Kulturë

“Në kujtesën e së ardhmes” ngjall paradoks me art abstrakt

dhmes” =

Sado paradoksale të tingëllojë, ndodh që ta kujtosh edhe të ardhmen. Me këtë ide është nisur Shuk Orani për krijimin e cikleve të një serie pikturash në përmasa relativisht të mëdha, të cilat i ka prezantuar të enjten në “Hanin e 2 Robertëve” në Prishtinë. Kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita me titull “Në kujtesën e së ardhmes” paraqet gërshetim filozofish, e shpesh edhe ngjall paradokse

Paradoksi mbi memorizimin e së ardhmes eksplorohet në opusin e artistit Shuk Orani, i cili jeton në Gjermani qysh prej vitit 1991. Aty ka studiuar e është pjekur si artist. Shpesh ka bërë ekspozita atje, derisa pas gati një dekade, vjen me këtë përzgjedhje nga krijimtaria e tij artistike për ta prezantuar në Kosovë. Hapësira që i është dhënë në “Hanin e 2 Robertëve” mund të duket e vogël, krahasuar me përmasat e veprave të tij. Shumë prej tyre janë nga 2-3 metra të gjata, të varura në muret e lokalit që për më shumë se 35 vjet ka qenë nikoqir i mbi 200 ekspozitave, pa llogaritur këtu koncerte e ngjarje të tjera kulturore

Shpesh janë koncepte që nuk shkojnë pranë njëri-tjetrit. Në filozofinë tradicionale, ka tri shtrirje kohore: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Të kaluarën e kujtojmë, të nesërmen e paramendojmë, e jetojmë në të tashmen, mirëpo sado paradoksale të tingëllojë, ndodh që ta kujtosh edhe të ardhmen. Me këtë ide është nisur Shuk Orani për krijimin e cikleve të një serie pikturash në përmasa relativisht të mëdha, të cilat i ka prezantuar të enjten në “Hanin e 2 Robertëve” në Prishtinë. Kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita me titull “Në kujtesën e së ardhmes” paraqet gërshetim filozofish, e shpesh edhe ngjall paradokse.

Oksimoron edhe mund të quhet ideja e tij konceptuale, madje po të mos mendohet në kuptim të parë, titulli dhe koncepti edhe mund të shkojnë bashkë. Idetë nga e kaluara mund të ndikojnë që përmes kujtesës të merren vendime që e përcaktojnë të ardhmen, atë që e jetojmë sot, dhe në këtë mënyrë edhe të shihet vazhdimësia e së nesërmes. Realja është vetëm e tashmja dhe të ardhmes ia gjejmë burimin vetëm në kujtesë.

Ky paradoks mbi memorizimin e së ardhmes eksplorohet në opusin e artistit Shuk Orani, i cili jeton në Gjermani qysh prej vitit 1991. Aty ka studiuar e është pjekur si artist. Shpesh ka bërë ekspozita atje, derisa pas gati një dekade, vjen me këtë përzgjedhje nga krijimtaria e tij artistike për ta prezantuar në Kosovë. Hapësira që i është dhënë në “Hanin e 2 Robertëve” mund të duket e vogël, krahasuar me përmasat e veprave të tij. Shumë prej tyre janë nga 2-3 metra të gjata, të varura në muret e lokalit që për më shumë se 35 vjet ka qenë nikoqir i mbi 200 ekspozitave, pa llogaritur këtu koncerte e ngjarje të tjera kulturore.

“Ky është një titull filozofik që pikënisjen e ka qysh nga një projekt tjetër që e kam zhvilluar në Gjermani. Në njëfarë forme e paraqet integrimin e një lloj kujtese ose integrimin e një diçkaje që e vërteton ekzistencën për të ardhmen” ka thënë Shuk Orani për ekspozitën e cila do të jetë e hapur deri më 1 shtator.

Orani nuk ka një stil, një koncept. Zgjerimi i diapazonit të tij konceptual prekë realizime multimediale dhe të artit digjital, ndonëse fokusin e ka te piktura e formatit klasik. Ai krijon vepra arti me narrativë figurative, krahas veprave abstrakte që nuk reflektojnë ndonjë model, por janë krijime autoktone. Nganjëherë qëllimshëm sharton motivet figurative me ato abstrakte.

