EXPRESS

Harmonia e pianos dhe violinës në vepra sfiduese

“Chopin Piano Fest” ka sjellë vëmendjen te tingujt e pianos edhe në edicionin e sivjetmë. Me lojë të pianistes Klejda Tare janë mbështjellë tingujt e violinës së Elvin Hoxha Ganiev. Interpretimi mjeshtëror i instrumentistëve e ka bërë madhështor koncertin e skenën ku kanë luajtur.

Programi me kryeveprat e shekullit të kaluar ka sjellë ngjyra në serinë e veprave sfiduese. Ka qenë violinisti Elvin Hoxha Ganiev që ka hapur koncertin me sonatën e belgut Eugene Ysaye. Në interpretim i është bashkuar edhe pianistja Tare.

Së bashku kanë futur publikun në rrugëtim muzikor të kompozitorëve të shekullit të kaluar. Janë interpretuar edhe veprat e francezëve Debussy e Messiaen dhe të rusit Prokofiev. Sonatën e këtij të fundit pianistja shqiptare, Klejda Tare, e ka vlerësuar sfiduese në interpretim.

“Programi ka qenë bashkëpunim i të dyve. Ka qenë pak i veçantë pasi përfshin vepra të shekullit XX dhe më tej. Janë kompozitorë, sidomos Messian, që luhen rrallë për vështirësitë teknike që kanë instrumentet që luajnë veprat e tij. Edhe sonata e Prokofiev është një nga sonatat më të vështira për violinë dhe piano”.

Për violinistin shqiptaro-turk, Elvin Hoxha Ganiev, ka qenë hera e dytë që ka interpretuar në skenën kosovare, pas atij me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës vite më parë.

“Kjo është hera e dytë këtu, por që nga hera e parë më ka pëlqyer atmosfera dhe publiku. Njerëzit janë shumë të sjellshëm dhe të interesuar, kështu që është çdoherë kënaqësi të luaj për publikun në Kosovë”.

Interpretimin e dyshes Tare dhe Ganiev e ka vlerësuar drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, duke u shprehur e lumtur që kanë qenë të pranishëm në skenën e “Chopin Fest”.

“Kanë sjellë një performancë të mrekullueshme me aq shumë ngjyra, me aq shumë virtuozitet, me bashkëpunim artistik dhe muzikor kulmor. Vërtet jam shumë e lumtur, jo vetëm për audiencën e gjerë, por edhe për studentët tanë të cilët patën mundësinë ta shijonin një performancë të radhës. Vërtet një talent i jashtëzakonshëm që tek do të zhvillohet edhe më tej në përmasa botërore”.

Drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha, ka vlerësuar se interpretimi solli shumë ngjyra.

“Programi që ka zgjedhur violinisti Elvin Hoxha Ganiev është jashtëzakonisht i vështirë. Është i epokës më moderne, nuk është bash i klasikes. Pati Messiaen, Debussy, Prokofiev, janë vepra me shumë kërkesa. Ishte natë që rrallëherë e kam përjetuar, pasi veprat për violinë dhe piano janë tejet serioze dhe me shumë kërkesa. Të gjithë ishin duke e përcjellë në një frymë. Violinistja dhe pianistja ishin shumë të harmonizuar dhe të koordinuar”.

Sonte, në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest” do të interpretojë siksteti ballkanik “Pro Arte”.

Festivali do të vazhdojë me koncertet e këtij edicioni deri më 9 qershor.