Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në mungesë për krime lufte ndaj L.D. dhe V.O. Sipas njoftimit të Prokurorisë të pandehurit akuzohen, se gjatë periudhës 1998 – 1999 në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kanë shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
“Sipas aktakuzës, më 25 dhe 26 mars 1999, në rrugën “Tahir Efendiu”, gjatë një aksioni të forcave policore serbe, ku morën pjesë edhe të pandehurit në cilësinë e zyrtarëve policorë, është vrarë një civil dhe janë keqtrajtuar gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se, të pandehurit, në bashkëkryerje, kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin N.K., M.M., S. G., B.G., B.Sh., A.C., dhe Q.Sh., të cilët thuhet se janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht.
Të akuzuarit thuhet se i kishin detyruar të ngarkojnë në kamionetën e policisë të gjitha materialet e ndihmës që ndodheshin në objektin e shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, dhe më pas i kanë futur me dhunë në një kamion dhe i kanë dërguar në stacionin policor të Gjakovës.
“Ndërsa, në stacionin policor, të dëmtuarit janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe me shufra gome, shqelma dhe grushte”, thuhet në njoftim.
I arrestuari M.M., në ditën kur është nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999 , ishte gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë.
Prokuroria Speciale ka ngritur së fundi disa akuza për krime, të cilat janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Në gusht kjo Prokurori ka dorëzuar në gjykatë edhe një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që prej vitit 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykata vendore.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.