Thirrjet se libri është burim i çdo prosperiteti përsëriten vazhdimisht, kanë qenë të zëshme të mërkurën në mesditë, në ceremoninë e hapjes së edicionit të 25-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Imazhi që jep një ngjarje si kjo, është ai i librit triumfues e të pazëvendësueshëm në epokën e teknologjisë e në atë ku bota formësohet nga Inteligjenca Artificiale. Mbi 100 botues janë bashkuar në hapësirën e ngushtuar të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në njërën prej ngjarjeve më të vjetra në Kosovën e pasluftës e që sivjet ka moto konstatimin e qartë se “Inteligjenca rrjedh nga libri”
Ekspozita më e madhe e librit në Kosovë ka hapur dyert në mesditën e së mërkurës. Atmosfera e Panairit të Librit vërehet me t’iu ofruar Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Në kohën e hapjes së ngjarjes vizitorët s’kanë qenë të paktë. Me entuziazmin e ditës së parë të një prej ngjarjeve më të vjetra kulturore në Kosovën e pasluftës së fundit, botuesit kanë pritur vizitorët me titujt më të rinj.
Ceremonia hapëse e Panairit, sikur i ka shkuar për shtat ngushtimit të hapësirave të ngjarjes.
Interesimi për të marrë pjesë në ceremoninë hapëse s’qe i madh. Mesazhet e folësve ishin të qarta. Thirrjet se libri është burim i çdo prosperiteti përsëriten vazhdimisht. Recitimi i disa poezive të njohura shqiptare nga aktori Xhevat Limani u ka hapur rrugë fjalimeve të ceremonisë hapëse.
Momenti për ta rikujtuar të domosdoshmen
“Nëse është e mundur, do të doja që lexuesit e mi të përjetonin të njëjtin emocion kur të lexojnë librat e mi. Dëshiroj të hap një dritare në shpirtin e tyre dhe të fus në të ajër të freskët. Këtë mendoj dhe shpresoj teksa shkruaj – qartë dhe thjesht”, ka cituar shkrimtarin e njohur japonez Haruki Murakamin, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli. Ai ka thënë se libri vijon të jetë porta magjike më e afërt dhe më e ndier për njeriun dhe se të lexuarit vijon të jetë ushtrimi më i mirë për mendjen e trurin, për universin që gjithsecili e ka brenda vetes.
“Këtu janë mbledhur qindra njerëz që i pikëtakon pikërisht libri. Puna për librin dhe interesi për librin. Të nderuar të pranishëm, jam me fat që punoj dhe rrethohem me njerëz që burim energjie të përditshme e kanë pikërisht librin. Njerëz që ia kanë dedikuar jetën punës me librin. Janë botues, janë autorë, janë përkthyes e redaktorë, librarë e bibliotekistë, shpërndarës e recensentë, kritikë e grafistë, punonjës të shtypshkronjave e gazetarë të fushës”’, ka thënë ai. Sipas Zenelit, puna e të gjithë punonjësve të librit ka bërë që libri t’i rezistojë e të triumfojë edhe ndaj zhvillimit të madh të teknologjisë.

“Ardhja e telefonave të mençur e pajisjeve teknologjike u përcoll me kumtin se libri po perëndon. Jemi dëshmitarë se libri jo që nuk perëndoi, por falë teknologjive lulëzoi veç më shumë. Edhe sot që botën po na e riformëson Inteligjenca Artificiale, është momenti për ta rikujtuar të domosdoshmen: ‘Inteligjenca rrjedh nga libri’”, ka thënë ai derisa ka përmendur moton e këtij edicioni, të 25-tit me radhë. Sipas Zenelit, që në vjeshtën e ’99-s kur u mbajt Panairi i parë i Librit e deri më sot, janë qindra mijëra vizitorë, mbase miliona libra, e qindra autorë shqiptarë dhe të huaj të pranishëm fizikisht e që i kanë prezantuar veprat e tyre te lexuesit duke krijuar kështu një traditë të frytshme e një ngjarje të nivelit mbarëkombëtar.
Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi ka thënë se në një epokë ku inteligjenca është bërë sinonim i algoritmeve, i shpejtësisë dhe i sistemeve të ndërlikuara artificiale, sot shihet se inteligjenca e vërtetë ka lindur dhe rrjedh nga libri. Sipas saj, Panairi është një rikthim te burimi më njerëzor i dijes dhe i urtësisë që është libri.
“Libri si dëshmi e pyetjeve tona më të thella, si udhërrëfyes në rrugën e vetëkuptimit. Në çdo faqe libri, gjendet mundi i një autori që ka ditur të dëgjojë, të pyesë dhe të imagjinojë. Çdo libër i lexuar është një takim i ri me një tjetër këndvështrim, me një tjetër mënyrë të të menduarit dhe të të ndierit. Pikërisht këtu, inteligjenca nuk është vetëm sasi e njohurive, por cilësi e mendjes, një mënyrë për ta dëgjuar botën dhe për ta sfiduar atë”, ka thënë ajo. Sipas saj, Panairi është një hapësirë ku fjala bëhet mundësi dhe libri bëhet urë lidhëse midis njerëzve.
