilnin në një konferencë për media.
Në raport me profesionin i bënin përshtypje gjëra krejt të imta. Pak para kalimit të kufirit u kërkonte punëtorëve të skenës që të rrinin gati me dokumentet që kërkoheshin për skenografi. Udhëtimi për në Shqipëri e lumturonte. Disi donte të shkonte me vrull. Nëse këtë do ta bënte këmbë, do të shkonte në maje të gishtave. Nuk jetoi në maje të gishtave vetëm si balerin i gjeneratës së parë. Por edhe si njeri e edhe si themelues i atij që sot është Baleti Kombëtar i Kosovës. Ky institucion ka udhëtuar në disa qytet evropiane, ku është vlerësuar lart për nivelin që ka. Kjo llogaritet si një prej vlerave kryesore të ish-udhëheqësit.
“Ai nuk ka lënë trashëgimi një pikturë ose një film. Por një institucion. Madje institucion arti”, thotë kolegu i tij Jonuz Beqiraj.

Udhëtimi qoftë deri në Shqipëri, a kudo tjetër, kishte gati ritualin e njëjtë. Saktësinë dhe përgjegjësinë e daljes në skenë. Entuziazmin që s’iu zbeh asnjëherë. Atë që e kërkonte edhe tek ata për të cilët u bë udhërrëfyes i artit të lëvizjeve.
Brahimaj, i cili vdiq të enjten e 7 majit të vitit 2020, në moshën 66-vjeçare, jetën profesionale e kishte nisur më 1968. Disa lëvizje të tij si nxënës i vitit të parë të shkollës normale i kishin bërë përshtypje një jurie që ishte caktuar të përzgjidhte disa të rinj që do të përbënin gjeneratën e parë të balerinëve kosovarë, në atë që ishte Krahina Socialiste e Kosovës. Atë periudhë e përshkruante si një kohë kur po shkonin në Shkup për të përfunduar një shkollë baleti, por realisht nuk ia kishin idenë se çfarë do të bënin.
“Na dërguan në internat, por ne as gjuhën nuk e dinim mirë”, do të rrëfente shumë herë mes miqsh. E kishte përmendur edhe në një intervistë për KTV-në. Kështu po niste rrugën e artit një djalë i ri i fshatit Novosellë të Pejës. Ishte rritur në vendbanim kodrinor e kufitar rrëzë bjeshkës. Aty u preh përgjithmonë.
Një rol i mbetur peng
Kolegu i tij, Jonuz Beqiraj, ishte njohur me Brahimajn qysh në fillimet e karrierës. Ai rrëfen se në vitet sa kishin qëndruar në Shkup kishte vërejtur tiparet e një njeriu fisnik te Brahimaj.
“Unë isha pak më i vjetër. U lidhëm shumë me të e gjatë gjithë kohës me konsultonte. Ka qenë temperament. Ama, në kuptimin pozitiv të fjalës”, rrëfen Jonuzaj të premten, një ditë pasi mikut të tij i është dhënë lamtumira. Bashkë me kolegët e tjerë ishin kthyer në Prishtinë më 1972 për të formuar Ansamblin e Baletit në atë që ishte Teatri Popullor Krahinor. Brahimaj ishte bërë solist duke luajtur në të gjitha shfaqjet e inskenuara. Janë gjithsej 38 premiera baleti. “Karmen”, ku luante Don Hosen, “Romeo e Xhuljeta” në rolin e Romeos, “Era dhe Kolona” si komandanti, “Besa”, ku luante princin e “E bukura More”, ku portretizonte Thanasin, janë disa prej roleve që u dha shpirt. Në drama po ashtu ishte angazhuar shumë herë.
Jonuzaj e përshkruan si njeri besnik. I tillë ishte edhe në skenë, veçmas në jetë.
Në një intervistë për KTV-në, në vitin 2013, ku Brahimaj qetas shpaloste rrugëtimin e tij skenik, do të fliste edhe për rolet që ka luajtur e ato që i kanë ngelur merak.
“Kam pasur qejf ta luaj rolin e Konstandinit, por nuk më është dhënë. Më ka mbetur zhig”, kishte rrëfyer ai me një zë të ngrysët për një dëshirë të paplotësuar. Në skenë donte të portretizonte besnikun që zgjohet i vdekur për të mbajtur fjalën. Shpesh e shikonte orën për të qenë i saktë në kohë.