Pikturat që qëndrojnë të varura aty janë të ndara në cikle, secila tregon diçka nga filozofia e kujtesës. Cikli “Homosapia 2000” paraqet motivin e grave gjysmëlakuriqe, të cilat rrinë shtrirë mbi kolltukë. Dominon atmosfera e kënaqësive tokësore dhe ato duken tërheqëse, por me një dozë ironizomi dhe përçmimi. Shumë pranë atyre pikturave gjenden ato të ciklit “Transcendenca”, të cilat paraqesin modele e struktura të arsyeshme por abstrakte të gjithësisë. Shfaqen katrorë e hoja mjalti, thuajse të mbushura me një lëng simbolik, që tenton të tregojë dimensionet e shtresëzuara të spiritualitetit.

“Këtu i kam në të vërtetë disa cikle, njëri prej tyre është ‘Homosapia 2000’, domethënë është një lloj cikli që ka sfiduar shoqëritë njerëzore në të tashmen. Në njëfarë forme paraqes format pak më jonormale të njerëzimit të ditëve të sotme, për shembull sikur formën sipërfaqësore të asaj që paraqitet nëpër media sociale dhe në njëfarë forme jetën e njeriut të sotëm”, ka shtuar ai.

Përveç tyre, Orani ka sjellë diçka të veçantë brenda ekspozitës. Skano dhe komuniko është ideja. Ka krijuar një model elektronik komunikimi, ku nëpërmjet inteligjencës artificiale është klonuar. Pasi skanohet kodi i vënë në mur, ai të shpie në një faqe interneti. Butoni “start” i jep zë klonit në gjermanisht, e zëri nuk do të ndalet derisa pyetet për diçka, kthehet edhe në anglishte, e fatkeqësisht nuk ka qenë e mundur që për një kohë të shkurtër të krijohet edhe modeli për komunikim në gjuhën shqipe.

Kuratori Shkëlzen Maliqi ka treguar se nuk ka më shumë se një muaj që ka dëgjuar për autorin e këtyre veprave, por pavarësisht kësaj, me t’i parë ato, i janë dukur shumë interesant dhe menjëherë ka pranuar të jetë kurator i ekspozitës.

“I kam parë disa prej uebfaqeve të tij ku i ka të publikuara dhe më është dukur shumë interesant, ai pastaj e propozoi këtë titull dhe ia pranuam titullin, mandej kam reflektuar dhe kam shkruar pak për të. Sigurisht që është paradoksal, por kjo është pak temë filozofike, kam menduar t’ia zbërthej deri diku, s’di sa kam qenë i suksesshëm, por me rëndësi është se e kam lidhur me diçka që një autor me 51 vjet që vjen për herë të parë me një ekspozitë të këtillë në Kosovë. E ka një karrierë relativisht të suksesshme në Gjermani”, ka thënë kuratori Maliqi.

Fakti që Orani është një nga artistët nga diaspora që sjell krijimtarinë e tij në Kosovë, sipas Maliqit, tregon se ka edhe shumë të tjerë që ndoshta nuk janë shumë të njohur. Ka propozuar të krijohet një bienale ose trienale, në të cilën do të mund të prezantohen krijimtaritë e artistëve në fusha të ndryshme të artit.

“Për shumë veta të tjerë që jetojnë në perëndim, kanë shkuar para sa vjetësh, tash më duket diaspora shqiptare ka më shumë në diasporë sesa ka këtu në trevat tona në Ballkan, është interesant ta mendojmë këtë fakt, sa ka njerëz si Shuku, që ka lindur atje dhe ka nisur të krijojë, nuk është vetëm tek artet figurative, do i njohim, do s’i njohim, do janë shkrimtarë e merren me krijimtari. Është një botë e tërë që duhet disi t’i sistemojmë njohuritë për ta. Unë propozova kështu ‘ad-hoc’ ndoshta të bëhet një bienale ose trienale të krijimtarisë figurative në diasporë që bëjnë shqiptarët”, ka shtuar ai.

Fadil Dragaj që është në bashkëmenaxhim të “Hanit të 2 Robertëve” që shërben në të njëjtën kohë edhe si hapësirë për ngjarje kulturore ka thënë se është e rëndësishme t’u jepet hapësirë artistëve të rinj e atyre që vijnë nga diaspora.

“Është shumë me rëndësi për artistët tanë, në mungesë të hapësirave të ngufatur jemi edhe me terminë për njerëzit që janë këtu, por unë jam njëfarë tipi që shkoj nganjëherë edhe kontra, jo unë, por nevoja dhe dëshira ime është që t’i prezantojmë edhe të rinjtë, edhe femrat, sidomos kur e ke një artist si Shuki që e ka një famë evropiane si artist, dhe është një nder për ‘Hanin e 2 Robertëve’ të ketë kësi artistë”, ka thënë ai.

Kjo ekspozitë përmban edhe vepra që, sipas autorit, janë deri në tetë metra të gjata. Këto mendohet të paraqiten edhe në Gjermani e tutje.