Kulturë

Artisti i reflektimit të krizës sociale

Në një botë komplekse, artisti nga Shqipëria, Bib Frrokaj, nëpërmjet artit të tij përpiqet të zbërthejë sesi ajo bashkëvepron me njeriun e sotëm. Thur metafizikën a lidhjen vizuale me imazhe të ndryshme dhe situata me një vëmendje të veçantë drejt temave sociale. I diplomuar për pikturë në Universitetin e Arteve në Tiranë, më 2016, veprat e tij artistike së fundi janë fokusuar në fotografi dhe video.

Artisti 28-vjeçar nga Lezha – i cili prej vitit 2017 punon edhe si mësues i artit në vendlindjen e tij – së fundmi ka qenë finalist në çmimin “Ardhje”, që u ndahet artistëve të rinj vizualë dhe aktualisht është pjesë e rezidencës së artit “Infrared” që mbahet në Prishtinë nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.

Në një intervistë për KOHËN, Frrokaj ka treguar për kapërcimin e tij nga piktura në fotografi dhe video, si dhe për bashkëveprimin e njerëzve me habitatin që e rrethon.

Fuqia e imazheve

Natyra piktoreske që e kishte rrethuar si fëmijë, Bib Frrokajn e kishte shtyrë drejt pikturës. Pasi që përfundoi Liceun Artistik në Shkodër vazhdoi studimet e larta në Tiranë. Kur erdhi koha e diplomimit, për temë të diplomës u largua nga piktura.

Për realizimin e veprës, “Dependent” (2016) kanavaca nuk i mjaftoi. Ajo që kishte në mendje nuk do të kishte fuqinë e njëjtë nëse realizohej me ngjyra me paleta. Duke hulumtuar sesi ta shpërfaqë më mirë këtë vepër iu kthye fotografisë. Në fakt, realizoi një seri fotografike me moton “Shtëpia është një vend i mërzitshëm, dil jashtë!”, ku eksploronte mërzitjen në shtëpi, duke pasur si qëllim që të portretizojë rolin thelbësor që kanë gratë shqiptare në shtëpi.

“Tema që trajtoja nuk përbënte ndonjë çudi të madhe nëse unë do ta pikturoja. I vetmi medium që do ta sillte më mirë ishte fotografia. Prandaj, u bë ky kapërcimi te fotografia”, thotë Frrokaj për këtë nevojën e tij për të eksperimentuar me mediume.

Tre vjet më vonë do të kalonte te videoja. Vepra “The Big Snake” (video, 07’ 38’’, sound, color, 2019), u bë sebep. Zuri vend në ekspozitën “Seven Albanian Photographers. One Residency” në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” në Shkodër. Është një shembull i pastër i konfliktit midis njerëzve dhe natyrës. Vepra, e kompozuar në atë formë që të jetë si një lloj “ekskursioni”, qëllim nuk e ka që ta dërgojë publikun te një konflikt final.

“Është ndërhyrja kundër natyrës, e cila ndikon në gjithë ekosistemin e jetës dhe nëpërmjet kësaj vepre, qoftë edhe përmes titullit, ‘Gjarpri i madh’ kjo ndërhyrje e njeriut është edhe vetë helmuese si gjarpri”, thotë artisti. Një version të kësaj vepre të modifikuar do ta sjellë edhe në Prishtinë. Është duke punuar në të në kuadër të rezidencës “Infrared”.

Në të ardhmen është i gatshëm për të eksploruar edhe me mediume të tjera. Sipas tij, mjafton që nëpërmjet tyre të përçojë fuqishëm atë që e ka në mendje.

Image

                                                                                        “Dependent”, fotografi digjitale, 2016

Marrëdhëniet komplekse

“Punët e mia janë të lidhura shumë me kontekstin, habitatin të cilin e kam rreth meje, sidomos të lidhura ngushtë edhe me problematikat sociale”, thotë Frrokaj.

Kërkimet e tij artistike aktualisht janë përqendruar në hetimin e një marrëdhënieje komplekse midis qenies njerëzore, si një kalimtare dhe natyrës si një prani e pashmangshme e vendosur në një habitat që përpiqet të japë dhe të marrë përmes sjelljeve të tyre të ndërsjella, duke trajtuar subjekte spontane nga hapësirat urbane dhe përtej tyre.

