Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Homo Sapiens in Transcendence” në dy cikle përplas njeriun bashkëkohor

Prishtinë, 29 tetor – “Homo sapiens” dhe “Transcendence” janë termet latine që e kanë nxitur artistin kosovar Shuk Orani, i cili vepron në Gjermani, që përmes artit të eksplorojë më shumë rreth tyre. Pas disa vjet pune, si një pikënisje për eksplorimin e mëtejshëm ai do të hapë ekspozitën “Homo sapiens in Transcendence”. Ajo përmban dy cikle dhe do të hapet më 2 nëntor në atelienë e artistit në Hamburg të Gjermanisë.

Orani ka thënë se beson që këto dy cikle ndërlidhen me njëra-tjetrën dhe, sipas tij, përmes pikturave është e rëndësishme që të krijohet një komunikim dhe të vërehen aspektet shoqërore që nuk janë duke shkuar mirë. Për të “Homo sapiens” është një sinonim i zhvillimit të shoqërisë njerëzore në suaza të ndryshme të evolucionit të tij.

“Në këtë rast më tepër jam koncentruar në ‘Zeitgeistin” e momentit apo në çoroditjen e qenies njerëzore të kohës sonë bashkëkohore”, ka thënë ai. Ndërsa transcendenca, sipas tij, është një temë që e ka përcjellë me vite të tëra.

“‘Transcendencën’ unë e shoh vetëm në aspektin filozofik, edhe pse përdoret në fusha të tjera, në dimensione të ndryshme”, ka thënë ai.

Kuratorja e ekspozitës, Julia Eckhardt, e cila është historiane e artit, ka thënë se imazhet nga ciklet “Homo sapiens” dhe “Transcendence” tregojnë fazat e hulumtimit artistik në dy fusha në përzierje.

Edhe “Eksperience” në Hamburg me botën magjepsëse të artistit nga Kosova Kulturë “Eksperience” në Hamburg me botën magjepsëse të artistit nga Kosova

“Nga njëra anë është ekzistenca e njeriut e vizualizuar në imazh si një formë e lakuar, e mbivendosur. Nga ana tjetër ngjyra e pastër, e cila në varësi të detyrës zhvillon një pavarësi dërrmuese dhe arrin pikën e mishërimit”, ka thënë ajo. Sipas saj, interesi artistik dhe ai shoqëror i artistit Shuk Orani është një proces i vazhdueshëm i njohjes, zhvillimit, shndërrimit të njerëzve.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)