Në maratonën e koncerteve, “Chopin Piano Festi” përherë gjen momente që t’i rikthehet skenës e potencialit vendor. Një program i larmishëm e sfidues, ka qenë harmonizim i veprave të shquara botërore tok edhe me ato shqipe si “Fuga no.3” për piano me katër duar nga Rauf Dhomi, që është dhënë premierë. Lista pjesëmarrësve në një koncert si ky është me emra të përveçëm të “peizazhit” të muzikës klasike në Kosovë
Kur “Chopin Piano Festi” shkon drejt fundit të edicionit, nuk e lë pa e shfaqur potencialin e muzikantëve nga vendi. U bën vend përherë në program. Në festivalin që i kushtohet pianos, instrumenti është në qendër, i palëkundur. Krejt instrumentet komunikojnë me të, por më shumë se aq, koncerti ka një tjetër mision: me një koncert tradicional u shpreh mirënjohje muzikantëve vendorë.
Imazhi i sallës është i njëjti që nga koncerti i parë më 8 maj, kur nisi festivali. Por kushtet sa shkojnë e rëndohen kur temperaturat rriten. Vapa në sallë ka qenë i vetmi ndryshim. E ndryshimi ka qenë edhe programi me vepra sfiduese që dëshmojnë kapacitetin e skenës muzikore vendore.
Programin e kanë hapur mexosopranoja Ardiana Bytyqi-Ismaili dhe Andi Duraku në piano. Kanë interpretuar “Zigerunderlieder op.103” të Johannes Brahms. Janë këngë që kërkojnë mjeshtëri të veçantë.
Prej tyre kanë sjellë “Hochgethurmte Rimafluth”, “Brauner Bursche” dhe Roeslein Drei in der Reihe”.
Këngët janë me melodi e ritme të guximshme. Pianoja është agresive e solistja i përshtatet. Por ka edhe freski e butësi të toneve si nga instrumenti edhe te vokali. Pianoja duhet të veçojë madhështinë gjithsesi.
Pianisti Andi Duraku solo ka interpretuar “Etude op.8 no. 9, cis-mol” nga Aleksandar Skriabin. Notat me tonalitete të larta dhe një tension i vazhdueshëm e karakterizojnë natyrën e veprës. Ngjan se dy tema krejt të kundërta zhvillohen paralelisht derisa shkëputet pjesa hyrëse nga tjetra dhe tensioni e nostalgjia bashkëveprojnë.
Pianisti Duraku ka thënë se këto vepra janë kërkuese.
“Është një vepër me kërkesa të mëdha teknike dhe muzikale pasi është një vepër e cila harmonikisht është shumë e vështirë sikur edhe teknikisht duke e ditur se dora e majtë është krejt kohën në lëvizje të oktavave. Por është një vepër që e dua shumë dhe për të cilën kam punuar me gjithë qejf për ta sjellë në skenë”, ka thënë ai për KOHËN.
Me lojën e tij e ka sjellë pianon si instrument qendror e shoqërues.
“Ishte një program që, sidomos ky, i shoqërimit ishte për herë të parë që po e interpretoja dhe ishte shumë kënaqësi puna bashkë me Ardianën si në prova edhe sonte në koncert”, ka thënë ai më tej.
Mexosopranoja Ardiana Bytyqi-Ismaili i është bashkuar sërish në skenë për interpretimin e pesë këngëve nga “Zigerunerlieder op.55” të çekut Antonín Dvořák – “Ma pisen zas mi laskou zni”, “Aj! Kterak trojhranec muj”, “Struna naladena”, “Siroke rukavy” dhe “Dejte klec jestrabu”.

Edhe këngët e Dvořák janë të bazuara në këngë popullore hungareze. Por kontrasti aty është më i madh. Por jo thjesht në tonalitete. Sipas përshkrimit të këngëve në gjuhën çeke, bëhet e ditur se ato kapin gjendjen shpirtërore të ditës që po mbaron, mallëngjimin e këngës së dashurisë dhe se në krahasim me këngët e Brahms, është më e dëlirë, më e përmbajtur, më intime e më e butë.