“Le ta shfrytëzojmë këtë Panair për të gjetur libra që na bëjnë të mendojmë, që na frymëzojnë, që na bëjnë të guxojmë. Le të mos harrojmë se, përtej çdo teknologjie, është libri ai që mbetet gjithmonë strehë e mendimit kritik dhe e ndjeshmërisë sonë njerëzore”, ka thënë midis të tjerash Halimi.
Mysafire e sivjetme e Panairit është shkrimtarja dhe publicistja franceze Sophie Kepes.
Udhërrëfyes në rrugën intelektuale dhe shpirtërore
Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ka thënë se nëpërmjet librit civilizimi ka kaluar nga errësira në dritë, nga miti te shkenca, nga përvoja individuale te dijet kolektive, nga fjala e thënë te fjala e shkruar dhe e përjetësuar.
“Libri është ai që nuk plaket por që e rrit lexuesin. Është ai që nuk thërret por që flet qartë e urtë. Nuk imponohet por na fton që ta njohim veten dhe të thellojmë mendimet tona mbi botën”, ka thënë Bardhyli. Sipas saj inteligjenca nuk është thjesht kapaciteti për të mbajtur mend të dhëna por aftësia për të kuptuar, reflektuar, krijuar e ndërtuar ura midis ideve dhe njerëzve.
“Nuk ka vend më të mirë për t’i kultivuar këto ide sesa përmes leximit dhe librit. Në një kohë kur informacioni është kudo por e vërteta është shpesh e mjegulluar libri mbetet busulla që na ndihmon ta gjejmë drejtimin e duhur në rrugën tonë intelektuale dhe shpirtërore”, ka thënë ajo. Sipas Bardhylit, Panairi i këtij viti është dëshmi se edhe pas çerekshekulli interesi për librin nuk ka mbaruar.
Botuesit me ofertë të pasur në pritje të lexuesit
Botuesit kanë sjellë botimet më të reja përfshirë edhe ato të viteve të kaluara. Janë rreth 6 mijë tituj që janë vënë në dispozicion të lexuesve.
Botimet KOHA sivjet vjen me mbi 150 tituj dhe me ofertë shumë të favorshme për lexuesit. “Masakra ndodhi në Korçë” është vepra më e re e shkrimtarit Ibrahim Kadriu, i cili njihet si romancier që historitë lokale i shndërron në rrëfime letrare. Libri fitues i shpërblimit për letërsi “Rexhai Surroi” vitin e kaluar, “Toka e babës” i shkrimtares së re, Jetlira Avdiaj, është po ashtu në shtandin e Botimeve KOHA. Në kohën e ndarjes së shpërblimit qe përshkruar si roman që lexuesin e ballafaqon me një temë thelbësore për të gjithë – përkatësinë familjare. “Palltoja e të munguarit” është romani i Albina Idrizit, që sivjet pasuron shtandin e Botimeve KOHA si botim i ri. Përshkruhet si rrëfimi që “ndërtohet mbi ngjarjet e kaluara si fëmijë, kryesisht viteve të fundit të luftës, të cilave rrëfyesi tashmë i rritur, u kthehet me një besnikëri përjetimeve fëmijërore dhe me sinqeritet të zhveshur nga çdo paragjykim i mundshëm”. “Të shtunën nga zgafellja” është përmbledhja e shkrimeve publicistike të përjavshme të drejtoreshës menaxhuese të Grupit KOHA, Flaka Surroi. Të mbledhura në një botim kolumnet e vitit 2023 dhe 2024 bashkojnë rrëfimet e analizat e ndodhive aktuale. Aty vijnë përshkrime, krahasime e edhe propozime për çështje sociale, politike e fusha të tjera. Menaxheri i shitjes në Botimet KOHA, Fidan Imeri ka thënë se interesi në ditën e parë të ngjarjes duket të jetë në nivel.
“Kemi nëntë tituj të rinj prej tyre katër enkas për këtë panair. Janë shumë tituj deri me 80 për qind zbritje në mënyrë që të jemi sa më afër lexuesve të botimeve tona”, ka thënë ai.

Njëra prej dy sallave ku zakonisht është mbajtur ngjarja, sivjet nuk i është dhënë në shfrytëzim organizatorëve. Kjo ka bërë që plateja e ndërtesës ikonike të Prishtinës të strehojë më shumë botues. Bazuar në të dhënat e viteve të fundit, numri i vizitorëve të ngjarjes është tkurrur. Sa i përket këtij edicioni mbetet të shihet në shifrat që do të shpalosen të dielën, kur edhe bëhet ndarja e çmimeve.