Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“SHIFT” – historia e një artisti që s’i shmanget teknologjisë

“SHIFT” është një akt pranie. Por prania këtu nuk është as e thjeshtë dhe as e garantuar. Ajo duhet kërkuar në errësirë, centimetër pas centimetri, me duar dhe me dritë. Në foto: “Sp. sorry Picasso 1”, Shuk Orani, teknikë e kombinuar, vaj në pëlhurë, 2025

“SHIFT” është një akt pranie. Por prania këtu nuk është as e thjeshtë dhe as e garantuar. Ajo duhet kërkuar në errësirë, centimetër pas centimetri, me duar dhe me dritë. Në foto: “Sp. sorry Picasso 1”, Shuk Orani, teknikë e kombinuar, vaj në pëlhurë, 2025

Nuk është një ekspozitë për inteligjencën artificiale. Është, përkundrazi, një ekspozitë për atë që ndodh kur një artist, një piktor i gjestit, i materies, i shkallës monumentale, gjendet ballë për ballë me diçka që mëson prej tij më shpejt sesa ai mund të çmësojë nga vetvetja. “SHIFT” e Shuk Oranit – e cila do të hapet në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Tiranë të mërkurën e 25 marsit – është historia e një artisti që nuk i shmanget aspak teknologjisë. Përkundrazi, ai zgjedh të qëndrojë në hapësirën e friksionit dhe ta bëjë atë zemrën e praktikës së tij më të fundit

Ekziston saktësisht një moment në jetën e një artisti kur ai ndalon së dominuari mediumin e tij dhe fillon të negociojë me të. Për Shuk Oranin, artist shqiptar i lindur në Prishtinë dhe banues në Gjermani, ai moment ka marrë formën e një fytyre, fytyra e tij e replikuar, e animuar e cila e vëzhgon, e dëgjon dhe i përgjigjet. Një avatar i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, i zhvilluar me një ekip inxhinierësh gjermanë (Atelier SO, Absolute, 3rdway, EXXXA) në bashkëpunim me “Friedrich Naumann Foundation” dhe Universitetin e Hamburgut.

Jo një instrument. Një bashkëbisedues!

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E megjithëkëtë, “SHIFT” nuk është një ekspozitë për inteligjencën artificiale. Është, përkundrazi, një ekspozitë për atë që ndodh kur një artist, një piktor i gjestit, i materies, i shkallës monumentale, gjendet ballë për ballë me diçka që mëson prej tij më shpejt sesa ai mund të çmësojë nga vetvetja. “SHIFT” është historia e një artisti që nuk i shmanget aspak teknologjisë. Përkundrazi, ai zgjedh të qëndrojë në hapësirën e friksionit dhe ta bëjë atë zemrën e praktikës së tij më të fundit.

Telajot e mëdha abstrakte të Oranit i përkasin traditës më rigoroze të pikturës evropiane të pasluftës, veçanërisht asaj që shpesh quhet shkolla gjermane: aty ku gjesti nuk është kurrë dekorativ, ku ngjyra mbart peshën e historisë dhe ku sipërfaqja është gjithmonë edhe një prag. Veprat monumentale të Oranit nuk mund të injorohen: ato hyjnë në hapësirë me autoritetin e dikujt që e di se trupi ka rëndësi, se fizikaliteti i pikturës nuk mund të zëvendësohet.

Fjala “shift” nuk ka një ekuivalent të saktë në gjuhë të tjera përveç anglishtes, dhe kjo papërkthyeshmëri është tashmë një deklaratë poetike. Nuk është thjesht sinonim i një ndryshimi: është një zhvendosje që ndodh brenda vazhdimësisë, një mutacion që nuk e anulon formën e mëparshme, por që e mbart me vete, të shtresëzuar, të dukshme në kundërdritë. Shift është ndërrimi i marshit pa ndalur motorin. Është modulimi i sinjalit pa ndërprerë transmetimin. Në fizikën e valëve, është zhvendosja e frekuencës që transformon natyrën e asaj që dëgjojmë pa u ndalur, ndërkohë që burimi e prodhon atë tingull.

Në këtë kuptim, “SHIFT” nuk është një titull përshkrues i ekspozitës por një strukturë operative, modeli përmes të cilit mund të lexohet e gjithë vepra e Oranit. Në praktikën e artistit, kjo zhvendosje ndodh në disa nivele që shumëfishohen dhe pasqyrohen te njëri-tjetri. Është zhvendosja e dorës: gjesti piktorik që depozitohet mbi telajo si gjurma e një qëllimi, i cili në momentin e aktit është tashmë shndërruar në diçka tjetër. Është zhvendosja e mediumit: kur Orani vendos shtresat e tij të ngjyrës mbi riprodhime të veprave të Picassos, ai nuk citon, nuk bën homazh dhe nuk shkatërron, ai zhvendos. Historia e pikturës nuk respektohet as nuk mohohet; ajo vihet në lëvizje nën një sipërfaqe të re, e shndërruar në substrakt, në një presion të padukshëm që formon fushën kromatike pa u shfaqur drejtpërdrejt në të.

Dhe pastaj është zhvendosja më radikale: momenti kur artisti takon dyfishin e tij digjital, avatarin IA që e studion, e replikon, e paraprin dhe zbulon se sa nga akti krijues mund të mësohet, dhe sa prej tij qëndron pikërisht në atë që nuk mund të kodohet.

Akti I – drita

Vizitori hyn në sallën e parë dhe e njeh territorin. Drita është e kalibruar, muzeale. Veprat ndriçohen sipas rregullave: çdo telajo në tërësinë e saj, çdo detaj i aksesueshëm, çdo sipërfaqe e lexueshme. Dy monitorë përballen në hapësirë. Avatari digjital i Oranit dialogon me vetveten, i përgjigjet pyetjeve, përpunon inpute, gjeneron përgjigje. Një projeksion dokumentar tregon artistin duke punuar.

