Kulturë

Komuna pret miratimin e projektit për “Xhorxh Bush” pa e plotësuar dosjen

Xhorxh Bush

Pavarësisht se zyrtarët komunalë pohojnë se po presin miratim të projektit ata nuk kanë dërguar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve plotësimet e kërkuara

Komuna pas Aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalim të punimeve, pret që institucionet e trashëgimisë kulturore të miratojnë projektin. Por, Komuna nuk i ka bërë plotësimet e kërkuara. Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të këtij viti kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.

Komuna është duke pritur që Instituti i Kosovës i Kosovës për Mbrojtën e Monumenteve të miratojë projektin për sheshin “Xhorxh Bush”. Komuna pas Aktvendimit të Gjykatës Themelore, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalim të punimeve, pret që institucionet e trashëgimisë kulturore të miratojnë projektin. Por, Komuna nuk i ka bërë plotësimet e kërkuara.

Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të këtij viti kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore.

“Hidhet poshtë si e palejuar padia/kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit e paditëses/propozueses, Komuna e Prishtinës, nën shenjën A.nr.1922/2025 e datës 093.06.2025 për shkak të mungesës së legjitimitetit aktiv”, shkruhet në pikën e parë të aktvendimit.

Sipas Gjykatës në kuadër të Ligjit për trashëgimi kulturore janë të parapara aktet nënligjore që përcaktojnë institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e aseteve të trashëgimisë kulturore.

“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore funksionon në kuadër të MKRS-së dhe është organ kompetent i cili kontrollon dhe mbikëqyr zbatimin e ligjit dhe akteve të tjera ligjore, zbatimin  e masave administrative dhe masave tjera ndaj aktiviteteve tjera punuese, personave fizikë dhe juridikë në nivel lokal dhe qendror lidhur me trashëgiminë kulturore në republikën e Kosovës”, shkruhet në Aktvendimin e protokolluar të hënën e 23 qershorit të cilin KOHA e ka siguruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gëzim Kastrati, drejtor i Drejtorisë së Transformimit të Kryeqytetit ka thënë se Gjykata nuk e ka ndaluar projektin, por e ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme që si Komunë e kanë dorëzuar për ta mbrojtur projektin për sheshin “Xhorxh Bush”.

“Ne jemi ne pritje të dhënies se pëlqimit nga IKMM sepse projekti në fjale do të ketë impakt të jashtëzakonshëm socio ekonomik dhe urban për jetën e qytetarëve drejt transformimit të kryeqytetit”, ka thënë ai.

Komuna kishte paraqitur ankesë për vendimin nëpërmjet të cilit më 12 mars i ishin ndalur punimet në zonën e mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave në Ministrinë e Kulturës nuk i kishte dhënë të drejtë. Më pas më 16 maj Komuna ka kërkuar nga Gjykata caktim të masës së sigurisë, në mënyrë që të pezullohet ekzekutimi i Vendimit që ia ndalonte punimet deri në vendosjen e çështjes meritore.

Në arsyetim Gjykata ka cituar pikën e 8-të të nenit të 3-të të Ligjit për trashëgimi kulturore i cili përcakton se “dhënia e lejes (lejimi) për ndërtim ose veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bëhet vetëm me miratimin me shkrim të Institucionit kompetent”. Komuna nuk ishte pajisur me leje nga IKMM-ja.

“Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore funksionon në kuadër të MKRS-së dhe është organ kompetent i cili kontrollon dhe mbikëqyr zbatimin e ligjit dhe akteve të tjera ligjore, zbatimin  e masave administrative dhe masave të tjera ndaj aktiviteteve tjera punuese, personave fizikë dhe juridikë në nivel lokal dhe qendror lidhur me trashëgiminë kulturore në republikën e Kosovës”, shkruhet në Aktvendimin e protokolluar të hënën e 23 qershorit të cilin KOHA e ka siguruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Komuna pa leje kishte nisur punimet në mars për të implementuar projektin që sipas kontratës, ka kosto 18.4 milionë euro. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar Kallëzim Penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë, në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje.  Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i është miratuar.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime, duke kërkuar sqarime shtesë siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.  Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si ai i Katedrales, ai i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi” ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, Hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.

Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.

“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet. Nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.

Pavarësisht se zyrtarët komunalë pohojnë se po presin miratim të projektit ata nuk kanë dërguar në IKMM plotësimet e kërkuara.

“Ne pas rekomandimeve nuk kemi pranuar më kurrfarë plotësimi apo lëndë për këtë projekt”, kanë treguar në IKMM.

Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet Studimit të vizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende është duke u hartuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po thirren në një draft-dokument. Por sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020 kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme.