Kulturë

Rihapet muzeu i Luvrit dy ditë pas grabitjes rreth 90 milionë euroshe

Luvri

Muzeu i Luvrit

Foto: Associated Press

Muzeu i Luvrit në Paris është rihapur të mërkurën, disa ditë pasi xhevahiret e kurorës, me vlerë rreth 90 milionë euro, u vodhën në një grabitje dramatike të dielën, sipas prokurorit të Parisit.

Prokurorja Laure Beccuau, zyra e së cilës po e kryen hetimin, ka thënë se rreth 100 hetues janë përfshirë në kërkimin policor për të dyshuarit dhe xhevahiret, pas vjedhjes nga muzeu më i vizituar në botë.

Pyetje të shumta kanë lindur në lidhje me sigurinë e Luvrit, nëse kamerat e sigurisë mund të kenë dështuar, pasi hajdutët u futën në ndërtesë përmes disa shkallëve lëvizëse, duke thyer një dritare, duke thyer vitrinat, e duke ikur me xhevahire me vlerë të lartë të periudhës Napoleonike.

Zyrtarët kanë thënë se grabitja ka zgjatur më pak se tetë minuta në total, duke përfshirë më pak se katër minuta brenda Luvrit.

Vjedhja ishte përqëndruar në Galerinë e praruar Apollo, ku janë ekspozuar diamantet e Kurorës.

Alarmet kishin dërguar agjentët e Luvrit në hapësirën ku po ndodhte vjedhja, duke i detyruar të dyshuarit të iknin me vrap, por grabitja kishte mbaruar tashmë.

Tetë stoli janë vjedhur sipas zyrtarëve, vlera e të cilavë është llogaritur në 88 milionë euro.