Gjithçka është e dukshme. Gjithçka është e klasifikuar.

Vizitori ndihet komfort, kompetent, beson se e kupton ekspozitën. Kjo sallë e parë është bota e inteligjencës artificiale e përkthyer në një hapësirë ekspozimi: logjika e dukshmërisë totale, e transparencës si ideologji, e informacionit që ofrohet i plotë dhe pa rezistencë. Këtu vepra është e aksesueshme, sepse makina ka vendosur çfarë të tregojë, si ta kornizojë dhe në çfarë drite ta vendosë.

Vizitori konsumon; nuk kërkon. Shikon; nuk zbulon. Është një gjendje e rehatshme e njohjes dhe si çdo rehati, paksa mashtruese.

Akti II  – errësira

Pastaj vizitori kalon në sallën e dytë. Dhe rehatia zhduket. Errësira është totale. Jo një errësirë skenografike, jo një gjysmëhije romantike, por një errësirë që ndërpret. Veprat janë aty, por nuk janë më të ofruara, të aksesueshme, falas. Disa janë të fshehura pas një muri të ndërtuar posaçërisht: të dukshme vetëm përmes krisjes së murit, në fragmente që vërehen sikur përgjon diçka private, diçka që nuk është menduar të shihet plotësisht. Të tjera vepra ekzistojnë në errësirë, të paarritshme derisa vizitori të marrë një elektrik dore dhe të zgjedhë vetë ku të shohë.

Elektriku i dorës është antiteza e algoritmit. Algoritmi optimizon shikimin: vendos relevancën, krijon hierarki në vëmendje, organizon atë që duhet vështruar. Elektriku, në të kundërt, nuk di asgjë. Ai ndriçon aty ku e drejton trupi, aty ku e çon kureshtja dorën, aty ku instinkti sugjeron të kërkosh. Vizitori bëhet autor i përvojës së vetë me veprën e Oranit. Fragmenti që ndriçon është fragmenti që sheh, dhe ajo që mbetet në errësirë mbetet një hipotezë, një prani në intuitë, një skaj ngjyre i parë dhe i humbur.

Asnjë vizitor nuk do ta shohë të njëjtën vepër në të njëjtën mënyrë. Askush nuk do të marrë me vete të njëjtën pikturë në kujtesë. Çarjet në mur janë ndoshta gjesti më radikal i gjithë ekspozitës. Një vepër e fshehur nuk është një vepër e munguar: është një vepër që reziston. Çarja nuk është një dritare. Është një kufi i imponuar shikimit, një kujtesë se vepra ka sovranitetin e saj dhe nuk i detyrohet asgjë shikimit të atij që e vështron. Përgjon, sheh një fragment, imagjinon pjesën tjetër.

Është pikërisht ajo që makina nuk mund ta bëjë: të mos dijë ku të shikojë, të jetojë në paplotësi si një gjendje prodhuese. Kalimi nga një sallë në tjetrën, nga një akt në tjetrin, kjo është vetë shift-i (zhvendosja), jo metafora e tij: akti fizik i kalimit të pragut është momenti kur koncepti pushon së qeni koncept dhe bëhet përvojë e trupit. Kompetenca e fituar në sallën e parë nuk zhduket, ajo transformohet. Bëhet e pamjaftueshme dhe pikërisht në këtë pamjaftueshmëri hapet diçka: vetëdija se vepra e artit ka gjithmonë më shumë sesa ajo që drita zbulon.

“SHIFT” është një akt pranie. Por prania këtu nuk është as e thjeshtë dhe as e garantuar. Ajo duhet kërkuar në errësirë, centimetër pas centimetri, me duar dhe me dritë, ashtu si arti ka kërkuar gjithmonë, edhe kur askush nuk e thoshte këtë gjë kaq hapur.

Ky është teksti kuratorial i ekspozitës “SHIFT” të Shuk Oranit, e cila do të hapet të mërkurën e 25 marsit në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Tiranë. Titulli i shkrimit është i Redaksisë. Botohet me leje të autorit


“SHIFT” shënon ekspozitën e parë personale të Shuk Orani në Shqipëri, një udhëtim përmes një territori të kontestuar mes ndjeshmërisë njerëzore, shenjës dhe inteligjencës artificiale. Artisti i lindur në Prishtinë (me bazë në Gjermani) sjell telajot e tij monumentale abstrakte në dialog me një nga pyetjet më urgjente me të cilat përballen sot artistët: çfarë mbijeton nga arti përballë machine learning?

Ekspozita lëviz mes dy gjendjeve të perceptimit: njëra transparente, e klasifikuar dhe plotësisht e lexueshme; tjetra kërkuese, fizike dhe e paplotë. Vizitorët kalojnë nga një botë ku gjithçka ofrohet në një tjetër ku asgjë nuk jepet falas, ku kuptimi duhet fituar përmes vëmendjes, durimit dhe gatishmërisë për të qëndruar në pasiguri. Është pikërisht ky kalim, kjo zhvendosje (shift), të cilën ekspozita e bën të dukshme si përvojë dhe si argument. Në thelb, “SHIFT” nuk është një ekspozitë mbi teknologjinë. Është një ekspozitë për atë që teknologjia nuk mund ta bëjë: të banojë në mosdijen si një kusht krijues, të gabojë në mënyrën e duhur, apo të gjejë atë që nuk e kërkonte. Orani nuk i reziston makinës, teknologjisë, ai e përdor këtë përballje për të identifikuar akoma me më shumë saktësi atë që mbetet në mënyrë të pakthyeshme e tija si artist, si qenie.