Loja mjeshtërore e instrumentistëve e ka bërë madhështor koncertin e skenën ku kanë interpretuar. Programi me kryeveprat e shekullit të kaluar ka sjellë ngjyra në serinë e veprave sfiduese. Ka qenë violinisti Elvin Hoxha Ganiev që ka hapur koncertin me “Sonatën nr.2, op.27”. Pasi ka luajtur tingujt e fundit në vepër, në skenë i është bashkuar Klejda Tare për ta shoqëruar me tinguj pianoje në “Sonatën në G-minor, L.140” të francezit Claude Debussy
“Chopin Piano Fest” ka sjellë vëmendjen te tingujt e pianos edhe në edicionin e sivjetmë. Me lojë të pianistes Klejda Tare janë mbështjellë tingujt e violinës së Elvin Hoxha Ganiev. Loja mjeshtërore e instrumentistëve e ka bërë madhështor koncertin e skenën ku kanë interpretuar. Programi me kryeveprat e shekullit të kaluar ka sjellë ngjyra në serinë e veprave sfiduese.
Sikurse vjet, Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare e kanë kthyer në sallë koncertale e ambientin e kanë transformuar në hapësirë të ngrohtë. Muri në pjesën ballore është mbuluar me perde me posterin e Festivalit në qendër.
Ka qenë violinisti Elvin Hoxha Ganiev që ka hapur koncertin me “Sonatën nr.2, op.27” të belgut Eugene Ysaye. Dinamika ka qenë e theksuar. Loja me gishtërinj ka bërë që shpesh të ngjajnë në ata të kitarës. Ka luajtur pjesët “Obsession, Prelude”, “Malinconia”, “Danse des ombres, Sarabande” dhe “Les furies” të kësaj vepre.
Pasi ka luajtur tingujt e fundit në vepër, në skenë i është bashkuar Klejda Tare për ta shoqëruar me tinguj pianoje në “Sonatën në G-minor, L.140” të francezit Claude Debussy. Vepra sikur noton në botën e tingujve që vijnë me tension të paparashikueshëm. Nga kjo shpejt kthehet në gjendje të qetë dhe krijojnë atmosferën harmonike. Ka qenë edhe interpretim emocional me tinguj konstant që sa shkojnë e bien. Seria përsëritet vazhdimisht dhe dinamizmin e gjen sërish me një tërheqje teli në violinë, duke e kthyer rrjedhën e veprës në gjendjen paraprake.
Me “Theme et variations” të kompozitorit francez, Olivier Messiaen, harmonizimi i dyshes në skenë është theksuar edhe më shumë. Ka qenë kombinim absolut violina krah pianos. Vepra ka filluar në mënyrë të thjeshtë para se të hyjë në ritmet komplekse. Ato ndryshojnë në dinamikë e në tone. Ka qenë goxha sfiduese, por edhe emocionuese dhe e larmishme. Kur dy instrumentet kanë kulmuar ritmi është shoqëruar me ulje dhe prapë ka shpërthyer me pianon e me violinën në qendër.
E interpretuar në disa pjesë, “Sonata nr.1, në F-minor, op.80” e rusit Sergei Prokofiev sikur ka futur publikun në rrugëtim në një peizazh të mjegullt e të përhumbur. Nganjëherë ngjan në valle tradicionale që ndryshon pas secilës pikë pushimi. E interpretuar në “andante assai”, tingujt shpesh kanë qenë si të çakorduar e pa ritëm, si tendencë për t’u shkëputur prej rrjedhës së veprës. Por më pas, dy instrumentet janë bërë bashkë me lojë të shpejtë e në të njëjtin ritëm.
Pianistja shqiptare, Klejda Tare, ka vlerësuar se kjo vepër ka qenë sfiduese në interpretim.
“Programi ka qenë bashkëpunim i të dyve. Ka qenë pak i veçantë pasi përfshin vepra të shekullit XX dhe më tej. Janë kompozitorë, sidomos Messian, që luhet rrallë për vështirësitë teknike që kanë instrumentet që luajnë veprat e tij. Edhe sonata e Prokofiev është një nga sonatat më të vështira për violinë dhe piano”, ka thënë ajo.