“Imazhet e mia pretendojnë të vendosin në kriza këtë marrëdhënie të habitateve, duke u përpjekur të zbulojnë se si ato ndërveprojnë kundër kompleksitetit të sjelljes njerëzore në kontekste të marrëdhënieve të ndryshme, qoftë në një lidhje shpirtërore ose vizuale me një dozë të ndjeshmërisë në problemet sociale”, thotë artisti. Sipas tij, ndonjëherë subjektet e tij sjellin një histori jo-narrative midis imazheve që vijnë nga vende të ndryshme dhe përmes subjekteve të tyre që insistojnë të përcaktohen kundër një mjedisi, i cili varet nga reagimet dhe anasjelltas.

Kërkimi si parapërgatitje

Për Bib Frrokajn është i rëndësishëm kërkimi. Thotë se jo gjithçka që del para mund të kthehet në vepër arti. Për të i gjithë realizimi i veprave ka një proces kërkimor që u paraprinë.

“Nëse gjen një habitat të mirë duhet të gjesh edhe arsyen se përse po merresh me atë habitat apo hapësirë”, thotë ai. Një peizazh për lakmi është edhe te vepra “The Long Wait” (video, 09’ 35’’, sound, color, 2020), ekspozuar në Galerinë “Zeta”. Me këtë vepër artisti sivjet ishte në mesin e finalistëve për çmimin “Ardhje”.

Videoja është xhiruar në mes të një fushe të gjerë e që është një aeroport i braktisur. Artisti shfaqet në këtë hapësirë afër një strukture të betonit.

“Aty trajtoj individin e sotëm, i cili është pre e një sistemi që ka ngelur peng i një të kaluare komuniste, por edhe peng i një demokracie në transicion që nuk po i shpie askund. Pra, është në një pistë ku nuk ka as ulje, as ngritje avionësh pra është pezull pa një të ardhme të qartë”, thotë artisti.

Sipas tij, njerëzit, duan apo jo kanë një varësi ndaj diçkaje dhe bashkëveprojnë me to. Njerëzit për të janë produkt i sjelljeve në këto hapësira, në këtë habitat, qoftë edhe me politika të ndryshme të cilat ndikojnë edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.

Image

“The Long Wait”, video, 09’35’’, 2020

Artisti me veprat e veta prek edhe hapësirat urbane.

“Gjithçka ka filluar te hapësirat urbane në një formë a tjetrën”, thotë ai. Në mesin e veprave që kapin këtë çështje është edhe “Beyond the Line” (Fotografi, 2016), në të cilin artisti fokusohet te shenjat e rrugës. Karakteret e tij ndonjëherë janë në pritje të diçkaje e ndonjëherë në nxitim për të shkuar diku.

“Beyond the Line” ishte ekspozuar në “Hohensalzburg Fortress”, në Salzburg të Austrisë në vitin 2016, dhe më vonë në Shkodër në kuadër të edicionit të pestë të çmimit “Idromeno”. Përmes linjave artisti sikur krijon një lojë, ku personazhet e tij janë duke respektuar vijat e bardha.

Një vazhdimësi e lojës me urbanen është edhe vepra “A Background for a Tree” (Fotografi digjitale, 2015-2017).

“Në këto fotografi ka background, por aty ka potencial për të qenë një pemë. Më shumë ka filluar si një lojë grafike ku jam përpjekur që përmes aparatit të gjej një sfond të përshtatshëm për një pemë”, thotë Frrokaj.

Në vendet urbane në zhvillim, ku peizazhi i qytetit ndryshon çdo ditë, artisti përpiqet të gjejë pemë si një lloj mëtimi. Fokusi i tij është të krijojë situata vizuale dhe grafike duke kombinuar linja, hije, e ngjyra duke përjashtuar çdo zhurmë vizuale.

Ai kthehet përsëri te piktura. Thotë se në një formë dëshiron që të pikturojë nëpërmjet kamerës. Po të vështrohet si tërësi, krijimtaria e Bib Frrokajt, edhe videoja, edhe fotografia, i ngjajnë pikturës. Në një formë, ai nuk largohet asnjëherë prej saj.

Image

                                                                       Nga seria “Meditation above Modern Communications”, pikturë, 2014