Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte hedhur poshtë krejtësisht kërkesë-padinë e Komunës ndaj Ministrisë së Kulturës. Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rivendosje. Kurse tash, Gjykata Themelore ka hedhur poshtë kërkesën për masë sigurie në mënyrë që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit. Sipas aktvendimit të ri padia do të trajtohet, por punimet nuk mund të vazhdojnë. Si gjithnjë, vendimet e institucioneve të drejtësisë për këtë rast përdoren edhe politikisht
Historia e tentimit për të implementuar një projekt prej mbi 18 milionë eurosh në sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë, tashmë është pasuruar edhe me një vendim gjykate. Është i treti me radhë dhe lë në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalim punimesh në këtë pjesë të qytetit. Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinës e kishte hedhur poshtë krejtësisht kërkesë-padinë e Komunës ndaj Ministrisë së Kulturës. Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rivendosje. Kurse tash, Gjykata Themelore ka hedhur poshtë kërkesën për masë sigurie, në mënyrë që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit. Sipas aktvendimit të ri, padia do të trajtohet, por punimet nuk mund të vazhdojnë. Si gjithnjë, vendimet e institucioneve të drejtësisë për këtë rast përdoren edhe politikisht. Kryetari aktual, Përparim Rama, synon edhe një tjetër mandat në udhëheqje të kryeqytetit, kurse ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, është po ashtu kandidat për të udhëhequr kryeqytetin.
Marsi i sivjetmë qe koha kur Komuna e Prishtinës nisi projektin 18-milionësh në zonën në të cilën shtrihen pesë monumente të trashëgimisë kulturore e po ashtu pjesa më e madhe e saj, sipas Ministrisë së Kulturës, hyn në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Puna qe nisur pa kurrfarë lejeje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Prej 12 marsit, kur Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ndaloi punimet, akuzat e përplasjet s’kanë pushuar. Por Komuna s’mund t’i vazhdojë punimet.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditëses/propozueses, Komuna e Prishtinës për masë të sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve, me të cilën ka kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të datës 16.5.2025 dhe vendimit të datës 13.3.2025 i të paditurës/kundërpropozueses, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri në vendosjen meritore të çështjes së konfliktit administrativ”, shkruhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Aty bëhet e ditur se procedura për konflikt administrativ do të vazhdojë. Ky aktvendim i ri i Gjykatës Themelore vjen pas dy vendimeve të tjera.
Në qershor Gjykata Themelore kishte vlerësuar se Komuna s’kishte të drejtë në padinë e saj për rastin “Xhorxh Bush”. Sipas aktvendimit të asaj kohe Komuna s’kishte të drejtë që të vinte në pikëpyetje vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, i cili kishte mbetur në fuqi edhe pasi Komuna kishte bërë ankesë në Komisionin e Ankesave në MKRS dhe ky komision e kishte lënë ndalesën në fuqi. Pasi ky aktvendim ishte dërguar në Gjykatën e Apelit, atëherë qe konstatuar se Gjykata Themelore ka gabuar kur ka hedhur poshtë ankesën e Komunës, me arsyetimin se ajo nuk kishte të drejtë ta bënte atë. Gjykata e Apelit ka kërkuar që rasti të shqyrtohet përsëri dhe Gjykata Themelore ta shqyrtojë prapë lëndën dhe të nxjerrë vendim përmbajtjesor se kush nga palët ka të drejtë.
Në arsyetimin e aktvendimit të ri, Gjykata Themelore arsyetimet e Komunës së Prishtinës se duhet masë sigurie pasi dëmtohet interesi qytetar dhe se Komuna do të ketë dëme financiare nuk i ka parë të arsyeshme. Madje në një rast edhe i ka cilësuar si pretendime hipotetike.
Varësisht nga aktvendimet që nxjerrin gjykatat, ato përdoren politikisht nga politika. Tash qe radha që ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, si kandidat për kryetar të Prishtinës ta paraqesë aktvendimin si triumf. Njëjtë kishte vepruar edhe kryetari aktual, Përparim Rama, kur Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.
“Nga fillimi ju kemi treguar që janë duke e shkelur ligjin me dy këmbë. Por ata vazhduan me qasjen e tyre shpërfillëse, e për më keq na akuzuan për bllokim. Nuk i morën lejet e nevojshme, nuk i konsultuan banorët, nuk i zgjidhën çështjet pronësore, lidhën kontratë të kundërligjshme, gjykata dy herë ua refuzoi kërkesën për pezullim. Zgjidhjet e qëndrueshme për Prishtinën do të nisin pas 12 tetorit. Me vizion zhvillimor dhe me ligjshmëri të plotë”, ka shkruar Çeku derisa ka publikuar pak nga aktvendimi i Gjykatës Themelore.
Gëzim Kastrati, drejtor i Drejtorisë së Transformimit të Kryeqytetit, ka thënë se vendimet gjyqësore aktuale janë të përkohshme dhe nuk e zhbëjnë faktin se projekti është i domosdoshëm për qytetin.
“Është proces gjyqësor që ende s’ka marrë formë të prerë”, ka thënë ai të martën. Komuna kishte nisur punimet pa iu përmbajtur Ligjit për trashëgimi kulturore, pika e 8-të e nenit të 3-të, i cili përcakton se “dhënia e lejes (lejimi) për ndërtim ose veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme bëhet vetëm me miratimin me shkrim të institucionit kompetent”. Komuna nuk ishte pajisur me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Pas 12 marsit, punimet i ishin ndalur edhe më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë, në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje. Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i është miratuar.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime, duke kërkuar sqarime shtesë, siç është analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe, si ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.
Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.
“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet. Nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.
Pavarësisht se zyrtarët komunalë pohojnë se po presin miratim të projektit, ata nuk kanë dërguar në IKMM plotësimet e kërkuara.
Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme prej vitit 2020. Komuna u referohet studimit të fizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës, që ende është duke u hartuar, dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draft-dokument. Por sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme.