Është hapur zyrtarisht edicioni i 25-te Panairi i Librit në Prishtinë. Rreth 100 botues janë bashkuar në ambientet e Pallatit të Rinisë dhe Sportit me botimet më të reja.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli ka thënë se ky Panair ka shërbyer gjithnjë si dritarja kryesore e leximit në Kosovë.
“Libri vijon të jetë porta magjike më e ndier e më e lirë për njeriun”, ka thënë Zeneli.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi ka thënë se ky Panair është rikthim te burimi më njerëzor i dijës, libri.
“Çdo libër i lexuar është një takim i ri...”, ka thënë ajo.
Kurse drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli ka thënë se Panairi i Librit është një ngjarje e rëndësisë së veçantë në emancipimin e shoqërisë.
“Para se të flisnim për inteligjencën artificiale, nëpërmjet librit civilizimi ynë ka kaluar nga terri në dritë”, ka thënë Bardhyli.




Nën moton “Inteligjenca rrjedh nga libri”, Panairi do të jetë i hapur deri të dielën.Në këtë edicion Botimet KOHA vjen me ofertë unike me zbritje deri në 80 për qind.
Te titujt e rinj, Botimet KOHA sivjet vjen me katër sosh midis mbi 150 tituj në total.
“Masakra ndodhi në Korçë” është vepra më e re e shkrimtarit Ibrahim Kadriu, i cili njihet si romancier që historitë lokale i shndërron në rrëfime letrare. Libri fitues i shpërblimit për letërsi “Rexhai Surroi” vitin e kaluar, “Toka e babës” i shkrimtares së re, Jetlira Avdiaj, është po ashtu në shtandin e Botimeve KOHA. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në dhjetorin e vjetëm, vepra e Avdiajt qe përshkruar si roman që lexuesin e ballafaqon me një temë thelbësore për të gjithë – përkatësinë familjare. Sipas jurisë, vepra flet për lidhjet familjare, që janë një ndër faktorët më të fortë në jetë, vendimtarë në formimin e shtresëzimeve identitare.
“Por familjet nuk janë vetëm një vend sigurie dhe harmonie. Ato mund të jenë gjithashtu hapësira në të cilat lindin konflikte e tjetërsim. Dhe është pikërisht kjo ambivalencë që e bën veprën që po nderojmë sot thellësisht njerëzore”, shkruhej në arsyetimin e jurisë.
“Palltoja e të munguarit” është romani i Albina Idrizit, që sivjet pasuron shtandin e Botimeve KOHA si botim i ri. Përshkruhet si rrëfimi që “ndërtohet mbi ngjarjet e kaluara si fëmijë, kryesisht viteve të fundit të luftës, të cilave rrëfyesi tashmë i rritur, u kthehet me një besnikëri përjetimeve fëmijërore dhe me sinqeritet të zhveshur nga çdo paragjykim i mundshëm”.
Sipas përshkrimit, me gjithë largësinë gjeografike nga hapësirat ku zhvillohet lufta drejtpërdrejt, ajo prek edhe personazhet e romanit duke i shpërfaqur në origjinalitetin lakuriq të tyre, parë me sy fëmije.
“Palltoja e atit të munguar, prania e fuqishme e së cilës shoqëron pandashëm gjithsecilin nëpër faqet e librit me çdo rrëfim, mbetet kuintesenca e romanit si një metaforë e ndërgjegjes, e cila i ndjek pas kudo”, shkruhet në përshkrimin e veprës së Idrizit, e cila debutoi në letërsi më 1997 me përmbledhjen me poezi “Heshtja e mbarsur”, botuar nga “Rilindja”.
“Të shtunën nga zgafellja” është përmbledhja e shkrimeve publicistike të përjavshme të drejtoreshës menaxhuese të Grupit KOHA, Flaka Surroi. Të mbledhura në një botim kolumnet e vitit 2023 dhe 2024 bashkojnë rrëfimet e analizat e ndodhive aktuale. Aty vijnë përshkrime, krahasime e edhe propozime për çështje sociale, politike e fusha të tjera.
Menaxheri i shitjes në Botimet KOHA, Fidan Imeri, ka thënë se të gjitha përgatitjet janë bërë që lexuesit të kenë ofertat më të mira sa u përket titujve e po ashtu çmimeve.
“Në ditët e Panairit ne si zakonisht mundohemi të jemi sa më afër lexuesve. Sivjet, pos titujve të rinj, kemi edhe shumë tituj të vitit të kaluar. Në përgjithësi ofrojmë mbi 150 tituj”, ka thënë ai. Sa u përket çmimeve zbritjet shkojnë deri në 80 për qind.
“Tashmë i kemi bërë përgatitjet që në Panair zbritjet t’i kemi deri në 80 për qind, në mënyrë që lexuesit të kenë edhe mundësi të mira financiare për t’i pasur në bibliotekat e tyre botimet tona, disa prej të cilave tashmë dihet se janë edhe bestseller”, ka thënë ai. Gjatë ditës së enjte dhe të premte “Botimet KOHA” do të organizojë edhe promovimet e titujve të rinj. E ngjarjet në Panair edhe sivjet do të jenë të shumta. Përvjetorët e shkrimtarëve po ashtu do të vazhdojnë. Është 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt, 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës, 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës e 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit, që do të organizohen gjatë ditëve të ngjarjes.