Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur vonesë të pajustifikueshme dhe të ndikuar nga kalkulimet politike vendimin e Gjykatës Speciale për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së.
Artan Behrami nga PDK ka thënë se nëse ish-krerët e UÇK-së dënohen nga gjykata, kjo do të ndikojë edhe në stabilitetin në Kosovë. Sipas tij, në vazhdimësi gjatë procesit gjyqësor ka pasur mungesë totale të transparencës, shkelje të të drejtave të njeriut, konventave e Kushtetutës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBehrami ka theksuar se qytetarët e Kosovës nuk do ta pranojnë “një verdikt që bazohet në padrejtësi”, teksa u shpreh se bazuar në ato që janë thënë nga trupi gjykues e prokurorët gjatë procesit, është lënë të kuptohet se ndaj ish-krerëve do të jepet aktgjykim dënues.
“Ky verdikt do të shpallet herëdokur. Çfarëdo rezultati që do të ketë, ndikimi i atij verdikti do të jetë tektonik edhe në skenën politike të Kosovës, por nëse është dënues edhe në stabilitetin e Kosovës. Këto kalkulimet politike të disa shteteve të BE-së dhe Gjykatës Speciale që një verdikt, qoftë edhe dënues, mund të publikohet në verë kur shqiptarët e Kosovës janë disi më të relaksuar dhe nuk janë prezentë në Kosovë, janë kalkulime djallëzore”, ka thënë Behrami.
Gjykata Speciale e ka konfirmuar zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, vendim që ka nxitur reagime në Kosovë.
Në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, është thënë se 20 korriku nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por data që përcakton afatin e zgjatur.
Ish-krerët e UÇK-së kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt para trupit gjykues. Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Fillimisht, shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, në përputhje me afatet procedurale. Megjithatë, sipas rregullores së Gjykatës Speciale, trupi gjykues ka në dispozicion 90 ditë për nxjerrjen e vendimit, me mundësi shtyrjeje edhe për 60 ditë shtesë.