Tetë vepra artistësh nga Kosova, Shqipëria dhe bota janë bërë bashkë për të dhënë kumte për çështjet emergjente të mjedisit.
Në hapësirën e brendshme të ish-kino “Rinia” në kryeqytet, ekspozita “Given” është shpalosur me ambicien për të krijuar dialog publik mbi çështje që prekin të sotmen dhe të ardhmen e mbarë njerëzimit.
Si pjesë e Rezidencës së Artit “INFRARED”, veprat e instalacionet e artistëve Abi Shehu, Berat Bajrami, Biob Frrokaj, Bobb Attard, Laureta Hajrullahu, Lori Lako, Lumturie Krasniqi dhe Yll Xhaferi kanë shpalosur nga perspektiva të ndryshme vizionin dhe ndjeshmërinë e tyre për natyrën.

“Është në natyrën e betonit ta shpërfaqë njeriun dhe në natyrën e barishteve të mbinë kudo. Një eksosistem i ri i krijuar brenda kësaj flluske të lënë mbas dore, në pritje që të bëhet sërish e frytshme në metamorfozat urbanistike”, ka thënë artistja Blerta Hoçia si kuratore e ekspozitës.
Rezidenca e Artit INFRARED është zhvilluar duke u bazuar në natyrën e rrezes Infrared e cila në përgjithësi është e padukshme për syrin e njeriut, por që mund të ndjehet si nxehtësi dhe mund të shihet vetëm nën rrethana të caktuara me pajisje të veçanta. Në të njëjtën vijë të mendimit, metodologjia e Rezidencës së Artit INFRARED ka për qëllim që të identifikojë çështje të ndryshme që lidhen me komunitetin dhe të drejtat e njeriut duke përdorur pajisje “të veçanta” siç është arti për të prekur dhe trajtuar çështje të tilla.
INFRARED përmes rezidencave artistike ka për qëllim që të krijojë një dialog publik mbi çështje të caktuara duke kontribuar në ngritjen e nivelit të mendimit kritik të artistëve të rinj se si të shfrytëzojnë artin si mjet për vepruar.