Kosova dhe Izraeli do të përballen nga ora 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen e parafundit të këtij edicioni të Ligës së Kombeve.
Ndeshja i takon Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Me fitore, Kosova hyn në garë për ta fituar grupin, apo për t’u forcuar më shumë në pozitën e dytë që siguron vazo më të mirë për shortin e kualifikimeve për Evropianin 2028.
Nëse përfundon në vendin e dytë, Kosova e ka mundësinë të luajë në plejof për avancim në Ligën A të Ligës së Kombeve, që është niveli më i lartë i kësaj gare të organizuar nga UEFA.
Kosova në këtë ndeshje do të jetë pa Lumbardh Dellovën dhe Ermal Krasniqin që u larguan më herët nga grumbullimi shkaku i lëndimeve.
Kosova ka edhe shumë mungesa tjera të rëndësishme.
Në rast të fitores ndaj Izraelit, Kosova e shmang rënien nga Liga B.
Aktualisht, Austria i prin grupit me tetë pikë pas katër ndeshjeve. Kosova dhe Irlanda në vendin e dytë e të tretë i kanë nga pesë pikë. Në pozitën e fundit me dy pikë është Izraeli.
Ndeshjen e fundit të kampanjës Kosova e luan të martën në Dublin ndaj Irlandës.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar të shtunën se gjithçka është gati për ballafaqimin e rëndësishëm.
Muriqi për mediumin izraelit: Ëndërroj arritjen në turne madhor me Kosovën
Vedat Muriqi ka dhënë intervistë për mediumin “Sport5”, para ndeshjes së rëndësishme të Kosovës me Izraelin, që nis në orën 15:00 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Muriqi ka theksuar se Kosova nuk është favorite, shkruan mediumi “Sport5” i Izraelit.
Sulmuesi 32-vjeçar i Fenerbahçes që ka 71 paraqitje dhe 33 gola të realizuar, ka thënë se arritja në turne madhor me Kosovën është ëndërr e tij.
Ai është pyetur rreth kësaj, nëse dëshiron më shumë ta fitojë Championsin apo të ketë arritje me Kosovën.
“Padyshim, avancimi në turne madhor me Kosovën”, ka theksuar Muriqi.
Muriqi është shprehur se është krenar që e përfaqëson Kosovën dhe që është golashënuesi më i mirë i saj.
Ka folur edhe për përballjen me Izraelin.
“Kemi luajtur ndaj Izraelit në tri ndeshje. Nuk dua të them se jemi favoritë sepse në futboll nuk i dihet. Edhe nëse Izraeli ka mungesa, ka përparuar taktikisht në vitet e fundit. Ne kemi avantazh sepse luajmë në shtëpi”, ka thënë Muriqi.
Forma e Muriqit në fillim të sezonit ka qenë shumë e lartë në nivel klubesh. Ai i ka nëntë gola të shënuar e dy asistime në 18 paraqitje në të gjitha garat, përfshirë edhe kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
E shënoi golin e fitores 3:2 ndaj Liverpoolit në Ligën e Kampionëve.
Muriqi ka thënë se nuk ndihet në presion as ai, dhe as pjesa tjetër e grupit, para duelit të rëndësishëm.
“Ndeshja ende nuk ka nisur. Gjithçka do të vendoset në 90 minuta. Ende nuk është vendosur asgjë, ne kemi shanse dhe varet nga ne. Nëse jemi të mirë, ne do të fitojmë dhe do të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Muriqi.
Kosova nuk është kualifikuar ende në ngjarje të madhe, Evropian apo Botëror.
Dy herë ka luajtur në plejof. Humbi ndaj Maqedonisë së Veriut në Shkup në gjysmëfinale të plejofit për avancim në “Euro 2020”. Në finale të plejofit për Botërorin 2026 në mars të këtij viti, u mposht në Prishtinë nga Turqia.