Sipas Tare, programi ka qenë i larmishëm e me ngjyra. Për të ka qenë hera e dytë që ka interpretuar bashkë me violinistin Ganiev, sikurse edhe rikthimi për të dytën herë në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. “Sa herë që vij në Prishtinë ka emocione të veçanta në secilin koncert. Këtë radhë ishte një ftesë shumë speciale nga Festivali. Besoj se është një nga festivalet më të rëndësishme, jo vetëm në Kosovë dhe në trevat shqiptare, por edhe në rajon. Mendoj se të gjithë pjesëmarrësit janë të nderuar të marrin pjesë në të dhe se niveli i festivalit është vërtetë për t’u admiruar nga instrumentistët që marrin pjesë”, është shprehur pianistja nga Korça, Klejda Tare. Ajo është diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë. Pos si pianiste, edhe ligjëron në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Për violinistin shqiptaro-turk Elvin Hoxha Ganiev ka qenë hera e dytë që ka interpretuar në skenën kosovare, pas atij me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës vite më parë. Ka thënë se e çmon ftesën e “Chopin Fest”. “Kjo është hera e dytë këtu, por që nga hera e parë më ka pëlqyer atmosfera dhe publiku. Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të interesuar, kështu që është çdoherë kënaqësi të luaj për publikun në Kosovë, është shprehur ai.
Për violinistin që ka interpretuar si solist në orkestrat me man dhe dirigjentë të mëdhenj në mbarë botën, ka qenë i veçantë edhe repertori i zgjedhur. “Deshëm të luajmë më shumë programin nga shekulli XX me shumë ngjyra. Jemi munduar të zgjedhim prej atyre që janë luajtur më rrallë këtu, kështu që zgjodhën Prokofiev, Messiean. Deshëm të sjellim diçka më interesante dhe ndryshe”, është shprehur violinisti. Repertori i Elvin Hoxha Ganiev përfshin pjesë virtuoze për solo violinë e koncerte për violinë dhe orkestër dhe sonata për violinë dhe piano.
Në “allegro brusco” ka nisur me tinguj melankolikë të violinës e pianos. Një tërheqje e fuqishme e shkopit mbi telat e violinës e gjallëron edhe pianon e cila ndjek tingujt e instrumentit tjetër dhe kjo e fundit e drejton atë. Loja bëhet më intensive në piano me tinguj më të vrazhdë dhe të ndjeshëm të violinës. Vepra ka vazhduar me tingujt e papritur të tërhequr me gishtërinj të cilët e kanë nisur interpretimin në “andante”. Pianoja ka vazhduar me tinguj të njëtrajtshëm, por me ata të violinës tentohet të dalë vazhdimisht prej ritmit e prapë rikthehet në vijë me tingujt pianistikë.
Në “allegrissimo – andante assai, come prima” ka nisur me tinguj të shkurtë e dinamikë. Dy instrumentet e ndjekin njëra-tjetrën duke ndryshuar pozitat shpesh. Pjesa është tejet më estetike me ritëm konstant e herë me violinën në prirje. Për interpretimin mjeshtëror, publiku i ka duartrokitur gjatë, për çka dyshja është kthyer në skenë në interpretim edhe njëherë të një pjese të veprës së fundit.
Interpretimin e dyshes Tare dhe Ganiev e ka vlerësuar drejtoresha artistike e Festivalit, Lejla Pula, duke u shprehur e lumtur që kanë qenë të pranishëm në skenën e “Chopin Fest”. “Kanë sjellë një performancë të mrekullueshme me aq shumë ngjyra, me aq shumë virtuozitet, me bashkëpunim artistik dhe muzikor kulmor. Vërtet jam shumë e lumtur, jo vetëm për audiencën e gjerë, por edhe për studentët tanë të cilët patën mundësinë ta shijojnë një performancë të radhës. Vërtet një talent i jashtëzakonshëm që tek do të zhvillohet edhe më tej në përmasa botërore”, ka thënë profesoresha Pula pas koncertit.
Drejtoresha organizative e Festivalit, Besa Luzha, ka vlerësuar se interpretimi solli shumë ngjyra. Atmosferë të ngjashme ka paralajmëruar edhe në koncertin e së hënës. “Programi që ka zgjedhur violinisti Elvin Hoxha Ganiev është jashtëzakonisht të vështirë. Është i epokës më moderne, nuk është bash i klasikes. Pati Messiaen, Debussy, Prokofiev, janë vepra me shumë kërkesa. Ishte natë që rrallëherë e kam përjetuar, pasi veprat për violinë dhe piano janë tejet serioze dhe me shumë kërkesa. Të gjithë ishin duke e përcjellë në një frymë. Violinistja dhe pianistja ishin shumë të harmonizuar dhe të koordinuar”, është shprehur Luzha.
Në natën e tretë të Festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest” do të interpretojë siksteti ballkanik “Pro Arte”.