Por pos dashurisë, ato ngjajnë edhe në këngë biblike. Këngët janë të lehta dhe me ritme popullore. Ka edhe aspektet e errëta dramatike.
Mexosopranoja Bytyqi-Ismaili ka thënë se përzgjedhja e programit ka qenë e qëllimshme.
“Kanë qenë këngë cigane ‘lied’ nga Brahmsi, tri të tilla dhe pesë nga kompozitori Dvořák. Kanë qenë këngë shumë të bukura, por edhe sfiduese. Tek pjesa e Dvořákut ka qenë sigurisht gjuha. Fillimisht të përkthehet e pastaj të mësohet, por ka qenë një përfundim i mirë dhe besoj se i kemi realizuar mirë”, është shprehur ajo.
Pianistet Alba Muçolli-Dehiri dhe Syzana Jakupi kanë luajtur vepra nga repertori pianistik për katër duar.
“Fuga no.3” nga Rauf Dhomi sjell një pjesë hyrëse që përsëritet. Loja e njërës pianiste shkon duke u zhvilluar, ndërsa tjetra shuhet. Ajo që mbetet vjen në dy natyra, njëra më harmonike e tjetra më e tensionuar.
“Sonate no.3, d-dur” nga Mozarti ka qenë tejet virtuoze, por edhe melodike. Temat serioze me ato të gëzueshme janë në kombinim duke sjellë mozaikun e veprës tejet të këndshme.
Krejt në fund dyshja në piano ka luajtur edhe “Suite en forme de valses” nga francezja Mel Bonis. Pjesët “Ballabile” dhe “Interlude et Bacchanale” kanë dëshmuar për një vepër elegante. Ka thjeshtësinë e thellësinë melodike. Ka një ngjyrë të lehtë orientale si vallëzim. Ka edhe pjesë melankolike si valse e vajtime në të njëjtën kohë. Mbaron me ritme harmonike.
Pianistja Alba Muçolli-Dehiri ka thënë se vepra e Dhomit ka qenë premierë.
“Jemi paraqitur me një program që ka përfshirë vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Pra ka qenë një vepër premierë e kompozitorit tonë, Rauf Dhomi. Kemi interpretuar gjithashtu një sonatë nga Mozarti dhe dy vepra të kompozitores franceze, Mel Bonis. E kemi zgjedhur me qëllim, pikërisht pasi është kompozitore femër, si kauzë e të drejtave të femrës në botë”, ka thënë ajo derisa ka theksuar bashkëpunimin me “Chopin Fest”.
“Kemi pasur bashkëpunime edhe më herët në vitin 2022. Përgjatë këtyre viteve kemi pasur edhe prezantime të tjera dhe kemi dashur që këtë natë ta shfaqim këtë program i cili shpresoj t’i ketë pëlqyer publikut”, ka thënë Muçolli-Dehiri më tej.
Në fund të koncertit është luajtur “Sonata për flaut dhe piano, op.94” e rusit Sergei Prokofiev e sjellë nga Lejla Beqiri-Vula në flaut dhe Melos Buza në piano.
Virtuoze është loja e flautit. Harmonia e tij del përtej kornizave. Shpesh kulmon e dominon derisa pianoja është e palëkundur. Është luajtur e plotë në kohët “Moderate”, “Scherzo: Presto”, “Andante” dhe Allegro con brio”. Lirika e eleganca e përmbledh atë që dëgjohet nga kjo vepër.
Të premten mbrëma, në skenën e “Chopin Fest” kanë ardhur meloditë e virtuozit kubano-suedez Marcel Mora. Koncerti recital sjell frymë krejtësisht të re të këtij edicioni e vepra të padëgjuara klasike.