Gjykata e Apelit i ka kërkuar Themelores të tregojë se kush ka të drejtë në kontestin për ndërtimet në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë: Komuna që synon ta çojë projektin përpara apo Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, që i ka ndalur punimet.
Themelorja nuk e pati trajtuar problemin, me arsyetimin se Komuna nuk kishte të drejtë ta bënte ankesën për pezullimin e punimeve. Por Apeli ka gjykuar ndryshe, dhe e ka urdhëruar Themeloren ta rishqyrtojë vendimin e të vendosë përmbajtësisht.
Por, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka konstatuar se me vendim, Apeli ka vërtetuar se Komuna ka pasur të drejtë dhe se nisja e punimeve ka qenë në përputhje me interesin publik dhe me ligjin.
“E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon këmbësorëve, jo makinave. Krejt kjo në përputhje me standardet e BE-së, paralel me praktikat më të mira evropiane dhe në harmoni të plotë me ligjin”, ka shkruar Rama.
Në fund të qershorit, Gjykata Themelore e la në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për anulimin e punimeve, meqë ato nisën pa miratim të projekteve nga Instituti për Mbrojten e Monumenteve.
Komuna ende nuk i ka bërë plotësimet e kërkuara nga Instituti, dhe pa e përfillur Ligjin për Trashëgimi Kulturore, ka insistuar të realizohen punimet midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Kryetari Rama ka insistuar se projekti është në të mirë të kryeqytetit dhe qytetarëve të tij.
“Shndërrimi i një rruge në shesh publik nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës! Ne do të vazhdojmë me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik! Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do ta kuptojnë se koha e bllokadave të jashtligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon!”, ka thënë Rama.
Punimet në rrugën e kthyer në shesh, që janë kontraktuar për 18.4 milionë euro, u ndaluan disa herë që nga muaji mars, për herë të fundit, pranë katedrales “Nëna Terezë”, kur fillimisht nisi gërmimi i rrugës në pjesën që nuk është nën mbrotje, e kur gërmimi filloi edhe në pjesën e mbrojtur, atëherë punimet u ndaluan nga Inspektorati.
Pavarësisht vërejtjeve nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve, Komuna nuk i ka bërë ende ndryshimet në projekt, në mënyrë që të sigurojë leje për punimet në zonën e mbrojtur.