Të njëjtën gjë do ta bënte edhe gjatë rrugës për në Shqipëri para më shumë se gjashtë vjetësh. Fiks në orën 12:00 do të dilte në konferencë me Kernin, që tash është drejtor i Teatrit Kombëtar të Kroacisë në Split.
Interesimin e madh mediatik për atë konferencë, ku paralajmëroheshin dy shfaqje të Baletit kombëtar të Kosovës në Tiranë, “Dasma” dhe “Ballo e diplomës”, Brahimaj i kishte përdorur për të përçuar një mesazh. “Ne jemi shtete të varfra. E kjo ardhje e jona po bëhet lajm. Në kushte normale ardhjet tona te njëri-tjetri nuk do të duhej të përbënin lajm”, kishte thënë ai. Paraprakisht në shkurt të atij viti një delegacion i drejtorëve të institucioneve kulturore të Kosovës ishte takuar me homologët e Shqipërisë. Ishte pasditja e 13 marsit, kur pas takimit në një konferencë të përbashkët për media, ish-ministrat e Kulturës, Memli Krasniqi e Mirela Kumbaro-Furxhi, do të nxirrnin përfundimet. I vetmi Ahmet Brahimaj kishte diçka konkrete nga takimi: datat 15 dhe 16 mars, kur BKK-ja do t’i jepte dy shfaqje në Tiranë. Në natën e parë publiku kishte parë “Dasmën” me koreografi të Mehmet Ballkanit. Shfaqja ishte pritur mirë.
“Ky duhet të jetë shkolluar në Moskë”, ishte një nga komentet për pikën solo të Sinan Kajtazit, ku “fluturon” midis qirinjve. “Jo në Moskë, por unë ia kam rrahë këmbët me shtagë”, tallej Ahmet Brahimaj. Të nesërmen bashkë me Kernin kishin bërë bashkë balerinët e Shqipërisë dhe të Kosovës për të luajtur “Ballon e diplomës” me koreografi të Kernit këndej e andej kufirit.
Unik në vlera
Ilir Kerni ka thënë se dy fjalë zemre do të donte t’i shkruante për mikun e tij, por pena nuk është arti i tij. “Po ç‘rëndësi kanë fjalët që mundohem të zgjedh… Nuk mundet as sot e as mot të përsëritet si personalitet, si artist, si njeri. Mbetet unik në vlerë, për atë që la si veprimtar dhe aksionist në artin e baletit”, thotë Kerni. Sipas tij, Brahimaj ka lënë emër të mirë.
“Ti krijove dhe zhvillove në kushte shumë të vështira artin më të bukur dhe i le vendit tënd trashëgimi, institucion kulturor, as më shumë, as më pak, të denjë për me u quajt shtet vendi yt i dashur Kosova, në të gjithë mozaikun e institucioneve të tjera kulturore”, i drejtohet Brahimajt në vetë të parë. Ka përmendur se së bashku me Brahimajn prej vitit 2013 deri më 2016 ndërtuan teatrin e madh kombëtar, “kombëtaren e baletit shqiptar“.
“Por nuk është faji yt dhe as i imi që vazhdoj për pak kohë… Miku im, te jam mirënjohës për gjithçka. Ah me sa kënaqësi e pinim kafenë kur takoheshim. Kam dhimbje në gjoks sot, më ka shkuar një mik i mirë. Ndihem keq”.
Puna e madhe që bëhej në Baletin Kombëtar të Kosovës i bënte balerinët të dukeshin sikur kanë qenë në shkolla baleti me nam nëpër botë. Për atë shkak edhe në Tiranë thuhej se duhet të jenë shkolluar në Rusi. Pikërisht atje u lind dhe u shkollua Natalia Osipova. Gjyshja e saj ishte drejtoreshë e një shkolle baleti në Shën Petërsburg, kur ky qytet mbante emrin Leningrad. Osipova do të vijonte mësimet në Akademinë Ruse të Baletit, “Vaganova”. Ajo ka realizuar tri shfaqje me Baletin Kombëtar të Kosovës.
Thotë se Brahimaj ia dedikoi jetën baletit. Ka shtuar se ai si një mësues i vërtetë i ka mësuar nxënësit e tij të hyjnë në jetën e baletit e të jenë të bashkuar.
“Një Njeri me N të madhe që ia dedikoi jetën rikrijimit të trupës së baletit. Do të qëndrojë përherë afër nesh, nxënësve të tij e njerëzve të tjerë”, thotë Osipova. Dëshiron të vërë theksin në rikrijimin e trupës së baletit në Kosovë.
Kur më 1991 u rrit presioni serb mbi shqiptarët e Kosovës, Ansambli i Baletit ishte ndër të parët që braktisi jetën institucionale. Bëhej fjalë për kohë të vështira. Gjendja ekonomike ishte e rëndë. Brahimaj nuk punonte asgjë. E kishin lutur të bëhej pjesë e stafit të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Kishte refuzuar me arsyetimin se ai i takonte baletit. Në luftën e viteve 1998 dhe 1999 humbi nënën dhe vëllanë. Vetë kishte përfunduar në Kanada si refugjat.
Jonuz Beqiraj thotë se pas luftës, kur kishte marrë vesh se Brahimaj ishte në Kanada, i ishin shuar shpresat për profesionin e vjetër.
“Thashë më nuk do të mblidhemi e të merremi me balet, se s’ka kush na prin. Praktikisht Ahmetin e kishim udhëheqës prej vitit 1985”, kujton ai. Por Brahimaj kishte vendosur të kthehej. Ofertën e parë do ta merrte të bëhej pjesë e një partie politike. I ishte bërë një ofertë që do t’i krijonte njëfarë privilegji edhe ekonomik. Refuzoi.
“U mblodhëm e vendosëm që të bënim diçka për baletin”, kujton Beqiraj. Në vitin 2001 do të mblidhte kolegët e vjetër për të inskenuar shfaqjen “Fyelltari”, premiera e së cilës u dha më 17 qershor të atij viti. Shfaqja me koreografi të francezit Olivier Viaud do të kishte edhe tri repriza. Beqiraj thotë se Brahimaj vrapoi gjithandej për të hapur degën e baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”.
Guximi drejt ëndrrave
“A e dini pse ai ia ka dalë. Ka pasur guxim të hatashëm. Atë që e ka menduar e ka realizuar. T’i thuhet nuk mund ta shtysh bjeshkën me gjoks, ai është ngritë edhe me fisnikëri e ka bërë atë. Për këtë arsye ai ia ka dalë”, thotë bindshëm Beqiraj, tek rrudh sytë në mesditën e së premtes në “Breg të Diellit”, në Prishtinë.
Qysh prej vitit 2003 balerinët e rinj do të nisnin të jepnin premiera. Madje shpejt edhe nga katër në vit. Gjatë udhëheqjes së Brahimajt, Baleti Kombëtar i Kosovës ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar, si turkun Mehmet Balkan, rusen Natalia Osipova, bullgaren Silvia Tomova, austriakun Darrel Toulon e kubanin Israel Rodriguez. Për punën e tij, Brahimaj më 2010-n do të dekorohej me urdhrin “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit të baletit në Republikën e Kosovës. Parisi, Hamburgu, Gjeneva, Napoli, Grazi e qytete të tjera evropiane janë bërë nikoqire të shfaqjeve të BKK-së nën udhëheqjen e Brahimajt. Ai bënte miq gjithandej. Ishte mik i shumëkujt.
Pëllumb Agalliu në fund të viteve ‘70 të shekullit të kaluar ishte solist e ndihmës i koreografit Panajot Kanaçi në Shqipëri. Asokohe do të vinte në Kosovë për të përgatitur shfaqjen “Halili e Hajria”. Prej viteve ’90 jeton e punon në Baku të Azerbajxhanit, ku ushtron profesionin si pedagog e koreograf. Ka punuar dy shfaqje me Baletin Kombëtar të Kosovës. Kthimin e Brahimajt nga Kanadaja për të rithemeluar Trupën e Baletit e ka përshkruar si një anë të fortë të një idealisti.
“Me diplomaci të madhe e si një mik ka sjellë koreografë me emër që të punojnë shfaqje në Prishtinë. Janë koreografë që punojnë në trupa të mëdha në botë. Ka realizuar shfaqje që ua kanë lakmi alamet ansamblesh me traditë në botë”, thotë Agalliu nëpërmjet një komunikimi me telefon.
Darrel Toulon ka udhëhequr me Operën e Grazit. Ai ka realizuar shfaqje edhe në Baletin Kombëtar të Kosovës. Thotë se më 2014 ishte ftuar për të punuar me BKK-në dhe Brahimaj e ka bërë që të ndihet si në shtëpinë e tij. Thotë se marrëdhënia e tyre ishte krijuar duke e mirëkuptuar njëri-tjetrin e duke i bashkuar skena.
“Ai ishte një njeri zemërgjerë. Devotshmëria e tij për balet nuk mund të vihet në pikëpyetje asnjëherë”, thotë Toulon derisa disa herë përsërit se për të duhet ngushëlluar jo veç familja, balerinët, por edhe shteti i Kosovës. “Më të vërtetë një njeri i shkëlqyer ka ikur përtej”, thotë ai.

“Teatrit i përulem çdo ditë”
Kësisoj e përshkruanin edhe ata me të cilët kishte krijuar miqësi në Shqipëri në vitin 1980. E këtë e bënte për dashurinë që kishte për skenën e njerëzit. Në një intervistë të realizuar për monografinë “Këmbë”, me autor Naser Shatrollin, me rastin e 45-vjetorit të themelimit të Ansamblit të Baletit, ai kishte rrëfyer se dashuria për skenën e ka bërë të mos e kthejë kokën më, për të shikuar mbrapa.
“Këmbët e çojnë para trupin. Sot, guxoj ta kthej kokën mbrapa, sepse është ndërtuar udhë e mbarë, kokë e këmbë për baletin kombëtar”, kishte thënë ai. Ishte përplasur me secilin ministër të Kulturës për dy dekada, kur nuk gjente mbështetje për Baletin Kombëtar të Kosovës. Themelimi ishte një pjesë e ëndrrës së realizuar. Ngritja e nivelit, një synim që s’ka fund.
“Ndoshta i kam ra ndonjëherë pishman, se ne, si popull, shpesh dimë të jemi ‘pishmanli’ në udhët e mëdha, dimë të bëjmë zënka e kurthe të kësaj udhe të mirë. Por, kur e shikoj punën e madhe që është bërë, them se nuk kam pasur kohë për të jetuar ‘pishmançe’”, kishte thënë ai gjatë intervistës. Aty do të deklaronte se baleti gjithmonë është fëmijë i vogël, i cili do tretman të posaçëm në rritjen dhe zhvillimin e intuitës së tij. Thoshte se baleti ka moshën e vet gjersa nuk është film artistik që do të mund të maskohej ekuilibri i moshës së fytyrës apo këmbës skenike.
“Për fund, besoj se nuk i kam mbetur borxh askujt. Teatrit i përulem çdo ditë. Mbase, një kafe mes kolegësh, miq e artistë, mund t’ia kemi borxh njëri-tjetrit, përditë, derisa një ditë nuk do të jemi këtu. Gëzohem si një fëmijë nëse thashë diçka të vyeshme për teatrin, teatrin, teatrin”, do të përfundonte ai.
Kur e përmbledh krejt karakterin e tij, kolegu Jonuz Beqiraj vjen në një përfundim. “Ahmeti është heroi i artit në kohë lirie”, thotë prerazi ai. Se baletin e konsideronte si një fëmijë, këtë e ka dëshmuar gjatë gjithë kohës. Do t’i binte që të hënën e 16 marsit 2014 të kthehej nga Shqipëria pas shfaqjes së dhënë në orën 19:00. Nuk donte që të qëndronin edhe një natë atje, pasi duhej ta kursenin buxhetin. E në mëngjesin e së martës kur autobusi kishte mbërritur në Prishtinë, porosia e tij për balerinët ishte e prerë: “Sot pushim, se kemi udhëtuar natën. Nesër në prova”. E tillë, sikurse ky udhëtim, ishte krejt jeta e Brahimajt. Me saktësi. Ashtu edhe iku. Në maje të gishtave.
Ky tekst i botua për herë të parë në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore” të 9 majit të vitit 2020, e cila iu dedikua balerinit Ahmet Brahimaj. Ribotohet me rastin e dyvjetorit të vdekjes së tij.