Kulturë

Dy nga të dyshuarit për grabitjen në Luvër ishin dënuar 10 vjet më parë për vjedhje

Luvri

Foto: Associated Press

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau ka thënë të dielën se dy nga të dyshuarit për grabitjen e stolive të Luvrit, ishin dënuar së bashku në një rast vjedhjeje 10 vjet më parë.

Tre nga katër të dyshuarit për rastin që po konsiderohet “grabitja e shekullit” janë tani në paraburgim.

Beccuau ka thënë se ADN-ja e një burri 37-vjeçar, i cili është akuzuar të shtunën, është gjetur brenda ashensorit që është përdorur për të arritur në dritaren e muzeut. 

Dosja e tij penale përmbante 11 dënime të mëparshme, 10 prej tyre për vjedhje, ka thënë Beccuau.

Dosja penale e të dyshuarit tjetër 39-vjeçar, ndaj të cilit janë ngritur akuza të mërkurën, përmend 15 dënime, përfshirë dy për vjedhje, ka shtuar Beccuau.

"Ajo që është interesante në lidhje me këto të dhëna, kur i krahasojmë, është se shohim se të dy ishin të përfshirë në të njëjtën çështje vjedhjeje, për të cilën u dënuan në Paris në vitin 2015”, ka thënë Beccuau. 

Një burrë tjetër 34 vjeç i dyshuar si pjesë e ekipit “komando”, siç i kanë quajtur mediat franceze hajdutët, u akuzua gjithashtu këtë javë.

Një grua 38-vjeçare, ndaj së cilës janë ngritur për "bashkëpunim" të shtunën, është partnerja e të dyshuarit 37-vjeçar, ka thënë Beccuau, duke vënë në dukje njëfarë "afërsie" midis të gjithë të dyshuarve.

Të katër po mbahen në paraburgim.Beccuau nuk pranuar të përgjigjej në një pyetje nëse hetuesit po i afrohen gjetjes së stolive të vjedhura.

"Po shqyrtojmë të gjitha mundësitë në tregun paralel për shitjen e këtyre stolive, gjë që shpresoj se nuk do të ndodhë së shpejti. ... Mund të përdoret për pastrim parash, mund të përdoret për tregti, të gjitha pistat po shqyrtohen", ka thënë ajo.

Grabitja në Luvër ka ndodhur mëngjesin e 19 tetorit, në kohën kur brenda muzeut kishte vizitorë. 

Persona të maskuar përdorën një automjet me ashensor për të hyrë në Galerinë Apollo dhe vodhën tetë stoli me vlerë afërsisht 90 milionë euroshe përpara se të iknin me motoçikleta.