Kulturë

Rama thotë se Apeli e ka anuluar vendimin e Themelores për “Xhorxh Bushin”

Punimet në sheshin "Xhorxh Bush"

Foto: Driton Paçarada

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Themelores për ndalimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim, ka njoftuar të shtunën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“E drejta triumfon”, ka shkruar Rama në Facebook karshi një fotoje në të cilën shihet vendimi i Apelit, i cili është marrë para tre ditësh, më 16 korrik.

Vendimi i Apelit - FOTO: Përparim Rama / Facebook

Siç ka shkruar kryetari i Prishtinës, vendimi i Apelit vërteton se kanë pasur të drejtë dhe se veprimi i tyre ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin.

“E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon KËMBËSORËVE, jo MAKINAVE. Krejt kjo në përputhje me standardet e BE-së, paralel me praktikat më të mira evropiane dhe në përputhje të plotë me ligjin”, ka shkruar ai.

Shndërrimi i një rruge në shesh publik, sipas Ramës nuk është vendim momental, por strategji afatgjatë për zhvillim urban, mbrojtje të mjedisit dhe përmirësim të cilësisë së jetës. Rama ka thënë se kjo do të ndihmojë në reduktimin e ndotjes së ajrit nga PM10 dhe NO2.

“Nuk është çështje komoditeti – është çështje shëndeti publik. Hapja e qytetit për këmbësorët nuk është çështje estetike – është çështje sigurie dhe barazie sociale. Zhvillimi i një hapësire publike për këmbësor në vend të një korridori trafiku nuk është eksperiment – është standardi i domosdoshëm i qyteteve që duan të ecin përpara”, ka shkruar tutje Rama.

Kryetari i kryeqytetit ka paralajmëruar se koha e bllokadave, që i ka quajtur të jashtëligjshme, po perëndon.

“Ne do të vazhdojmë me qetësi, vendosmëri dhe respekt të plotë për ligjin e interesin publik! Ata që i frikësohen një Prishtine për të gjithë, do të kuptojne se koha e BLLOKADAVE të jashtligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon!”, përfundoi statusi i tij.

Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të këtij viti kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. Kjo kishte bërë që Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të ndalonte punimet.

Vendimi i Inspektoratit ishte kontestuar nga Komuna në Themelore. Më 23 qershor, Themelorja e kishte lënë në fuqi vendimin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore për ndalim të punimeve në “Xhorxh Bush”. Sipas gjykatës, në kuadër të Ligjit për trashëgimi kulturore janë të parapara aktet nënligjore që përcaktojnë institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e aseteve të trashëgimisë kulturore.

Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet Studimit të vizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende është duke u hartuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po thirren në një draft-dokument. Por sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020 kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme.

Raportimet e KOHËS për "Xhorxh Bushin"