Policia franceze ka arrestuar dy të dyshuar të cilët mendohet se kanë ndihmuar në vjedhjen e kurorës dhe bizhuterive në vlerë prej 88 milionë eurosh nga muzeu i “Louvreit”. Kështu kanë thënë zyrtarët, një javë pas një prej vjedhjeve më spektakolare të shtetit përgjatë dekadave.
Prokuroria e Parisit ka konfirmuar raporte e mediave të dielën se një burrë ishte ndaluar rreth orës 22:00 të së shtunës. Ai ishte ndaluar në aeroportin “Charles de Gaulle” të kryeqytetit francez nga oficerët e skuadrës së grabitjeve të armatosura dhe vjedhjeve të rënda.
Prokurorja Laure Beccuaunuk nuk tregoi se sa arrestime ishin bërë dhe as nëse ishin kthyer ndonjë prej xhevahireve, por zyrtarë të afërt me hetuesit konfirmuan për mediat franceze se edhe një i dyshuar i dytë ishte marrë në paraburgim në rajonin e Parisit.
Prokurorja Beccuau ka thënë se i vjen keq për zbulimin e parakohshëm të arrestimeve në media të shumta, duke thënë se kjo “vetëm mund të rrezikojë punën e më shumë se njëqind hetuesve të mobilizuar për të rikuperuar bizhuteritë e vjedhura si dhe për të kapur të gjithë të përfshirët”.
Ajo ka thënë se ishte shumë herët për të dhënë detaje të mëtejshme, por ajo do të thoshte më shumë pasi të përfundonte periudha e paraburgimit të të dyshuarve. Sipas ligjit francez, të dyshuarit për kryerjen e krimeve të rënda mund të ndalohen deri në 96 orë përpara se të akuzohen.
Media të shumta franceze raportuan se i ndaluari në aeroport ishte gati të hipte në një avion për në Algjeri. Sipas “Paris Match”, i arrestuari i dytë përafërsisht në të njëjtën kohë në departamentin Seine-Saint-Denis pranë Parisit, kishte planifikuar të udhëtonte për në Mali.
Thuhet se të dy të dyshuarit ishin rreth të 30-ave, të njohur për policinë dhe kishin vepra penale për grabitje. Sipas “Le Monde”, ata kishin qenë nën vëzhgim për disa kohë para se të merreshin në paraburgim nën dyshimin për “vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal”.
Duke cituar burime policore, radio publike “France Inter” ka raportuar se dyshja ishin nga Seine-Saint-Denis në verilindje të Parisit, i cili ka shkallën më të lartë të varfërisë dhe krimit në atë që është Francën kontinentale, sipas zyrës kombëtare të statistikave.
Të dyshuarit u identifikuan nga analiza forenzike e gjësendeve që u braktisën në vendngjarje, përfshirë doreza, një jelek fluoreshent një helmetë motoçiklete, mbrojtëse të gjunjëve si dhe mjete elektrike si një dritë elektrike dhe një radiolidhjeje.
Ministri i punëve të brendshme i Francës, Laurent Nuñez, të dielën ka dërguar “urimet e tij të përzemërta” për hetuesit të cilët sipas tij, kishin “punuar pa u lodhur”, por gjithashtu bëri thirrje për konfidencialitet dhe për të mos penguar punën e detektivëve.
Prokurorja Beccuau të premten ka thënë se mbi 150 mostra të ADN-së, gjurmë gishtërinjsh dhe gjurmë të tjera në objektet e gjetura në vendngjarje po analizoheshin në laboratorët mjeko-ligjorë dhe se ajo ishte “optimiste” për rezultatin e hetimit.
Katër burrat dolën jashtë muzeut më të vizituar në botë rreth orës 09:30 të mëngjesit.
Të veshur me jelek fluoreshentë për t’u ngjarë punëtorëve të mirëmbajtjes, dy veta thyen një dritare dhe përdorën prerëse disku për të hapur dy dollapë përpara se të zbrisnin në ashensorin që ishte jashtë pranë kamionit dhe të iknin me motoçikleta të drejtuara nga dy burrat e tjerë.
Grabitja nga dy personat që hynë në galeri zgjati më pak se shtatë minuta. Aty strehoheshin gurët e çmuar mbretëror të Francës. U janë dashur tre minuta e 58 sekonda për t’i marrë ata.
Gjatë arratisjes, ata hodhën një kurorë diamanti, por ikën me tetë pjesë të pasura me gurë të çmuar për të cilat Beccuau ka thënë javën e kaluar se vlenin “një shumë spektakolare, gati 90 milionë euro, por asgjë në krahasim me vlerën e tyre historike”.
Xhevahiret e grabitura përfshinin një varëse smeraldi dhe diamanti që Napoleoni I i kishte dhuruar gruas së tij të dytë, Marie Louise dhe një kurorë me 212 perla dhe afër dy mijë diamante që dikur i përkisnin perandoreshës Eugénie, gruas së Napoleonit III.
I ndërtuar në fund të shekullit të 12-të, pallati i “Louvrit” dikur ishte rezidenca zyrtare e monarkëve francezë, derisa Louisi XIV e braktisi atë për në Versajë. “Louvri” u bë muze për koleksionin e artit mbretëror më 1793, shtatë vjet pas Revolucionit Francez.
Muzeu, i cili zë vend në një hapësirë të madhe përgjatë bregut verior të lumit “Sena” në qendër të Parisit, strehon një koleksion të madh kryeveprash, përfshirë “Mona Lisën” dhe statujën “Venus de Milo”. U vizitua nga 8.7 milion njerëz gjatë vitit të kaluar.
Ministri Nuñez ka shprehur “shqetësimin e tij për xhevahirët në një intervistë për të përjavshmen franceze “La Tribune Dimanche” të dielën, duke thënë se grabitja dukek se ishte kryer nga një grup i krimit të organizuar, si dhe duke shtuar se “hajdutët gjithmonë përfundojnë duke u kapur”.
Ministri i Brendshëm ka thënë se ekzistonte rreziku që xhevahiret të shkatërroheshin, duke ndarë metalet e çmuara me gurët e çmuar duke i shitur veçmas. “Këto gjësende, fatkeqësisht shpesh dërgohen jashtë vendit. Shpresoj të mos ndodh kështu – jam i sigurt”, ka shtuar ai.
Derisa alarmet e brendshme të muzeut funksiononin normalisht, ai që u ndal në orën 09:34 të mëngjesit kur grabitësit thyen dritaren e ballkonit që kishte pamje kah “Quai François Mitterrand”, drejtori i muzeut ka pranuar një pikë të verbër sigurie.
Historiania e artit, Laurence des Cars, javën e kaluar u ka thënë senatorëve francezë se kamerat e jashtme të sigurisë nuk mbulonin në mënyrë adekuate pikën e hyrjes së hajdutëve, me kamerën e vetme të instaluar pranë galerisë “Apollo” të drejtuar në drejtimin e gabuar.
Megjithatë Des Card ka mbrojtur programin e sigurisë prej 80 milionë eurosh të muzeut, duke thënë se mbulimi i kamerave të sigurisë po rritet në gjithë vendin, duke përfshirë “mbikëqyrjen me video që mbulon të gjitha fasadat”.
Ministrja e Kulturës e Francës, Rachida Dati, të premten në rrjete sociale ka thënë se ajo kishte kërkuar gjetjet e një hulumtimi në sigurinë e “Louvreit” deri në fillim të javës së ardhshme në mënyrë që të shpallë “masa konkrete për të siguruar” muzeun.